Kuvendi, Markut: Lufto korrupsionin, duam rezultate deri në tetor

Kuvendi i Shqipërisë shprehet i pakënaqur në lidhje me punën e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit, hetimet pasuror, ruajtjen e sekretit hetimor, luftën kundër krimit të organizuar duke hartuar një rezolutë në të cilën pret rezultate të prekshme deri në muajin tetor 2019. 

Në këtë mënyrë Kuvendi kërkon rezultate të prekshme dhe të zbatueshme ndaj krimit dhe korrupsionin nga prokuroria, në një kohë kur pritet edhe hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Vetë Rama ka deklaruar nga Kuvendi se Shqipëria duhet të japë prova konkrete me zbatimin e reformës në drejtësi që të fitojë integrimin, duke vënë para drejtësisë zyrtarë të lartë të korruptuar. Pak ditë më herët edhe shefja e ONM, Calavera ka folur hapur duke thënë: “Që të hapen negociatat ne duam të shohim njerëz në burg”.

Kjo duket se ka vënë Kuvendin në punë duke krijuar një rezoluta me 20 pika kryesore që i drejtohet Kryeprokurores së Përgjithshme Arta Marku  dhe kërkon nga ana e saj të paraqesë një raport për arritjet e kryera në drejtim të tyre brenda muajit tetor 2019.   

Rezoluta është hartuar nga 72 deputetë, 67 nga Partia Socialiste dhe 5 nga deputetët e opozitës.

Përveç luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në rezolutë theksohet edhe rasti i respektimi të sekretit hetimor nga prokurorët duke ndjekjet penale ndaj atyre që thyejnë këtë ligj, sidomos pas publikimi të përgjimeve në gazetën gjermane BILD.

Rezoluta në 20 pika:

1.Forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet zbatimit më të mirë të procedurave të hetimit proaktiv dhe përdorimit në kufijtë e ligjit të teknikave speciale të hetimit.

2.Sigurimin e zbatimit të drejtë dhe të njëllojtë të procedurave për sa u takon hetimeve pasurore, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Brenda muajit tetor 2019, të përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë një raport në lidhje me ecurinë e zbatimit të këtij rekomandimi.

3.Zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim rritjen cilësore, thellimin dhe intensifikimin e hetimeve në funksion të zbulimit dhe goditjes të veprimtarisë kriminale brenda vendit dhe të lidhjeve të tij jashtë vendit.

4.Rritjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet gjyqësore të huaja në të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërgjyqësor, me qëllim shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin me lidhjet e tyre jashtë vendit dhe nxitjen e krijimit e grupeve hetimore të përbashkëta për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit.

5.Bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Shkollën e Magjistraturës për identifikimit dhe planifikimin e drejtë të nevojave për magjistratë në sistemin e prokurorisë të juridiksionit të përgjithshëm. Forcimi i marrëdhënie të Prokurorit të Përgjithshëm me Këshillin e Lartë të Prokurorisë për qartësimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit është i mirëpritur.

6.Hartimin e udhëzimeve të nevojshme për zbatimin e rekomandimeve parësore të Këshillit të Ministrave për luftimin e kriminalitetit për vitin 2019. Kopje të udhëzimeve të miratuara të përcillen në Kuvend, menjëherë pas miratimit të tyre.

7.Hartimin e një kalendari të trajnimit të oficerëve të Policisë Gjyqësore, sipas kërkesave dhe nevojave për zbatimin e reformës në drejtësi brenda muajit shtator të viti 2019, si dhe të fillojë zbatimi i tij.

8.Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në konsulencë dhe me asistencë të partnerëve ndërkombëtarë, të hartohen/ose të përmirësohen manuale të mënyrës së identifikimit, evidentimit dhe ndjekjes së veprave penale të shtetasve shqiptarë, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim jo vetëm sigurimin e të dhënave për veprat penale, në të cilat shtetasit shqiptarë mund të jenë përfshirë si autorë, por edhe si viktima.

9.Përmbushjen e rekomandimeve të adresuara për Prokurorinë e Përgjithshme nga Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

10.Raportimin në Kuvend brenda muajit dhjetor 2019 në lidhje me zbatimin e rregullave të trajtimit të të miturve me kontakt në drejtësinë penale dhe ecurinë e zbatimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

11.Marrjen e masave për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të veprës penale dhe për të adresuar dhe rekomanduar zgjidhje për zbatimin e drejtë të rregullave për kërkesat e viktimës akuzuese.

