Forcat e Armatosura bëhen me “Universitet”

AKTUALITET


Akademia e Forcave të Armatosura do të marrë statusin e institucionit të Arsimit të Lartë.

Së shpejti qeveria do të miratojë ndryshimet ligjore që do t’i hapin rrugën ndryshimit rrënjësor të sistemit arsimor ushtarak në vendin tonë. Ky status, mundëson jo vetëm hapjen e studimeve të ciklit të parë bachelor por edhe akreditimin e plotë të AFA dhe programeve të tij akademike.


Lajmin, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e ndau me studentë e pedagogë të Akademisë së Forcave të Armatosura në nisje të vitit të ri akademik 2019 – 2020, ku e ftuar ishte edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

“Falë këtij transformimi, që në vitet që do të vijnë do të duhet ta çojmë edhe më tej, në Forcat e Armatosura po instalohet sot një sistem i mirëfilltë meritokracie dhe një nivel profesionalizmi që deri pak vite më parë ishte i paimagjinueshëm. Efektivët tanë tonë janë sot në gjendje të marrin pjesë në misione kudo ku shfaqet nevoja, për të kontribuar për sigurinë tonë kolektive, duke u angazhuar si të barabartë, krah për krah kolegëve të tyre në disa prej ushtrive më moderne e profesioniste. Kjo akademi ka sot një rol vërtet shumë të rëndësishëm strategjik për transformimin e ushtrisë shqiptare. Forca e Armatosur që po ndërtojmë sot është në fakt shumë e ndryshme nga ajo që trashëguam. Aty ku dikur kishim një forcë të bazuar tek rekrutimi i detyruar, sot kemi një forcë më të vogël, profesioniste e vullnetare. E mbi të gjitha kemi një forcë që duhet të arrijë standardet e NATO që janë padyshim standardet më të larta që duhet të respektojë një forcë ushtarake kudo në botë”, tha Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj.

Për Ministren Shahini, vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave hap një faqe të re për arsimimin e ushtarakëve shqiptarë.

“Ky nuk është një institucion i zakonshëm i arsimit të lartë, ndaj ne jemi duke punuar fort bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes që t’i japim një status të veçantë Akademisë së Forcave të Armatosura, që stafi akademik të trajtohet i njëjtë si institucionet e tjera të arsimit të lartë”, nënvizoi Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Për vitin e 11 radhazi, Akademia e Forcave të Armatosura ka hapur dyer për studentë nga disa vende të rajonit. Për vitin 2019-2020 do të ulen në auditorë 182 ushtarakë nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Gjeorgjia dhe Kosova.




Skip to toolbar