Sejko mbledhje online me FMN: Ekonomia rimëkëmbet gradualisht në 2021 dhe 2022

EKONOMI


Guveranatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një mbledhje online me misionin e FMN ku ndanë pikëpamjet e tyre lidhur me ekonominë shqiptare.

Si Sejko dhe FMN ishin në një mendim se ekonomia shqiptare dhe ecuria e PBB do të kenë rritje graduale gjatë vitit 2021 dhe 2022.


Sipas tyre, shpresat janë tek sektori i turizmit që pritet të ketë një kontribut të lartë në këtë rritje.

NJOFTIMI NGA BANKA E SHQIPËRISË
Në kuadër të monitorimit post programor, në datën 9 mars 2021, Guvernatori Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, zhvilluan takimin përmbyllës online me Misionin e FMN-së në Shqipëri të përfaqësuar nga zj. Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, pikëpamjet mbi perspektivat makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar dhe çështjet e sistemit bankar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe përgjigjet e autoriteteve rregullatore në këtë drejtim, si dhe pritshmëritë për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.
Në krye të takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare gatë gjysmës së parë të vitit 2020 ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë dhe ambientit të pafavorshëm të huaj, megjithatë aktiviteti ekonomik në vend ka shfaqur tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit.
Lidhur me sektorin bankar në vend, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar. Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm.
Guvernatori Sejko shtoi se tregjet financiare kanë vijuar të funksionojnë normalisht: kursi i këmbimit paraqitet i qëndrueshëm; normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike; dhe kreditimi është rritur. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Ai theksoi se vijimi i rolit aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike.
Më tej, Guvernatori u shpreh se në përgjigje të krizës së krijuar nga pandemia dhe për të zbutur efektet negative të saj, të gjithë aktorët publikë në vend morën masa ekonomike të koordinuara në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial. Rikuperimi i ekonomisë u ndihmua nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Nga Banka e Shqipërisë u morën masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Gjithashtu kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike.
Banka e Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar ndanë të njëjtat parashikime lidhur me perspektivën ekonomike dhe me ecurinë e PBB-së, e cila pritet të rimëkëmbet gradualisht në vitet 2021 dhe 2022, ku një ndër sektorët që pritet të ketë një kontribut të lartë në këtë drejtim është ai i turizmit. Megjithatë ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga evolucioni i pandemisë dhe shpejtësia e vaksinimit të popullsisë.
Në përfundim, misioni i FMN-së falënderoi Guvernatorin dhe ekipin e Bankës së Shqipërisë për diskutimet e hapura dhe të frytshme.




Skip to toolbar