Premtimet e kandidatëve për kryeministër…

AKTUALITET


Nga Eduard Zaloshnja

Në qershorin e vitit 1997, Fatos Nano u premtonte shqiptarëve në çdo takim elektoral se do t’u kthente 100% të parave të humbura në skemat piramidale, sapo të bëhej kryeministër. Pasi u bë kryeministër, për të realizuar premtimin e tij, krijoi një komision të posaçëm, i cili, pas shumë vitesh, u ktheu shqiptarëve vetëm 1% të parave të humbura…


Në majin e vitit 2005, si kalorës i “duarve të pastra”, Sali Berisha u premtonte shqiptarëve se do të fuste në burg kryehajdutin Nano, si dhe të gjithë “dukët e krimit” e “mamuthët e korrupsionit” rreth tij, sapo të bëhej kryeministër. Pasi u bë kryeminstër, i deklaroi Dojçe Veles se “nuk mund të fuste në burg kryetarin e opozitës”, pavarsisht se Nano kishte dhënë dorëheqjen nga kryesimi i PS-së… Dhe më vonë, disa nga “dukët” e disa nga “mamuthët” i mori në koalicionin e tij…

Në qershorin e vitit 2013, Edi Rama premtoi se do t’i çonte drejtësisë dosjet që do të siguronin futjen në burg të përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit në bulevard dhe për vrasjet e Gërdecit. Kanë kaluar 6 vjet dhe asnjë dosje e tillë nuk ka shkuar në zyrat e drejtësisë…

Sot Lulzim Basha premtoi se, kur të bëhet kryeministër, do të hetojë të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria Rama, duke nisur që nga juristi më i thjeshtë e deri te kryeministri, ministrat dhe ish ministrat. Kushdo që ka firmosur një koncesion do të jetë objekt i një hetimi që do të ndërmarrë Basha, kur të bëhet kryeministër. “Për qeverisjen e PD-së dhe të opozitës, që ditën e parë të qeverisjes, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetër, ne do të ndërrmarim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë, me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë,” deklaroi kandidati për kryeministër.

Në qoftë se Basha e fillon hetimin e “paparë ndonjëherë” me 220 milionë eurot e mbipagesës së autostradës Rrëshen-Kalimash, duhet besuar se, ndryshe nga paraardhësit, do t’i mbajë premtimet parakryeministrore… 




Skip to toolbar