Shqipëria del nga monitorimi i KiE/ Gjylameti: Përshpejton integrimin në BE, grekët përdorin ende rastin Beleri. Basha nuk votoi…

Më të fundit


Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti e konsideron një lajm shumë të mirë, daljen e Shqipërisë nga monitorimi i Këshillit të Evropës për të drejtat i njeriut dhe se kjo do të shërbejë për përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Gjylameti u shpreh se votimi ishte unanim, sa i takon eurodeputetëve të cilët ishin prezentë, por shtoi se grekët e përdorin sërish rastin e Fredi Belerit, për të mos mbështetur daljen e Shqipërisë nga monitorimi.


Gjylameti shtoi se Lulzim Basha nuk u angazhua, teksa nuk qëndroi për të votuar.

“Sapo përfunduam votimin dhe ishte një votim unanim. Praktikisht është një vlerësim për punën që ka bërë qeveria shqiptare, institucionet shqiptare, parlamenti shqiptar, në 3 shtylla kryesore, shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut. Është një nga lajmet më të mira që ne marrim. Shërben dhe ndihmon shumë për të përshpejtuar procesin integrues në Bashkimin Evropian. Janë 3 shtylla kryesore që Këshilli i Evropës rekomandon dhe ia përcjell Bashkimit Evropian, për këto 3 shtylla lidhen drejtpërsëdrejti me pjesën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo shërben si raport për pjesën e Bashkimit Evropian gjatë procesit të negociatave.

Jo, sot përfundoi i gjithë procesi i vlerësimit të Shqipërisë. Nuk monitorohemi në mënyrë të përvitshme, por vazhdojmë me periudhën post monitorimi. Është një rezultat fantastik që kemi arritur. Ky raport sot dhe ky vlerësim, njeh të gjitha rezultatet që kemi arritur. Është lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Këto progrese që kemi arritur, shërbejnë si dokumenta për të vijuar në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Kur flasim për votë unanime, flasim për ata që ishin prezent. Për pjesën e votave greke, vijon ende përdorimi i rastit, rasti i zotit Beleri është ngritur si një ndër rastet kryesore për të pasur debate për mos mbështetjen e raportit të bërë nga zoti Stroe, për të propozuar që të dilte Shqipëria nga monitorimi.

Unë besoj se, nëse jemi angazhuar kaq shumë, ky rast i takon drejtësisë dhe jo politikës. Unë besoj se nuk ka lidhje me fitoren e vogël. Këto janë çështje të drejtësisë. Nuk mund të ketë ndërhyrje politike. Kemi pasur përfaqësues të Shqipërisë që nuk u angazhuan për të mbështetur daljen e Shqipërisë nga monitorimi. Zoti Basha nuk qëndroi që të votonte”, theksoi ajo./abcnews.al




Skip to toolbar