Protesta marshim e Opozitës së Bashkuar ka nisur e nga Sheshi “Skëndërbej” drejt Kryeministrisë, ku u mbajt edhe fjala e kryedemokratit Basha. Përveç disa tymueseve në drejtim të Kryeministrisë nuk ka pasur asnjë lloj incidenti, madje protestuesit nuk i janë afruar as kordonit të policisë. Më pas ashtu siç ishte paralajmëruar turma ka marshuar drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policë, ku situata është tensionuar. Në drejtim të institucionit janë hedhur tymuese dhe kapsolla duke thyer edhe disa xhama të ndërtesës si dhe është lënduar një efekti policie.
Më pas marshimi ka vijuar drejt Parlamentit ku ka pasur hedhje të kapsollave dhe shkulje të gardhit rrethues të ndërtesës nga protestuesit. Ndërsa konfrontime me policinë nuk ka pasur, madje as hedhje të gazit lotsjellës.
Ndalimi i radhës ka qenë tek Ministria e Brendshme duke simbolizuar kështu me radhë të gjitha institucionet që Basha i ka cilësuar të kapura nga krimi. Këtu situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur sulme ndaj institucionit të ministrisë.
Ndërsa gjendje është bërë shumë e ndezur para Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku qëndrojnë të burgosur edhe disa nga protestuesit e 11 majit.
Gjendja është tensionuar mjaft ku janë hedhur tymuese, kapsolla, janë thyer thuajse të gjitha xhamet e goditës dhe madje është hedhur edhe një bombë molotov. Protestuesit kanë thirrur “Rama Ik” dhe “Lironi vëllezërit tanë”.
Më pas protestuesit janë nisur drejt selisë së PD, ku Basha mbajti fjalën e tij përmbyllëse të protestës. Protesta ka nisur në orën 18:30 dhe ka mbaruar rreth orës 9:30