Rama sulmon PD: Të papërgjegjshëm, vunë partinë mbi shëndetin

Më të fundit


Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Fushata e PS ka nisur në sheshin “Skënderbej”, ku siç shihet në shesh janë vënë karrige me distancë, duke zbatuar masat anti-Covid.

Aty ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama, i cili pritet të mbajë fjalën e tij. Fushata e PS është hapur me Himnin e Flamurit, të kënduar nga Vikena Kamenica.


Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama është ndalur te situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, duke mos lënë pa sulmuar edhe fushatën elektorale të PD në Sheshin “Nënë Tereza”, ku ishin mbledhur shumë simpatizantë e mbështetës të forcës më të madhe opozitare. Rama tha se në fushatën e tij shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka, edhe mbi partinë, ndërsa sipas tij, te fushata e PD, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve.

Fjala e kryeministrit Edi Rama:
E marr me mend shumë mirë se cfarë po mendoni në këtë moment, kush duron tani, edhe sa të mbarojë ky që kur fillon flet, nuk mbaron. Megjithatë, jemi bashkë, që vuajtjet t’i kalojmë bashkë. Edhe pse në këtë rast unë jam duke lëvizur, kurse ju do vazhdoni të qëndroni ulur, pa lëvizur. Sot ne nisim në fakt fundin e një fushate që nuk ka ndaluar në asnjë moment, qysh nga dita që kemi marrë mandatin tonë të parë, sepse ndryshe nga c’ndodhte në të shkuarën, ne që prej ditës së parë kemi qenë në lëvizje dhe në përpjekje të vazhdueshme, por sidoqoftë sot zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit. Ne jemi këtu të gjithë së bashku për të respektuar me mish e me shpirt këtë moment, ku demokracia na imponon daljen përpara popullit. Themi cfarë ne mendojmë se kemi bërë dhe ndajmë me njerëzit atë që mendojmë se do bëjmë. Në një moment si ky, sot ne që jemi mësuar të kalojmë përmes këtyre detyrimeve, që janë një nga pjesët më të bukura të jetës politike, kur shkon te njerëzit, je me njerëzit dhe bashkë me ta ndanë energjinë e madhe që prodhon një ndeshje, jemi faktikisht të cuditshëm. Jemi të cuditshëm, se e tillë është koha. Ndryshe nga herët e tjera, jemi këtu duke bërë përpjekjen tonë serioze që ne ndërkohë që bëjmë detyrën, të respektojmë edhe rregullat e kësaj kohe. besoj që bëjmë shumë mirë, ashtu sikundër besoj që në këtë veçori të paparë më parë e të papërsëritshme, uroj në pjesën tjetër të jetës tonë që vjen, ta shohim si një moment që na jep mundësinë të bëjmë një fushatë, ku jo vetëm flasim, por edhe dëgjohemi, ku fjala peshon shumë më tepër se gjuajtja e saj përballë një turme të madhe, dhe ku njerëzve u jepet mundësia të ndjekin me kujdes e qetësi ato që themi. Është një sfidë më vete e gjithë kjo. Besoj se në këtë sfidë ne bëjmë një dallim shumë të madh, që po e bëjmë edhe sonte. Praktikisht sonte ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina, në një ekran televizori të ndarë. Mjafton t’i shohësh për të kuptuar ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që na ndan. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe i kemi pranuar të gjithë, e që mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit. Kjo është fytyra e fushatës sonë, fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore, familjare, atje sundon papërgjegjshmëria, në atë kartolinën e tyre. Këtu shëndeti i njerëzve është si cdo ditë mbi gjithçka tjetër, dhe mbi partinë patjetër. Ndërsa atje partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve.




Skip to toolbar