Ali Ahmeti, “Qytetar Nderi” në Tiranë: Shqipëria ka qenë e varfër, por na ka mbajtur në gjirin e saj

AKTUALITET


Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës.

Pas marrjes së titullit në ambientet e Bashkisë së Tiranës, Ahmeti mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit, që ishin ftuar për të nderuar kontributin e tij për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.


Ai tha se Shqipëria, ndonëse e varfër, ka treguar gjithmonë zemrën e ngrohtë për shqiptarët kudo që jetojnë.

“Dua t’ju falënderoj nga zemra, Kjo është Tirana e Adem Jasharit. Kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, kjo është Tirana e Fehmi Lladrovcit dhe e Xhevë Krasniqit. Kjo nëna, Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë, heronj të kombit, që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajtur. Unë dua t’ju falënderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha: Mos e falënderoni njëri tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj, vetëm puna e mbarë të thuhet për të gjitha punët që bëhen. Mirëpo, Shqipëria ka ndarë bukë, kripë e zemër më ne. Kosova sot është shtet, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues.”, tha ai.

Ai u zotua para kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, se do përpiqet të jetë qytetar i denjë i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës

“Ju falënderoj për këtë nder dhe Erjon do përpiqem të jem një qytetar i denjë. Unë këtë nder e ndajmë të gjithë bashkëluftëtarët e mi, patriotët të burgosurit politik në shtetin tim dhe në Kosovë. E ndaj me 3000 të vrarë që kam në vendin tim, që për këtë flamur janë vrarë, për këtë gjuhë janë vrarë. Ju më keni nderuar. Ju falënderoj shumë, suksese paçi në të gjithë fushëvepritmaritë e jetës”, tha Ahmeti.




Skip to toolbar