Rama ndjek stërvitjen e kombëtares: Gjithnjë kuqezi

AKTUALITET


Pak orë para ndeshjes që do të zhvillohet mbrëmjen e së martës mes kombëtares shqiptare dhe Islandës, pas humbjes së rëndë që pësoi në Francë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ndjekë live stërvitjen e futbollistëve kuqezinj.

Më pas ai ka zbritur në fushën e blertë dhe ka zhvilluar një takim me ekipin kombëtar të futbollit në kompleksin ku ata janë stërvitur.


Rama është takuar me lojtarët dhe trajnerin Reja të cilëve u ka shprehur besimin se ata do arrijnë një rezultat pozitiv në ndeshjen  e mbrëmjes së të martës (sonte).

Me një shënim në “Facebook”, shefi i qeverisë  ka shpërndarë një mesazh të koduar, ndërsa thekson se Kombëtarja nuk duhet mbështetur vetëm kur triumfon. Sipas kryeministrit, nata e marta është çasti kryesor i Kombëtares për të treguar se sa vlen. “Kur fitojnë mbajnë radhë të të tregojnë sa të duan, kur humbet e ke ti radhën t’u tregosh se sa vle. Gjithnjë Kuqezi”, shkruan Rama.

Më herët edhe presidenti Meta i dha zemër futbollistëve të Kombëtares duke kërkuar mbështetjen e të gjithë tifozëve. “Shpesh tifozët kërkojnë vetëm fitore, por topi është i rrumbullakët. E di që shumë tifozë janë mërzitur nga humbja me Francën, kampionen e botës, por mos harroni si humbi Brazili me Gjermaninë 1-7. Le të mësojmë dhe nga tifozët e Kosovës, që pikërisht kur ekipi është në disavantazh, ndizen më shumë në përkrahjen e ekipit. Sot në “Elbasan Arena” me Kuqezinjtë!”, shkruan Meta në facebook.

Në ndeshjen e së shtunës kombëtarja shqiptare humbi me rezultatin 4 me 1 me kombëtaren e Francës që është kampione bote në fuqi, ndeshje e cila u karakterizua edhe nga një gafë e federatës franceze të Futbollit që ngatërroi himnin shqiptar.




Skip to toolbar