Rama: Ngrejmë Gjykatën Kushtetuese dhe shkarkojmë Metën, do dialogoj!

AKTUALITET


Mazhoranca është e vedosur ti shkojë deri në fund shkarkimit të Ilir Metës si President i Republikës. Pas hapit të marrë sot për nisjen e procedurës për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se do të ngrihet edhe Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që kjo e fundit të gjykojë vendimin e Parlamentit për shkarkimin e presidentit.

“Procedurat e shkarkimit kanë nisur. Ato nuk do të ndalen deri në votimin e shkarkimit, patjetër. Pastaj natyrisht do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese të marrë në shqyrtim argumentat e shkarkimit dhe të nxjerrë vendimin përfundimtar. Kështu e thotë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Është një Gjykatë Kushtetuese që është pastruar nga llumi që e kishte fundosur moralisht, falë vettingut dhe që do të rikrijohet dhe ri organizohet me kandidatura që do të vijnë për gjykim pasi të kenë kaluar procesin e vettingut dhe të kenë dalë të pastër prej tij. Pra është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv dhe muajt e tranzicionit apo koha e tranzicionit nga pastrimi tek rikrijimi janë të pa shmangjshme”, ka thënë Rama në emisionin televiziv.


Kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk do të largohet kurrë nga protestat apo çfarëdolloj forme që përjashton votën e popullit, por, kreu i ekzekutivit, i ka lënë derën e hapur dialogut, duke diskutuar për interesa të përbashkëta, pa vendosur barrikada.

“Se unë jam kryeministri i vendit. Nuk diskutohet që nuk ka asnjë shans që me protesta dhe me çfarëdolloj forme që përjashton votën e popullit unë të largohem apo qeveria të largohet. Qeveria ka 1001 e punë për të bërë çdo ditë”, ka thënë Rama. “Për këto interesa të përbashkëta unë kam qenë gjithmonë i gatshëm për dialog, në çdo sekondë, por nga ana tjetër ka gjëra që bëhen në tavolinë, ka gjëra që bëhen me garë. Gara nuk mund të zëvendësohet nga tavolina”, ka shtuar ai.  

Më tej, Rama ka shtuar se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, ndërsa për aktet e dhunës, që opozita ka nisur të kryejë dhe ka paralajmëruar se do të zhvillojë datën e zgjedhjeve, kryeministri thotë se ato do të ndëshkohen

“Ekzakt, interesi i vendit kërkon që më 30 qershor të bëhen zgjedhje dhe interesi i vendit kërkon që këto gabime të paguhen dhe të mos kalojmë si të shkuara e të harruara, siç kanë kaluar herë të tjera”, ka thënë Rama. “Janë deklarata të mjaftueshme për të qenë të shqetësuar se deri ku mund të shkojnë këta njerëz, por janë edhe më të mjaftueshme për të qenë të vendosur për të qëndruar deri në fund ndaj kësaj vale haxhiqamiloide”, është shprehur ndër të tjera.




Skip to toolbar