Rama apelon për dialog, Basha 5 pika për biznesin: Të mos paguajnë faturat e energjisë….

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama disa herë i ka bërë apel kreut të PD-së, Lulzim Basha që të ulet në bisedime më qeverinë dhe me strukturat e ngritura nga qeveria për përballimin e situatës së krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, por kreu i PD-së, e ka refuzuar këtë ftesë duke e cilësuar atë propagandë politike dhe ka shpalosur propozimet e tij nga facebook.

Gjatë ditës së hënë Basha ka propozuar 5 pika që sipas tij do t’i vijnë në ndihmë rimëkëmbjes së biznesit dhe nuk do të lejojnë që Durrësi të futet në një “dimër ekonomik”.


“Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Durrësit dhe zonave të tjera. Mijëra vende pune, biznesi i vogël dhe ekonomia prodhuese janë nën presion. Njësitë e hoteleri-turizmit përballen me rënie konsumi dhe i tremben reduktimit apo anulimit të prenotimeve.

Për të ndalur futjen e Durrësit në një “dimër ekonomik” me pasoja të rënda sociale që do të vinin nga reduktimi i numrit të të punësuarve, ulja e pagave të punonjësve dhe mbyllja e bizneseve, për të mundësuar një rigjenerim të ekonomisë prodhuese, shërbimeve dhe biznesit të vogël në zonat e dëmtuara, propozojmë këtë paketë të thjeshtë dhe realiste”, shkruan Basha.

Ai propozon anulimin e taksës së pasurisë dhe të gjitha taksave dhe tarifave vendore për periudhën e rindërtimit.

Përjashtimin e taksës për të ardhura për të gjitha subjektet që riinvestojnë nga fitimi për të rikuperuar dëmet e tërmetit.

Pezullimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e kërkesave.

Përjashtimi i TVSH në të gjitha materialet, lëndët e para dhe aktivitetet dhe kapitalet të përdorura për rikuperimin e dëmeve si dhe pezullimin dhe anulimin e pagesave të faturave të energjisë dhe ujit gjatë kohës së katastrofës natyrore.

Kryeministri Rama më herët e ka ftuar Bashën në takim në mënyrë që idetë dhe propozimet e opozitës të diskutohen në një tryezë ballë për ballë dhe të shmangen replikat në distancë. Por  PD në një përgjigje zyrtare për ftesën e Ramës për dialog, shprehet se shqiptarët nuk kanë nevojë për pasurimin e albumit fotografik të kryeministrit me Bashën në një tryezë, por ata duan ndihmë.

Gjatë periudhës pas tërmetit kreu i PD-së, Basha ka zhvilluar një tur takimesh me banorët e prekur nga tërmeti, nga ku ka shtuar akuzat drejtuar qeverisë për diskriminim të banorëve dhe  mungesën e ndihmave në disa zona.




Skip to toolbar