PS: Kolegji foli qartë, zgjedhjet më 30 qershor

AKTUALITET


Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se Kolegji Zgjedhor e bërë të qartë për të gjithë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. Në një reagim të tij në Twitter, Balla tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor duhet të respektohet nga të gjitha palët. 

“Tani është e qartë! Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 30 qershor! Të gjitha palët duhet të respektojnë Kolegjin Zgjedhor të Shqipërisë që urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.” shkruan Balla, i cili e shoqëron postimin me një shkrim të prestigjiozet New York Times për vendimin që Kolegji Zgjedhor vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve duke mos njohur dekretin e presidentit Meta për anulim të tyre. Më herët RealStory.al solli shkrimin e plotë të “New York Times” dhe “Washington post”, ku të dyja cilësojnë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky vendim ishte një fitore e ligjit dhe një ditë me bereqet, pasi vetë gjyqtarët e Saliut dhe Ilirit vendosën 5 më 0 që zgjedhjet të  mbahen më 30 qershor. Edhe vetë gjyqtarët e tyre e kanë kuptuar se nuk mund të luhet me demokracinë sipas oreksit të presidentit shtoi Veliaj.

“Një ditë me bereqet për drejtësinë dhe për demokracinë në Shqipëri. 5 me 0. Gjyqtarë të emëruar nga Saliu, gjyqtarë të emëruar nga Ilir Meta, jo gjyqtarët e reformës së re në drejtësi. Ata s’i kemi parë akoma, por edhe gjyqtarët e emëruar nga ata vetë arrijnë të kuptojnë se nuk mundet demokracia të jetë një sport që ndryshon sipas oreksit të presidentit”, tha Veliaj.

Më herët edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka komentuar vendimin e marrë të hënën nga Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Balluku ka deklaruar se vendimi i Kolegjit i jep fund amullisë së krijuar nga dekreti i Metës dhe se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Tani ky është një vendim i formës së prerë dhe është i pakontestueshëm.

 “Rëndësi kanë vendimet kushtetuese, vendimi i Kolegjit është i pakontestueshëm. Ne ndodhemi në fushatë zgjedhore të dekretuar nga Presidenti Meta. Në këtë rast mund të ishte dhe Gjykata Administrative, por Kolegji mendoj se ka të drejtën të shprehet në raste të tilla. E gjitha amullia e ngritur nga data e dekretit të Metës sot është larguar dhe kemi një vendim të qartë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Interpretimi i këtij vendimi është i pavend nga të gjithë ne”, është shprehur ministrja.

Sa i takon aksionit opozitar, i cili do të vijojë gjatë kësaj jave në të gjithë Shqipërinë, ministrja Balluku ka deklaruar se opozita prej muajsh po bën kërcënime, por duhet të bëjnë kujdes se po nxisin luftë dhe veprime jodemokratike.

“Zgjedhjet më 30 qershor nuk i vendosi qeveria Rama dhe as PS, janë zgjedhje brenda afateve kushtetuese të dekretuara nga Meta. Se çfarë do bëjë Shehi, nuk është në kuadër të një diskutimi serioz. Kërcënime të tilla janë bërë prej muajsh. Shehi apo kushdo tjetër nuk i ka seriozisht këto bërjet e luftës, duhet të kenë kujdes kur nxisin luftë dhe veprime jodemokratike”, është shprehur Ministrja Balluku.

Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit për t’u çregjistruar nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet. Me këtë vendim Kolegji lë në fuqi vendimin për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Vendimet e kolegjit në bazë të Kodit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe të zbatueshme nga të gjithë.  



Skip to toolbar