Sherr kunatash në Dibër, motrat marrin armën dhe rrahin nusen e vëllait

AKTUALITET


Sherr kunatash mes njëra tjetrës mund të dëgjosh raste të ndryshme, por që gratë të marrin armët e të kërcënojnë njëra tjetrën është një rast i rrallë. Kështu ka ndodhur në Dibër, ku kunatat janë zënë njëra me tjetrën dhe motra e njërës prej dy protagonisteve ka marrë armën për ta kërcënuar duke i dalë në krah motrës së vet.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur të hënën në Dibër, kur pre e dhunës psikologjike dhe fizike ka rënë një nuse e re, 28 vjeçe. Në shtëpinë, ku ajo jeton me bashkëshortin dhe vjehrrën kanë ardhur dy kunatat e saj, motrat e burrit, njëra me banim në Dibër të Madhe dhe tjetra në Kukës. Dy motrat, me iniciale Sh.D., 45 vjeçe banuese në Dibër tw madhe dhe Z. M. 31 vjeçe, banuese në Kukës, kanë nisur një debat me nusen e vëllait, A. D. 28 vjeçe. Në debat e sipër, Sh. D. ka rrahur nusen e vëllait me çfarë i ka dalë para, ndërkohë që po në ato momente, kunata tjetër ka marrë armën e gjahut të babait të tyre dhe e ka kërcnuar se do e vriste 28-vjeçaren.

Pas kësaj ngjarje të rëndë, policia ka shkuar në vendin e krimit dhe ka marrë kallëzimin e 28-vjeçares, duke arrestuar dhunuesen 45-vjeçare, ndërkohë që ka vendosur të ndjekë penalisht në gjendje të lirë motrën e saj 31-vjeçare, e cila kishte kërcënuar me armën e gjahut. Policia shpjegoi se ajo është ndjekur penalisht në gjendje të lirë, pasi nga verifikimi ka rezultuar se arma e gjahut nuk ka pasur fishekë.

Gjithsesi, policia tha se po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë, e cila mendohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

Arma e sekuestruar pas sherrit të kunatave


Skip to toolbar