Rriten 30-fish rastet me fruth në Europë, OBSH: Nevojiten masa urgjente për të parandaluar përhapjen

BOTA


Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet e fruthit në Evropë u rritën 30-fish vitin e kaluar. OBSH paralajmëron se rastet janë ende në rritje dhe nevojiten masa urgjente për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Mbi 30,000 njerëz u infektuan në 2023, krahasuar me 941 gjatë 2022.

OBSH beson se kjo është rezultat i më pak fëmijëve që janë vaksinuar kundër sëmundjes gjatë pandemisë së koronavirusit. Duke folur për situatën në Evropë, Dr Hans Kluge, drejtor rajonal në OBSH, tha:

“Ne kemi parë jo vetëm një rritje 30-fish të rasteve të fruthit, por edhe afro 21,000 shtrime në spital dhe pesë vdekje të lidhura me fruthin. Kjo është shqetësuese. Vaksinimi është mënyra e vetme për të mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje potencialisht e rrezikshme”.

Fruthi mund të jetë një sëmundje serioze. Shpesh fillon me një temperaturë të lartë dhe skuqje, e cila normalisht largohet brenda 10 ditëve por ndërlikimet mund të përfshijnë pneumoni, meningjit, verbëri dhe konvulsione. OBSH tha se fruthi kishte prekur të gjitha grupmoshat vitin e kaluar, të rinj dhe të moshuar.

Në përgjithësi, dy në pesë raste ishin te fëmijët e moshës 1-4 vjeç dhe një në pesë raste ishin të rriturit e moshës 20 vjeç e lart. Midis janarit dhe tetorit 2023, 20,918 njerëz në të gjithë Evropën u shtruan në spital me fruth. Në dy vende u raportuan gjithashtu pesë vdekje nga fruthi./abcnews.al



Skip to toolbar