E ndërsa të gjithë i cilësuan kushte kërkesat e Bundestagut gjerman për Shqipërinë, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca tha për mediat se ato nuk janë kushte për çeljen e negociatave, por janë detyra që Shqipëria duhet t’i plotësojë në vijimësi, pra pasi të çelen negociatat. Ai sqaroi se nga rezoluta e Bundestagut gjerman, janë vetëm dy kushte që duhen plotësuar deri në marrjen e vendimit për hapjen ose jo të negociatave, të ditura edhe më parë: Reforma Zgjedhore, dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë.
Ndërsa sipas kryediplomatit të BE-së, pjesa tjetër e 7 kërkesave të Gjermanisë janë detyra që do të përmbushen në kapitujt që do të negociohen me BE pasi të ndizet drita jeshile e vazhdimit të procesit të integrimit të Shqipërisë.
“Më lejoni të them fillimisht se jam shumë i kënaqur për këtë rezolutë kaq të rëndësishme që ka ndërmarrë Bundestagu. Bundestagu gjerman thjesht njohu ecurinë e mjaftueshme që kishte bërë Shqipëria, duke identifikuar po ashtu disa fusha që ishin identifikuar më parë në Shqipëri, kështu që nuk do flas për kushte të reja. Gjermania është një vend i rëndësishëm në be për rolin që luan jo vetme brenda be por edhe në arenën ndërkombëtare në politikën e jashtme. Kemi gjithë shtetet e tjera anëtare të BE që po vijojnë diskutimet e tyre në lidhje me vendimin që do të merret në tetor. Është një hap që na çon në rrugën e duhur por le të respektojmë edhe diskutimet që po vijojnë shtetet e tjera.
Është e rëndësishme në rezolutën, Bundestagu i ka dhënë mandatin qeverisë t’i thotë “PO” Shqipërisë për çeljen e negociatave, nëse edhe shtetet e tjera do të ndajnë këtë qëndrim në Këshill, këshilli do të marrë këtë vendim të rëndësishëm.
Nëse merret është një vendim i këshillit të BE-së por do të pasohet nga një konferencë ndërqeveritare ku BE dhe Shqipëria do të ulen së bashku për çeljen zyrtare të negociatave. Është kërkuar nga Bundestagu, që në periudhën mes vendimit të këshillit të BE-së dhe konferencës që mund të zgjasë 3-6 muaj, të bëhen 2 gjëra.
Çelja zyrtare e negociatave do të ndodhë në këtë konferencë ndërqeveritare. Ndërkohë kemi dhe disa elementë të tjerë që i gjejmë në rezolutën e Bundestagut, natyrisht janë elementë që janë quajtur kushte të përgjithshme, që janë elementë që duhen përmbushur pikërisht përpara hapjes së kapitujve të caktuar gjatë negociatave”, është shprehur ambasadori Soreca. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të ecin përpara në rrugën e reformave. Ai ka përshëndetur vendimin e opozitës për t’u ulur në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore të iniciuar nga OSBE.
“Unë mendoj që për ta çuar Shqipërinë më tej përpara, duhet përkushtimi dhe angazhimi të gjitha palëve, i qeverisë, parlamentit, presidentit, shoqërisë civile, medias, sepse kur të merret vendimi në tetor nga këshilli i BE-së të gjitha palët duhet të bëhen bashkë në mënyrë që duke punuar së bashku Shqipëria të ecë përpara.
Unë dëshiroj që të gjitha palët të ulen së bashku. Unë mirëpres vendimin e udhëheqësit të opozitës për tu bërë pjesë e tryezës së OSBE për reformën zgjedhore. Ky është një hap i mirë, një hap i parë. Është e rëndësishmë që të gjitha palët të kuptojnë që do duhet patjetër të bashkëpunojnë. Sepse edhe kur të merret vendimi për çeljen e negociatave, të gjitha palët duhet të kuptojnë që përgjegjësia është përbashkët, prandaj duhet të ulen të zgjidhin problemet për shqiptarët. Reforma zgjedhore është një prej tyre, por e them edhe një herë se kjo çështje ka të bëjë me të qenit të bashkuar”, tha Soreca.
Shqipëria pret një përgjigje pozitive nga Këshilli i Europës që do të vendosë më 18 tetor për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë. Gjasat janë që këtë herë KE të vendosë pro çeljes së negociatave, pas vendimit pozitiv të parlamentit gjerman që pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike të BE-së./realstory.al