Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestën e zhvilluar prej më shumë se 40 ditësh.
Bislimi u shpreh se rritja e mirëqenies dhe zhvillimi shoqëror sjellin kërkesa të reja nga qytetarët, duke e cilësuar protestën si një tregues të ndryshimit të shoqërisë shqiptare.
Duke folur për reagimin e qeverisë, Bislimi tha se protesta nuk duhet parë si një anomali dhe vlerësoi mënyrën e reagimit të kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, protesta me kalimin e kohës është transformuar nga një lëvizje shoqërore në një lëvizje politike, që tashmë ngjan me një forcë opozitare.
Ai shtoi se Rama ndodhet në një pozicion të qëndrueshëm politik, pasi sipas tij ka fituar zgjedhjet dhe gëzon legjitimitetin për të qeverisur. Protesta për Bislimin, duhet të konsiderohet si një një alarm për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
“Në momentin kur rritet mirëqenia, kur bëhet zhvillimi, krijohen këto protesta dhe kjo tregon se Shqipëria po ndryshon. Kur të rritet mirëqenia, njerëzit kërkojnë më shumë. Jemi duke përjetuar një moment që Shqipëria nuk e ka përjetuar më parë. Pse duhet të reflektojë qeveria? Qeveria duhet ta kuptojë se protesta nuk është anomali dhe këtë po e bën. Edi Rama, përveç se ka kundërreaguar duke u kthyer përgjigje, ai nuk ka dalë duke i rrahur protestuesit.
Dalin aty prej 40 ditësh, janë bërë gjithmonë e më pak, që tani është përkthyer në lëvizje politike, që duket tamam opozitë. Kjo protestë më shumë po dëmton… Duhet të reflektojnë PD-ja dhe Sali Berisha, sepse po e zëvendësojnë si opozitë, sesa Edi Rama. Ai është në një gjendje normale, i ka fituar zgjedhjet, e ka legjitimitetin dhe legalitetin dhe tani po pret që kjo lëvizje, që ishte shoqërore, u bë politike, po bëhet opozitë, ndoshta për ta zëvendësuar LSI-në”, tha ai.
