Analisti Frrok Çupi i ftuar në “Real Story” komentoi veprimet e SPAK, i cili ka nisur të prekë “klasikët” e tranzicionit politik në Shqipëri. Pas vënies nën hetim të ish-kryeministrit Sali Berisha, SPAK ka marrë në pyetje edhe ish-presidentin Ilir Meta.
“U thye muri i çeliktë i këtyre njerëzve të lartë, të cilët janë korruptuar dhe janë me ngarkesa shumë negative në raport me krimin, në momentin që u mor nën hetim Sali Berisha, do të thotë se zinxhiri poshtë është krejtësisht i këputshëm dhe i prekshëm. Iliri nuk është më shumë se Sali Berisha, dhe parë në këtë aspekt, do thotë se nuk kursehet askush. Kjo është një ditë që e kemi mbërritur dhe është një ditë shumë e shënuar dhe ky proces nuk ka për të pasur kurrë ditë të fundit, sepse kjo do vijojë shumë gjatë. Jemi në dyert e një pamje ku Shqipëria do regjistrohet që më në fund u fshehën mafiozët më të mëdhenj të vendit dhe të rajonit dhe pak më tej se rajoni. Do bëhen krahasim me Al Capone, Escobar dhe të tjerë dhe dita kur do shkojë më thellë ky proces, do jetë një ditë që do jetë harruar fillimi”, tha ai.
Ai shtoi se SPAK është kolauduar shumë mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk ka kthim pas.
“SPAK është kolauduar shumë mirë në SHBA. Nëse FBI në thonjëza është vjetërsuar, ky është një FBI plot entuziazëm, plot dinamikë, me plot porosi, me plot thasë që do t’i mbushë dhe t’ia çojë Amerikës dhe është momenti që për mua duket si e papritur ajo që thatë, pasi SPAK po vepron si helikopterët Apash në Kosovë në vitin 99, që dalin papritur pas një shkurre. Të gjithë duhet të kuptojmë se SPAK shfaqet në çdo moment, është karikuar, është furnizuar me karburantin e provave “, tha ai.