Soreca: “Censi 2020”, baza e negociatave

AKTUALITET


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ka deklaruar se sfida e radhës për Shqipërinë është censi i popullsisë dhe banesave për vitin 2020, si një element kyç për integrimin e vendit tonë.

Kryediplomati i BE tha se censi do të jetë baza e negociatave dhe siç thotë Këshilli i Evropës, duhet të bëhet në mënyrë të lirë dhe vullnetare. Ndër të tjera, Soreca deklaroi se shpreson që të çelen shumë shpejt negociatat e Shqipërisë me BE-në, duke shtuar se mbështetja evropiane do të vijojë.


“Rëndësia e popullsisë nuk është vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në dhe për aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Censi do të jetë baza e negociatave. Shpresa ime është që negociatat të çelen shumë shpejt. Censi i vitit 2011(i quajtur “Censusi 2011”) shënoi një gur të rëndësishëm në gjithë BE-në. Edhe në Shqipëri censi u shënua në bazë të të dhënave të Eurostat. KE ka theksuar se censi i vitit 2011 nuk arriti të siguronte të drejtat e shqiptarëve që të deklaronin në mënyrë të lirë origjinën e tyre. Të mos harrojmë këtë rekomandim kaq të rëndësishëm të KE, i cili tha se censi duhet bërë në mënyrë të lirë dhe vullnetare” deklaroi Sorca.

Sipas tij, censi është i lidhur ngushtë me miratimin e ligjeve për të drejtën në mënyrë të lirë. “Shqipëria ka ende punë për të bërë për të përmirësuar më tej sistemin statistikor. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. BE do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në përpjekjet për të përmbushur standardet e BE”, tha ambasadori Soreca. Bashkimi Europian ka dhënë 14.5 milionë euro për të bërë censin e popullsisë dhe të banesave në Shqipëri për vitin 2020.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka planifikuar të kryejë censin e ardhshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2020. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë universale bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit, duke përdorur metoda të reja për mbledhja e të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020  do të marrë në konsideratë në masën më të madhe të pyetjeve thelbësore, duke marrë parasysh dhe kërkesat e përdoruesve vendas, rekomandimet e fundit ndërkombëtare, në veçanti rekomandimet dhe standardet e adresuara në vendet evropiane nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat) si dhe duke përfshirë ato që lidhen me cilësinë e të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.




Skip to toolbar