Alarmi: U porositën vrasje nga qelia

AKTUALITET


Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ka raportuar në Komisionin e Sigurisë mesditën e kësaj marte mbi situatën në burgje. Ismaili pranoi se situata e sigurisë në burgje është e vështirë duke dhënë edhe alarmin se ka pasur raste që janë porositur vrasje nga burgu, ndërsa shtoi se shumë shpejt do të nisë implementimi i sistemit 41-bis.

“Janë porositur vrasje nga burgu, do raportohen në Prokurori. Jemi gati të implementojmë sistemin 41 bis në burgje. Ky sistem ka synim masën ndëshkuese për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë. Kemi 32 të ndëshkuar për thyerje të rregullave të burgut. Ka një ulje të të dënuarve në burgje. Është dyfishuar fondi për uniformat në vitin 2019. Kemi investuar në spitalet e burgjeve”, tha Ismaili, por pa dhënë detaje mbi kohën dhe numrin e rasteve të identifikuara nga siguria në burgje.


Megjithatë, Ismaili tha se një nga vështirësitë e tij si drejtues ka qenë zbatimi i rregullit të telefonatave. Sipas ligjit, një i burgosur ka të drejtë që të kryejë 8 telefonata në muaj, por një gjë e tillë nuk është respektuar nga të burgosurit.

“U kemi kërkuar të burgosurve të deklarojnë 10 numra se më kë ata do të flasin. Do të kufizohet koha dhe telefonatat që ata bëjnë”, tha kreu i burgjeve.  Ai është ndalur të flasë edhe për trajtimin e të burgosurve “VIP”, ku ka theksuar se në burgje ekziston ende diskriminimi brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit, sipas së cilit po punohet në këtë drejtim për t’i dhënë fund këtij fenomeni. “Problemi i parë që kam hasur është trajtimi shëndetësor në burgje. E dyta është lufta ndaj diskriminimit në burgje, për t’i dhënë fund praktikës që një i burgosur “VIP” përdor sistemin apo për të pasur benefite, për t’i dhënë fund dhe secili të vuajë dënimin si gjithë të tjerët”, u shpreh Ismaili, ndërsa shtoi se janë bërë lëvizje të burgosurve që të vuajnë dënimin në burgje pranë vendbanimeve.

I pyetur lidhur me ngjarjen në Kavajë, kur efektivi i burgjeve, Bledar Toci vrau me armën e shërbimit një person, kreu i burgjeve, Ismaili tha se ajo është një ngjarje, që s’kishte lidhje me detyrën në burgje në dukje. “Ato që u lexuan në media, nisur nga fakti që ka një çështje për drogë, ka një listë të shtuar të punonjësve të burgje për trafik droge, që u sjellin të burgosurve ato që duan! Nuk është dënuar askush për këtë. Është çështje që duhet ta bëjmë me prokurorinë”, tha Ismaili.




Skip to toolbar