PS e prerë: “Zgjedhorja”, vetëm në Komision

AKTUALITET


Partia Socialiste është e prerë në lidhje me hartimin e Reformës Zgjedhore: ajo do të bëhet nga Komisioni ad-hoc i kësaj reforme. Këtë qëndrim e konfirmoi Taulant Balla, i cili u shpreh se reforma do të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa shtoi, se vetëm përmes përfshirjes në Komision do të vijohet puna për mbylljen e kësaj Reforme.

“Keqardhje për qëndrimin vijues destruktiv të Partisë Demokratike ndaj Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke dalë hapur kundër detyrave të vendosura nga Bundestagu gjerman. Lidhur me Reformën Zgjedhore, Bundestagu kërkon që “të merret vendim për reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR, sigurimi i nje financimi transparent te partive dhe fushatave zgjedhore si dhe te bazohet në rezultatet e Komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore”.


“E qartë kristal: vetëm përmes përfshirjes në Komision duhet të vijojë puna për përmbylljen e kësaj Reforme. Padyshim është i domosdoshëm konsultimi i të gjithë partive politike, por Kodi Zgjedhor do të kalojë përmes Komisionit dhe më pas pa humbur kohë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo”, është shprehur kreu i grupit të PS.

Në këtë mënyrë, duke i lënë derën e hapur opozitës për të marrë pjesë në komision, Tulant Balla i dërgon një mesazh grupit paralel që opozita ka ngritur për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Këto deklarata, numri dy i Partisë Socialiste i bëri nga qyteti i Elbasanit nga ku prezantoi vendimin e fundit të kryesisë së partisë për bashkëdrejtimin e degëve të PS nga një burrë dhe një grua.




Skip to toolbar