Presidenti i Austrisë vizitë në Tiranë 

Më të fundit


Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen do të vijë në Tiranë për vizitë zyrtare. Ai do të pritet rreth orës 10:30 me ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj për të vijuar me deklaratë për media rreth orës 11:45. Me rastin e vizitës së presidentit austriak, në orën 13:00 do të mblidhet edhe Kuvendi për një seancë të posaçme, ku do të mbajë fjalën përshëndetëse.

Përgjatë vizitës shtetërore Presidenti Van der Bellen do të zhvillojë takime të nivelit të lartë, si dhe do të marrë pjesë së bashku me Presidentin Begaj në një forum ekonomik me përfaqësues të biznesit austriak në Shqipëri.


Rreth orës 17:30 me prezencë të Presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, Ministres së Drejtësisë, Alma Zadić dhe Ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë Ulsi Manja, Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA) do të realizojë një tryezë diskutimi me institucionet që kanë përfituar projekte në fushën e drejtësisë.

Në axhendë është parashikuar nënshkrimi i “Deklaratës të Përbashkët” nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministri i Drejtësisë së Austrisë, Alma Zadić në prezencë të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Presidentit të Austrisë në Presidencë.

Vizita është tregues i mbështetjes së Austrisë për Shqipërinë por edhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Kjo vizitë vjen 9 vjet pas asaj së ish-Presidentit austriak Heinz Fischer në Tiranë.




Skip to toolbar