Persona të paidentifikuar kanë dhunuar makinën e analistit Fatos Lubonja gjatë natës së ndërrimit të viteve. Kjo është hera e dytë që sulmohet automjeti i analistit Lubonja. Ai ka bërë denoncimin në polici në datën 2 janar.
Makina e Lubonjës ishte parkuar në zonën e qendrës së Tiranës pranë banesës së tij. Automjeti është goditur me mjete të forta, duke e dëmtuar rëndë.
Analisti Fatos Lubonja ka konfirmuar dhunimin e makinës së tij. Ai thekson se pret që autoritetet të zbardhin këtë ngjarje.
“Po është e vërtetë që makina ime është dhunuar. Për këtë ngjarje kam bërë kallëzim penal në prokurori dhe jam në pritje që autoritetet policisë të zbardhin të vërtetën e këtij akti dhune”, thekson Lubonja për gazetën Panorama.
Kjo është hera e dytë që dhunohet makina e Lubonjës. Më herët është dhunuar më 1 korrik ku makina u sulmua me gurë. Personi, cili u arrestua nga Policia e Shtetit dhe u dënua nga gjykata me burg, ka shprehur urrejtje ndaj Lubonjës për qëndrimet e tij publike.