Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore në
Britani (AAIB) ka zbuluar të tjera detaje tronditëse lidhur me aksidentin
ajror ku humbi jetën futbollisti
argjentinas Emiliano Sala, në janar të këtij viti. Sipas një raporti të fundit
të AAIB, mësohet se në trupin e Sala është gjetur një përqëndrim i lartë i
monoksidit të karbonit përpara se të rrëzohej aeroplani.
Testet e toksikologjisë kanë zbuluar se
28-vjeçari kishte një nivel të lartë të COHb (produkt kombinues i monoksidit të
karbonit dhe hemoglobibës), është shprehur dega e hetimit të aksidenteve ajrore
në Britani. “Konsiderohet mundësia që edhe piloti gjithashtu të ketë qenë i
ekspozuar nga monoksidi i karbonit”, thuhet në raportin e hetuesve të
aksidenteve ajrore.
Sulmuesi argjentinas ishte në rrugë nga
Nantes, Francë për në Cardiff, Uells në janar për të filluar një kapitull të ri
në karrierën e tij, kur avioni me një motor Piper Malibu, në të cilin ishte në
bord, u rrëzua në Kanalin anglez. Trupi i Sala u gjet dhe u soll në Dorset në
shkurt. Funerali u mbajt në qytetin e lindjes së Sala, Progreso, Argjentinë,
pasi trupi i tij u nxor nga shtrati i detit.
“Avionët me motor me piston prodhojnë
përqendrime të larta të CO që del jashtë avionit”, shkruhej në Buletinin
Special të mërkurën. “Mbyllja e dobët e kabinës ose rrjedhja në sistemin e
ngrohjes dhe ventilimit mund të sigurojë rrugë që CO të hyjë në kabinë”,
shkruhet në raport.
Ekspozimi ndaj CO mund të “zvogëlojë ose
pengojë aftësinë e një piloti për të drejtuar një aeroplan në varësi të nivelit
të ekspozimit”, thuhet në raportin special. Në këto kushte, piloti mund të
ketë humbur ndjenjat për shkak të asfiksimit nga karboni në kabinë së bashku me
futbollistin argjentinas, çka ka bërë që më pas avioni të humb kontrollin dhe të
rrëzohet.