SHBA-të kërkojnë me ngulm ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë. Kjo është kërkesa primare, të cilën zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer e përsëriti jo pak, por 3 herë në intervistën dhënë të enjten për VOA.
“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”, u shpreh Palmer, ndërsa theksoi më tej se kjo gjykatë do t’i shërbejë vendit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike brenda këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë.
Ai gjithashtu theksoi se “ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit”.
Ky mesazh i qartë i Palmerit duket se i drejtohet presidentit Meta dhe opozitës që mbështet të drejtën e presidentit për të përzgjedhur dhe emëruar gjyqtarët në Gjykatën e Lartë. Meta pak kohë më herët sulmoi hapur misionin ndërkombëtar të EURALIUS i cili propozoi emërimin e anëtarëve të përkohshëm, në Gjykatën e Lartë, të cilët kanë kaluar procesin e vettingut. Sipas presidentit, kjo zgjidhje e propozuar nga nga misioni ndërkombëtar i BE-së është në shkelje të Kushtetutës, pasi anëtarët e kësaj gjykate duhet të propozohen nga presidenti Meta. (Kujtojmë se propozimet e Metës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pas një verifikimi të bërë nga realstory rezultonin të shkarkuar nga vettingu).
Edhe Partia Demokratike i ka dalë në krah presidentit për këtë çështje dhe ka reaguar pas caktimit të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. PD e cilëson këtë vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor në kundërshtim me Kushtetutën.
“Caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës”, thuhej në deklaratën e PD-së.
Pra si presidenti ashtu edhe opozita kanë një qëndrim bllokues ndaj përpjekjeve të KLGJ-së për të bërë funksionale Gjykatën e Lartë që siç duket qartë është një nga kërkesat primare të SHBA-së.
Sistemi i ri i Drejtësisë, i mbështetur nga ndërkombëtarët, po përpiqet me të gjitha mënyrat që ta bëjë funksionale këtë gjykatë edhe duke zgjedhur gjyqtarë të përkohshëm që kanë kaluar vettingun dhe janë konfirmuar në detyrë; një zgjidhje kjo që do të zhbllokonte edhe çështje që kanë të bëjnë me ekstradimin (mos valle mund të prekë edhe Bashën i cili është nën hetim në SHBA?)
Pra Palmeri përmes deklaratës së tij la te kuptonte se: Ne e dimë që ju po përpiqeni të sabotoni vënien në punë të Gjykatës së Lartë, por ne e kemi aty fokusin dhe nuk do t’ju lejojmë që ta bllokoni. Përkundrazi do ta ngremë sa me shpejt se na duhet në punë….
Në fakt e vërteta është se Gjykata e Lartë me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare do të jetë funksionale në shtator. Lajmi është bërë i ditur pak kohë më parë nga kryetarja e KLGJ, Llagami, ndërkohë që KLGJ ka vendosur së fundi të caktojë katër gjyqtarë të përkohshëm për Gjykatën e Lartë, duke çuar përpara procesin për ngritjen e këtij institucioni./Realstory.al