Reja nis sot përgatitjet për sfidën me Katar

Më të fundit


Përfaqësuesja e Shqipërisë do të shfrytëzojë shtyrjen e javës së 12-të të Superiores për të nisur grumbullimin ditën e shtunë. E gjitha në funksion të miqësores me Katar. 23 lojtarët e seleksionuar nga tekniku Edoardo Reja do të kenë stërvitjen e parë në kompleksin Tropikal në Durrës. Kuqezinjtë do të qendrojnë aty deri të martën, kur do të niset për në Marbella të Spanjës.

Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka shpallur listën me emrat e 23 lojtarë të ftuar për miqësoren e 9 nëntorit ndaj Katarit. Pjesë e grupit janë pjesa më e madhe e lojtarëve që ishin edhe në miqësoren me Arabinë Saudite të luajtur më 26 tetor në Abu Dabi, ndërkohë që këtë herë mungojnë disa nga lojtarët që aktivizohen me klubet e huaja.


I vetmi legjionar në këtë listë është Kristal Abazaj. Ish-wingeri i Kukësit, tani aktivizohet në kampionatin turk me klubin e Istanbulspor. Të gjithë futbollistët e tjerë aktivizohen në kampionatin shqiptar teksa për herë të parë janë ftuar lojtarë si Herald Marku, Serxho Ujka, Mario Dajsinani apo Arbin Zejnullai.

Ndeshja miqësore Shqipëri-Katar do të luhet pikërisht në stadiumin e Marbellas dhe do të nisë në ora 18:30. Kjo do të jetë përballja e tretë në histori mes Shqipërisë dhe Katarit, që të gjitha në ndeshje miqësore. E para daton në 2012, kur ndeshja e luajtur në Tiranë u mbyll me fitoren 2-1. Katër vjet më vonë, sfida u përsërit, por rezultati ishte më i sigurtë. Kuqezinjtë u imponuan 3-1 në takimin e 29 maj 2016.




Skip to toolbar