Shtyhet sërish gjyqi i Tahirit: Shqipëria ecën para, gjyqi im jo

AKTUALITET


Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia është paraqitur sërish të mërkurën në orën 09:00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda për seancën e radhës, por ajo është shtyrë sërish.

Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 17 korrik, për shkak se duhet të saktësohet prokurora për Gjergj Kohilën, ish-shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë, i cili ndodhet në arrati. Ende nuk është saktësuar nëse Kohila është vënë apo jo në dijeni për zhvillimin e procesit ndaj tij.


Kjo është hera e dytë që shtyhet seanca për Tahirin. Pas vendimit të trupit gjykues, ish-ministri  ka shprehur keqardhjen se nuk është marrë parasysh apelimi i tij. “Keq më vjen që u shty prapë, unë do të vazhdoj të kërkojë një gjyq të shpejtë. Shqipëria ka ecur përpara vetëm gjyqi im ka ngecur”, tha ai.

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Në seancë paraprake, Saimir Tahiri ka kërkuar që procesi të bëhet me kohë të shkurtuar, gjë që nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.

Tahiri deklaroi në 19 Qershor se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Sipas tij, ky proces po zvarritet më kot dhe ka dyshime se pas fshihet politika. Gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.




Skip to toolbar