“Përfshirja e opozitës jo parlamentare në dialogun gjithëpërfshirës është e rëndësishme”, tha kryeministri Rama por shtoi se “nuk ka kohë për të humbur, nëse opozita nuk e ndjen presionin e kohës për tu ulur”. Rama tha se është i gatshëm të ulet kudo me opozitën për reformën zgjedhore, madje të shkojë edhe tek SHQUP-i, por nuk do të pres pafund Bashën që t’i mbushet mendja se koha për të vepruar është tani. “Nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon” tha Rama duke treguar edhe njëherë se pavarësisht dorës së shtirë për dialog, nëse PD nuk pranon, do të ta bëjë atë vetëm me opozitën parlamentare sipas rekomandimeve të OSBE.
Në lidhje më ndryshimin e sistemit elektoral, Rama u shpreh se gjërat do të diskutohen dhe nëse binden, patjetër që do të ketë një rishqyrtim të sistemit.
“Jam gati në çdo moment që të ulem në tryezë, do të doja që të flisnim për reformën zgjedhore, pasi koha vrapon, nëse ata nuk e ndiejnë presionin e kohës dhe janë në një kalendar tjetër është e drejta e tyre, nuk kam arsye t’u bëj presion, ‘hajdeni, hajdeni, hajdeni’. Jam këtu në çdo moment që ata dëshirojnë. Për të gjithë, çfarë ka në atë karvan, kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është çështje vendi, formati, apo imponimi të axhendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon. Por nuk e pres fare, ne vazhdojmë, ndërkohë që jemi gati në çdo moment të ndalojmë dhe të ulemi nëse ata duan që ne ta ndalojmë dhe të ulemi. Opozita në parlament ka një qasje të sajën të respektueshme dhe ne do e debatojmë, por duhet të mos humbasim asnjë sekondë për të plotësuar dy kushtet dhe fatmirësisht për reformën zgjedhore është shumë e qartë, sipas rekomandimeve të OSBE-së. Jemi gati të diskutojmë, nëse do të na bindin patjetër do ta rishikojmë sistemin” tha Rama për Report TV