“S’kam më lokal, nuk bëj më sherr”, Mihal Kokëdhima kërkon lirinë

AKTUALITET


Gjykata e Vlorës ka rrëzuar kërkesën e Mihal Kokëdhimës për të dalë nga burgu duke mos pranuar argumentet e tij, siç ishin një sërë raportesh mjekësore por edhe fakti se ai tani nuk ka më lokal dhe nuk ka më arsye për t’u konfliktuar.

Nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Kokëdhima ka parashtruar në gjykatën e Vlorës disa raporte mjekësore të spitalit të Janinës, duke tentuar të bindin gjyqtaren se Kokëdhimës i rrezikohet jeta gjatë qëndrimit në burg, pasi sëmundja e zemrës mund të sjellë përkeqësimin e shëndetit.


Kokëdhima ka parashtruar në gjykatë se nuk shfaq asnjë rrezikshmëri shoqërore, pasi sipas tij menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes lokali i tij është prishur dhe për pasojë askush nuk duhet të ketë më frikë se ai do të bëje konflikt me ndokënd. Kjo pasi sipas Mihal Kokëdhimës lokali i tij “Panorma” është prishur. Një tjetër argument që ka ngritur Kokëdhima në gjykatë, është dhe fakti se prokuroria e Vlorës gjatë kësaj kohe ende nuk ka kryer një ekspertim financiar mbi dëmin e shkaktuar në prishjen e pronës së personave të përfshirë në konflikt.

Mihal Kokëdhima, u bë i famshëm për opinionin publik për shkak të kërcënimit që i bëri turistëve spanjollë. Vetëm pak kohë më herët pamjet e frikshme ku Kokëdhima shfaqej mbi makinën e turistëve spanjollë u bënë virale në rrjet.

E gjithë ngjarja ndodhi në lokalin e tij Panorma, në Porto Palermo, ku familja spanjolle e biznesmenit Eugenio Galdon që kishte mbërritur në Shqipëri për turizëm refuzoi të paguante Kokëdhimën për shkak të shërbimit të keq. Ai u përplas fizikisht me turistët duke i thyer xhamin e makinës. Kokëdhima u vu në pranga nga policia për këtë ngjarje, ndërkohë që lokali i tij u shemb për shkak se ishte ndërtuar pa leje.




Skip to toolbar