Asociacioni, kusht për KiE? Ish ambasadori Prenkaj: Shqetësim, se si do të referohet Kosova nëse anëtarësohet

Më të fundit


Një ditë më parë, asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Albert Prenkaj, ish ambasador i Kosovës, shprehet se kjo arritje nuk i atribuohet vetëm qeverisë aktuale të Kosovës.

Në një lidhje live për emisionin “Real Story”, ish ambasadori tha:


“Kosova nuk është duke përjetuar ndonjë shkëlqim apo simpati në arenën ndërkombëtare për shkak të dështimit të politikës së jashtme por mendoj se Kosova s’ka fare politikë të jashtme. Procesi i anëtarësimit në KiE është i rëndësishëm për qytetarët dhe organizatat që operojnë në Kosovë. Kur flasim për të drejtat e njeriut, atëherë i ofrohet një mundësi e mirë qytetarëve që të realizojnë të drejtat e tyre.

Dje pamë hapin e dytë të procesit të anëtarësimit në KiE. Nuk i duhen dhënë meritat vetëm kësaj qeverie por duhet parë në një kohëzgjatje më të gjerë sepse të gjitha qeveritë e mëhershme dhe diplomacia e Kosovës së bashku me të Shqipërisë dhe të shteteve mike janë përpjekur të bëjnë hapat e duhur drejt këtij procesi vite më parë, Kosova është pranuar në komisionin e Venecias dhe dërgon ligje për të marrë mendime në komisionin e Evropës.”, tha Prenkaj.

Ndërkohë, i pyetur nëse do të ketë presion nga BE ndaj qeverisë Kurti për draftin e asociacionit, Prenkaj tha:

“Sa i përket asociacionit, kushtit që të themelohet që është një nga pikat e marrëveshjes së 2023 është e qartë se në Strasburg ka pasur presione nga vendet anëtare të QUINT, që janë bërë anëtare të asamblesë parlamentare që të trajtohet asociacioni si një nga pikat që kushtëzon procedimin e mëtejshëm në KiE.

Dimë që ka qenë një amendament aty nga përfaqësuesit e Italisë, që më pas u hoq. Kemi përcjellë edhe seancën e asamblesë me të gjitha amendamentet e kërkuara, pra ka pasur insistim që të kushtëzohet procedimi drejt anëtarësimit por kjo kaloi me këtë numër të votave.”

Për votën kundër të Malit të Zi, Prenkaj shtoi:

“Një qeveri e cila edhe kësaj radhe është element pro serb, megjithëse kemi edhe koalicionin e partive shqiptare është e habitshme që përfaqësuesi i Malit të Zi të votojë kundër dhe kësisoj të tregojë një lloj animoziteti ndaj qeverisë së Kosovës edhe përkundër deklaratave publike të nivelit të lartë të Malit të Zi që ishte pozitiv.”

Ndërkaq, ai përmendi edhe një shqetësim se si do të referohet Kosova nëse anëtarësohet në KiE.

“Nëse shohim votat kundër dhe abstenimet, mund të konstatoj se kemi problem në komunikim të diplomacisë së Kurtit me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, bashkësinë evropiane dhe SHBA. Kosova nuk ka politikë të jashtme, ka një person që komunikon me komunitetin ndërkombëtar sipas qejfeve dhe tekave dhe si rezultat kemi një latencë totale të politikës së jashtme të Kosovës. Dua të theksoj se Kosova në KiE trajtohet me fusnotë që përmban në vetvete vetëm rezolutën 1244 dhe jo GJND, si marrëveshja për përfaqësim rajonal dhe në KiE shtrohet pyetja se si do të futet Kosova si entitet politik. Është shqetësim i imi që ia kam borxh publikut.”/abcnews.al




Skip to toolbar