Soreca, për Tahirin: Do e shoh dosjen si ish-prokuror e do mbajmë qëndrim

AKTUALITET


Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca është pyetur nga gazetarët të premten në lidhje me vendimin e gjykatës së Tiranës për dënimin me 3.4 vite shërbim prove për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ambasadori ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me dosjen e plotë për ish ministrin dhe më pas ka njoftuar se zyra e BE-së në Tiranë do të mbajë një qëndrim brenda një kohe të shkurtër. Ai tha se eksperienca e tij si ish prokuror nuk e lejon që të bëjë një koment para se të njihet me detajet e dosjes.

“Eksperienca ime si ish prokuror nuk më lejon të flas para se të njihem me dosjen. Më lejoni që të shoh vendimin e plotë të gjykatës të njihem me dosjen dhe më pas të bëj një koment. Së shpejti do të kemi një koment për çështjen”, tha Soreca për gazetarët.

Gjykata e Tiranës vendosi ta dënojë ish ministrin Tahiri me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke lejuar kanabizimin e vendit. Por gjykata rrëzoi akuzat e tjera të prokurorisë që lidhen me trafikun e drogës dhe grupin kriminal. Ish ministri ka deklaruar se do ta apelojë vendimin dhe do të kërkojë pafajësi të plotë. Nga ana tjetër ky vendim i gjykatës është lidhur edhe me plotësimin e kushteve të BE-së për çeljen e negociatave. Pikërisht për këtë pritet të flasë ambasadori i BE-së, Soreca. Një ndër kushtet e BE është që Shqipëria duhet të japë prova se drejtësia funksionon./realstory.al



Skip to toolbar