Shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dhënë sinjale pozitive se do të jetë në krah të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Të paktën kështu kuptohet nga një lajm i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku thuhet se Ministri Gent Cakaj ka zhvilluar një takim me ministrin spanjoll, i cili i ka shprehur mbështetjen për integrimin e Shqipërisë.
“Gjatë qëndrimit në Tatra të Sllovakisë, Cakaj zhvilloi gjithashtu takim me Ministrin e Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit të Spanjës Josep Borrell, i cili vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e Shqipërisë përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Borrell siguroi për mbështetjen e Spanjës lidhur me hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shprehur qëndrimin spanjoll se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian. Cakaj konfirmoi gjatë takimit se Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike për të filluar këto negociata dhe është e bindur se hapja e negociatave me BE-në është mëse e merituar”, thuhet në njoftimin e MEPJ.
Ky qëndrim i Josep Borrell, është bërë gjatë Takimit Informal të Minstrave të Jashtëm të OSBE-së në Sllovaki, ku sipas Ministrisë tonë të Evropës dhe Punëve të Jashtme, edhe Austria, spanja dhe Suedia janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. “Nga ana e tij Cakaj u shpreh se marrja e vendimit pozitiv do t’i japë një impuls të ri angazhimit të Shqipërisë për të vijuar më tej me reformat. Ministri në Detyrë Cakaj tha se reforma në drejtësi në Shqipëri është e paprecedentë dhe se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë reformat”, shkruhet dër të tjera në njoftimin e ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.