Letra e Bashës për bankat, ekspertët në Real Story: Presion politik

AKTUALITET


Presioni i Bashës ndaj bankave, duke kërkuar që të mos financojnë PPP-të e qeverisë Rama është dënuar nga ekspertët e ekonomisë të ftuar nga gazetari Sokol Balla në Real Story në News 24, ndërkohë që PD duket se ka bërë një hap pas nga ky presion, pasi shefi i kabinetit Basha, Dorjan Teliti ka deklaruar se opozita nuk ka kërkuar ndalimin e financimit, por të zbatohen të gjitha kriteret.

“Nuk kemi kërkuar as të ndalohen as të bllokohen. Kemi kërkuar që të zbatohen të gjitha kriteret. Zoti Basha ka shprehur mbështetjen për çdo biznes që operon sipas legjislacionit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, opozita ka ngritur dyshime për biznese që kanë aktivitet të dyshimtë. Ne jemi për të vënë dorë aty ku ka hije dyshimi. Opozita ka kërkuar zbatim të projektit për një pastrim të bankave, që të qarkullojnë para të pastra e jo të qarkullojnë para me afera korruptive. Dihet që aferat korruptive dëmtojnë e deformojnë edhe tregun.”, tha Teliti. Eksperti i ekonomisë pranë PD kujtoi se opozita ka lajmëruar se kur të vijë në pushtet, do të rishikohen kontratat koncesionare korruptive, jo të gjitha PPP-të.


Megjithatë, ky qëndrim i Telitit duket një tërheqje e PD, duke pasur parasysh faktin se Basha, në letrën e tij kërkoi që bankat të mos financojnë projektet e qeverisë pasi janë të korruptuara dhe madje sipas Bashës pastrojnë paratë e krimit dhe të drogës. “Mos rrezikoni me financimin e PPP-ve që pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit! Do t’i anulojmë!”, kështu shkruan Basha në letrën drejtuar bankave në Shqipëri. Basha ia ka dërguar letrën edhe Guvernatorit të Bankës se Shqipërisë, përmes të cilës “shpreh shqetësimin e opozitës lidhur me përpjekjet e shumë aktorëve për të pastruar shuma të mëdha parash nëpërmjet aktiviteteve të licencuara apo të kontrolluara nga sektori publik”.

Ndërsa eksperti Adrian Civici tha se partitë politike gjithmonë kanë pasur tendenca për të ndërhyrë në sektorin bankar. Por, sipas tij, bankat gjithmonë janë të kujdesshme kur vjen puna e lëvrimit të kredive ndaj subjekteve të ndryshme. Sipas tij, gjuha e përdorur nga kryetari i PD Lulzim Basha vë me shpatulla pas murit biznesin.  “Kur jep një kredi, është kolatereali apo garancia ajo që banka merr parasysh. Politika e shqiptare e ka bërë në 30 vjet, që politika mendon se ajo ka shkopin magjik dhe vendos të ndërhyjë në çdo institucion, përfshirë edhe sektorin bankar. Në shumicën e rasteve ai që merr vendimin është sistemi gjyqësor. Shqetësimi që kam është: ku fillon dhe ku mbaron influenca e  forcave politike në raport me ligjin”, tha Civici.

Edhe profesori i ekonomisë, Arben Malaj ka qenë tejet kritik për letrën e Bashës, duke theksuar se letra nuk duhej drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. “Unë nuk i quaj PPP por i shtoj dhe një “P” tjetër: Partnerit Publik-Privat i Preferuar. Megjithatë, u ndjeva keq kur pashë që letra i ishte drejtuar dhe Guvernatorit. Sistemi bankar nuk është treg domatesh. Një letër i drejtpërdrejtë e liderit të opozitës ndaj bankave nuk i shkon një lideri aq më tepër një kryetari të opozitës së bashkuar, që është edhe e djathtë. Kjo sepse bankat kontrollohen nga Banka e Shqipërisë.”, tha Malaj.

Ndërsa dekani i fakultetit ekonomik në Universitetin Luarasi, Meto Spaho vuri në dukje se biznesi nuk ka nevojë për kërcënim. “Jemi në një situatë kur duhet transparencë për të gjithë projektet. Edhe partitë politike bëjnë mirë që kanë ngritur shqetësime. Një bankë është vështirë shumë që të financojë vetëm një rrugë si në Balldren, në Orikum etj. Problemi këtu është se mungojnë shifrat. Brenda siglës PPP vendosen shumë praktika duke hapur pikëpyetje, duke mos publikuar shifra, cilësinë e punimeve dhe ndaj lindin dyshime. Prandaj, mendoj se duhet debat publik që të marrim shifrat dhe të bëhet transparencë. Pra vetëm transparenca mungon”, tha ai.




Skip to toolbar