Avokati Arbër Hoxha thotë se thirrja e kryeministrit Edi Rama nga Gjykata e Posaçme, për çështjen “Partizani”, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme nga ana ligjore.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hoxha u shpreh se kreu i PD, Sali Berisha nuk e ka të lehtë procesin e pafajësisë.
Madje sipas avokatit, Berisha do dënohet.
“Duhet parë në dy këndvështrime, në aspektin ligjor dhe në aspektin politik. Në aspektin ligjor nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Mendoj se është strategji e mirë menduar, le t’i heqim kapelen mbrojtjes së zotit Berisha, për aq kohë sa kanë menduar ta thërrasin edhe zotin Rama. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Mbrojtja mund të thërrasë secilin prej dëshmitarëve, që e mendon të arsyeshme, për të provuar diçka në respektim të të drejtave dhe lirive procedurale që ia jep kushtetuta. Për aq kohë sa zoti Rama po thirret në rolin e dëshmitarit. Do shkojë vetë personalisht dhe nuk ka nevojë për avokat. Do pyetet për fakte dhe rrethana që ka lidhje me aktin administrativ. Fillimisht do pyetet nga ana e mbrojtjes, më pas nga ana e përfaqësuesve të organit të akuzës dhe do pyetet edhe nga ana e gjykatës. Nuk e besoj se zoti Berisha e ka të lehtë procesin e pafajësisë. Zoti Berisha do dënohet, ashtu siç e mendoj unë. Nuk besoj se do jetë hera e fundit që një kryeministër në detyrë të thirret si dëshmitar. Besoj se është lëvizje e duhur, zotin Berisha e tradhtoi edhe lesksiku i tij, që të ruante ftohtësinë”, theksoi ai./
