Hajdari: Hetim ndërtuesve dhe anulim koncensioneve

AKTUALITET


Rudina Hajdari kërkoi në fjalën e mbajtur të enjten në seancën parlamentare që ndërtimet e dëmtuara nga tërmeti të mos shemben pa u bërë një hetim i plotë për ndërtuesit dhe pa vënë përgjegjësit përpara drejtësisë. Hajdari gjithashtu i kërkoi qeverisë që të anulojë kontratat koncensionare dhe paratë t’i përdorë për përballimin e situatës pas tërmetit, kërkesë kjo e bërë më herët edhe nga kreu i PD-së, Basha, por që është refuzuar nga kryeministri Rama, i cili edhe në mbledhjen e qeverisë që zhvilloi mëngjesin e së enjtes tha se nuk do të preken shërbimet që ofrohen përmes koncensioneve dhe se fondi për rindërtimin do të jetë i ndarë nga buxheti.

Rudina Hajdari kërkoi më shumë ndihma në drejtim të qytetarëve të mbetur të pastrehë.


“Buxheti duhet të rishikohet. Inspektimi i ndërtesave të zbatohet e mos lejohet shembja pa u bërë hetimi i plotë për çdo ndërtesë. Rindërtimi të nisë sa më shpejt, që të fillojmë shërimin e kësaj plage shoqërore. Duhen marrë masat për plotësimin e legjislacionit. Pasojat nuk përmbyllen në një ditë, ajo që mund të bëjmë është të ndihmojmë çdokënd që është i prekur. Sot ka ende nevojë për ushqime, strehim, pavarësisht kontributeve, ndihma nuk ka ardhur në shërbim të barabartë për të prekurit. Ka ende kërkesa për strehim.

Kanë qenë kontributet vullnetare që kanë ardhur si ndihmë e parë. Ndihem e revoltuar dhe e shqetësuar, shumë familje nuk kanë ndihma, janë ende pa çadra. Thirrje kujtdo, ndihmat mos të centralizohen në një zonë. Nuk duhet të lëmë asnjë në rrugë, e asnjë fshat pa prekur. Gjëja e parë që qytetarët kërkojnë është procesi i revlerësimit të banesave. I kërkojmë qeverisë të vërë çdokënd në dispozicion. Shembja është një akti kriminal, përbën provë materiale për hetime penale.

Kjo situatë s’mund të shkojë pa mbajtur përgjegjësi. Qeveria nuk mund të anashkalojë këtë transparencë këtë herë. Meqë jemi në gjendje fatkeqësie, duhet të nisim nga anulimi i kontratave koncensionare. Të bëjmë çdo për t’ju gjendur pranë qytetarëve e të lemë metodat e vjetra të propagandës. Historia do marrë me vete abuzuesit e ata që do vjedhin. Nuk ka më kohë për fjalë por vetëm për vepra”, tha Hajdari në fjalën e saj.




Skip to toolbar