12.Përdorimin më efektiv të instituteve procedurale të reja si: urdhri penal, marrëveshja e fajësisë, gjykimi i drejtpërdrejtë, duke hartuar dhe nxjerrje udhëzime të përgjithshme, me synim qartësimin e kuptimit dhe zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor përkatës dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre.

13.Mbledhjen, hedhjen dhe përpunimin, nga çdo prokurori, të statistikave të ndjekjes penale dhe të kriminalitetit, sipas standardeve ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet vlerësimi dhe krahasimi i kriminalitetit ndër vite dhe në raport me vendet e rajonit, në nivel evropian dhe ndërkombëtar, si dhe të mundësohet vlerësimi i politikës penale të zbatuar. Kuvendi kërkon dërgimin në Ministrinë e Drejtësisë të të dhënave statistikore të plota dhe të sakta për të gjitha veprat penale, të pandehurit, viktimat, dëmet ardhura nga vepra penale dhe në lidhje me zbatimin e politikës penale.

14.Hartimi dhe nxjerrja e rregullave standarde për organizimin dhe funksionimin e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm që sigurojnë efikasitet në organizimin, drejtimin dhe kontrollin e punës në çdo prokurori.

15.Rritjen e pavarësisë së prokurorisë dhe forcimin e kuptimit më të mirë të përgjegjësive nga çdo prokuror. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave për garantimin e pavarësisë së prokurorit, koordinimin e punës ndërmjet prokurorive të ndryshme, mes tyre dhe Policisë Gjyqësore të përfshira në hetime të përbashkëta.

16.Respektimin e ligjit për sekretin hetimor nga çdo prokuror dhe punonjës i prokurorisë. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave të unifikuara për informimin e publikut dhe medias lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, duke respektuar parimet e parashikuara në legjislacionin në fuqi në lidhje me ruajtjen e sekretit hetimor.

17.Hartimin dhe nxjerrjen e udhëzimeve në lidhje me zbatimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, që mundësojnë përmbushjen e qëllimit të ligjit.

18.Sigurimin e bashkëpunimit, koordinimit, shkëmbimit të informacionit dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë, me të gjitha institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese që kanë shërbime të Policisë Gjyqësore.

19.Monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në të gjitha fazat e ndjekjes penale, nëpërmjet mbikëqyrjes nga prokuroria të respektimit të të drejtave dhe lirive kushtetuese dhe në ligj të shtetasve.

20.Rritjen e angazhimit të prokurorisë për zbatimin e rekomandimeve të Progres-raportit të Bashkimit Europian në lidhje me ndjekjen penale dhe luftimin e kriminalitetit.

Akuzat e opozitës për zgjedhjet, Prokuroria: Asnjë kallëzim nga partitë

Asnjë parti politike nuk i është drejtuar Prokurorisë për të bërë kallëzim penal për manipulime në zgjedhjet e 30 qershorit. Prokuroria njofton se pavarësisht akuzave në publik dhe media, partitë politike nuk i janë drejtuar këtij institucioni për të bërë padi.

Prokuroria bën të ditur se ka nisur disa procedime, kryesisht pas denoncimeve nga policia por jo nga partitë.

Kështu prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier ka regjistruar materialin kallëzues për shtetasit Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha të cilët akuzohet se i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike, dega Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit, rezultatet e të cilit do të raportohen në ditët në vijim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka regjistruar kallëzimin penal për veprën penale “Votimi më shumë se një herë” në ngarkim të shtetasit O.O. Ky material është regjistruar mbi bazë të referimit të Komisariatit të Policisë Cërrik datë 01.07.2019”, njofton prokuroria e përgjithshme.

Ajo shton se “përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media”.

Gjatë 30 qershorit opozita bëri disa akuza publike për blerje votash, madje publikoi edhe video si edhe për rritje të numrit të votave në krahasim me votuesit. Por përveç deklaratave për mediat, ajo nuk ka bërë asnjë kallëzim penal në prokurori.

Dokumenti, Arta Marku urdhër prokurorëve: Regjistroni çdo krim elektoral

Kryeprokurorja Arta Marku përmes një urdhri të shpërndarë prokurorëve të rretheve kërkon që të regjistrohen dhe të mbahet shënim çdo akt dhune dhe krim elektoral që mund të ndodhë në ditët në vijim dhe gjatë procesit zgjedhor.

