Piku i verës dhe i aksidenteve, shifrat: Mbi 16 mijë gjoba vetëm javën e parë të korrikut

AKTUALITET


Sezoni turistik 2022 ka hyrë në pikun e tij. Strukturat akomoduese në vijën bregdetare, e kryesisht atë të jugut, janë pothuajse të rezervuara, por kujdes! Vera në Shqipëri shënon edhe pikun e aksidenteve rrugore, të cilët janë shkaktari i tretë i vdekshmërisë.

Por kush janë më të rrezikshmit në timon? Statistikat zyrtare të INSTAT për muajin maj tregojnë se numri i personave të lënduar ose që kanë humbur jetën gjatë aksidenteve rrugore janë rritur, dhe në 86.6% të rasteve në drejtim të automjetit ka qenë një i ri.


“Në muajin maj 2022, aksidentet rrugore, në 86,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha deri 24 vjeç”, thuhet në raportin e Policisë së Shtetit.

Kjo është një statistikë që vjen në rritje pasi kjo grupmoshë ka qenë shqetësuese edhe më parë. Shifrat flasin për një rritje me 28%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E teksa temperaturat e larta rikthehen këtë javë, plazhet janë populluar sërish, ndërsa arka e policisë së shtetit do të vijojë të mbushet nga kundravajtjet rrugore.

Javën që lamë pas, plot 16 722 gjoba janë vënë nga policia rrugore, ku 763 prej tyre kanë qenë aq të rënda sa kanë shkuar në heqje të lejes së drejtimit, dhe 86 kanë përfunduar prapa hekurave./a2




Skip to toolbar