Shqiptarët, vëzhgues në zgjedhjet e Ukrainës

AKTUALITET


Prej vitesh, Shqipëria është në qendër të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet, por edhe shqiptarët janë vëzhgues zgjedhjesh në vendet e tjera. Të dielën, më 21 korrik 2019, Ukraina do të mbajë Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare. Edhe këto zgjedhje do të vëzhgohen prej Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të organizuar nga Rrjeti Europian i Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO), mision i cili pason dy Misionet e mëparshme të Vëzhgimit të Zgjedhjeve Presidenciale të 31 Marsit dhe 21 Prillit të këtij viti dhe pjesë e këtij misioni janë edhe shqiptarë.

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) është anëtare e rrjetit ENEMO prej vitit 2009, ndërkohë që prej vitit 2005, për dy mandate radhazi është anëtare e Sekretariatit drejtues të Rrjetit.


KRIIK ka angazhuar aktivistë vëzhgues afatshkurtër,  afatgjatë,  pjesë të misioneve drejtuese  e deri si Drejtues Misioni edhe në Misionin aktual për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 21 Korrikut 2019. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 21 korrikut 2019 në Ukrainë është i përbërë nga një Ekip Qendror prej 12 ekspertësh, 40 vëzhgues afatgjatë dhe 76 vëzhgues afatshkurtër, të deleguar nga 15 organizata anëtare të ENEMO.

Zgjedhjet e parakohshme të së dielës do të monitorohen edhe nga Misione të tjera Ndërkombëtare vëzhgimi si: OSBE/ODIHR, Asambleja Parlamentare e NATO-s, Instituti Demokratik Amerikan (NDI), Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), CANADEM, etj.

Zgjedhjet e rregullta Parlamentare ishin planifikuar të mbaheshin në tetor 2019, por Presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, menjëherë pas kryerjes së betimit dhe marrjes së detyrës në 20 Maj 2019, vendosi shpërndarjen e Parlamentit dhe caktoi ditën e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare në 21 Korrik 2019.




Skip to toolbar