Pas kërkesës së rinovuar nga Komisioni Evropian në 27 Janar 2021, kompania farmaceutike AstraZeneca ka rënë dakord të publikojë kontratën e redaktuar të nënshkruar midis dy palëve në 27 Gusht 2020
Sot janë publikuar pjesë nga marrëveshja e nënshkruar mes BE-së dhe kompanisë farmaceutike AstraZeneca në 27 gusht 2020, për vaksinat anti-Covid. Në një deklaratë zyrtare thuhet se Komisioni mirëpret angazhimin e kompanisë për më shumë transparencë në pjesëmarrjen e saj në shtrirjen e Strategjisë së Vaksinave të BE.
“Transparenca dhe përgjegjësia janë të rëndësishme për të ndihmuar në ndërtimin e besimit të qytetarëve evropianë dhe për t’u siguruar që ata mund të mbështeten në efektivitetin dhe sigurinë e vaksinave të blera në nivelin e BE-së”, thekson KE.
Komisioni shpreson që të jetë në gjendje të publikojë të gjitha kontratat në marrëveshjet e Blerjes Paradhënie në të ardhmen e afërt.
Kontrata e botuar sot përmban pjesë të redaktuara që kanë të bëjnë me informacione konfidenciale siç janë detajet e faturave. Kontrata e AstraZeneca është e dyta që publikohet, pasi CureVac ka rënë dakord të publikojë Marrëveshjen e Blerjes Paradhënie me Komisionin Evropian.
Lëvizja vjen disa orë pasi shefja e KiE-së Ursula von der Leyen rriti presionin mbi kompaninë mbi vendimin e saj për reduktimin e shpërndarjeve të vaksinave në BE.

“Kontrata e nënshkruar në gusht përmbante urdhra detyrues”, tha von der Leyen për një radio gjermane dhe kërkoi shpjegime. Shumë pjesë të kontratës janë redaktuar, apo hequr, për të mbrojtur informacione të ndjeshme.
Pjesa kryesore e kontratës lidhet me pikën ku përplasen BE dhe AstraZeneca- klauzola e “Përpjekjeve më të mira të Arsyeshme”.
AstraZeneca thotë se klauzola nuk parashikon numër të detyrueshëm vaksinash, përkundrazi bazohet në përpjekjet më të mira. BE thotë se klauzola është detyruese.
Vaksina pritet të aprovohet nga Rregullatori i Barnave në BE. Marrëveshja mes palëve është bërë për 300 milion doza për vendet e Bashkimit Evropian, 100 prej të cilave do të shpërndaheshin brenda marsit.
Por tani kompania ka njoftuar se do të shpërndajë rreth 25 milionë doza vaksinash drejt vendeve të BE-së, për shkak të një defekti në prodhim.