Urdhëri i kryeprokurores ka si qëllim mbledhjen e provave dhe “ndjekjen penale ndaj autorëve që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve apo që cënojnë procesin zgjedhor”.

Arta Marku përmes këtij udhëzimi kërkon që të gjithë “Prokurorët të jenë në gatishmëri së bashku me oficerët e policisë gjyqësore nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 22:00 të darkës”.

Sipas udhëzimit, pas orës 22:00 personeli i gatishmërisë do të komunikojë me sallën operative të policisë.

Realstory disponon dokumentin e firmosur nga kryeprokurorja siç e shihni në fotot mëposhtë.

Arta Marku: Lufta ndaj terrorizmit, kërkohet një bashkëpunim më i gjerë

Shqipëria ka marrë masat ligjore për të goditur këdo që synon të bashkohet me terroristët ose që rekruton luftëtarë kundër njerëzve të pafajshëm ka thënë Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku gjatë një takimi me Kryetarë të Gjykatave Supreme dhe Prokuroreve të rajonit  në Mal të Zi. Marku cilësoi se “personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike, të cilët besojnë se duke u bashkuar me terrorin, mund të jetojnë më mirë.”

Gjatë konferencës, Marku theksoi se vendet duhet të kenë një bashkëpunim më të madh me njëri-tjetrin për të parandaluar terrorizmin dhe për të luftuar këto fenomene.

Bashkëpunimi duhet të jetë shumë i gjerë dhe jo vetëm për hetimin e çështjeve. Bashkëpunimi duhet të jetë i hershëm, i vazhdueshëm, me një shkëmbim intensiv informacionesh.” – tha kryeprokurorja Arta Marku gjatë fjalës së saj.

Arta Marku konfirmon përgjimet, paralajmëron arrestime të prokurorëve

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka reaguar pasditen e kësaj të mërkure në lidhje me publikimin e disa audiopërgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”. Znj. Marku, në deklaratën shpërndarë mediave, shkruan se po e ndjek çështjen me shumë  vëmendje, duke u kërkuar prokurorëve që kanë në dorë hetimet për dosjet 399 dhe 184, që të hetojnë pa humbur kohë.

Duke marrë shkas nga publikimi i disa materialeve të përgjimit në gazetën gjermane Bild, Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se po ndjek çështjen me shumë vëmendje dhe ashtu siç ka kërkuar edhe më përpara, kërkon dhe u bën thirrje prokurorëve që kanë në hetim çështjet 339 dhe 184,  si autoritetet e vetme në ushtrimin e ndjekjes penale për këto çështje, që të hetojnëdhe të zgjidhin pa humbur kohë këto çështje, duke vënë para përgjegjësisë penale këdo që ka konsumuar një vepër penale. Ky është jo vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor, por edhe një detyrim publik për të bërë të qartë çfarë ka ndodhur me këto cështje dhe cfarë kanë ato në përmbajtje”, thotë Arta Marku.

Më tej, Arta Marku shprehet ndihet e indinjuar që në radhët e prokurorisë ka akoma prokurorë që për interesa personale bëjnë Pazar me dosjet penale. “Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me çdo dosje penale duke kontaminuar opinionin publik me informacione të pahetuara dhe të paverifikuara nga ata vetë si autoritete përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e tyre”, shton Marku.

Më tej, Arta Marku duke i kërkuar prokurorisë përgjegjëse për nisjen e hetimit për nxjerrje të sekretit hetimor, njofton se këto përgjime nuk janë publikuar si pasojë e mungesës së ligjit, por për arsye të tjera.

“Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe tëkryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre. Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka filluar një verifikim administrativ të mënyrës sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të, si dhe cdo material tjetër përgjimi, nga Zyra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”.

“Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencave aktuale njofton opinionin publik se ka miratuar udhëzimin nr.4, dt.26.10.2018 “Për përgjimet” ku përcaktohen në detaje rregullat për ruajtjen e sekretit të përgjimit. Nxjerrja e sekretit ka ardhur jo si pasojë e mungesës së ligjeve apo akteve nënligjore dhe administrative, por për arsye të tjera larg cdo norme ligjore apo morale”, përfundon Arta Marku.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Dosja 339, Arta Marku: Së shpejti vendimi nga prokurorët

Kryeprokurorja Arta Marku e pranishme sot në Komisionin e Ligjeve ku ka raportuar për kriminalitetin gjatë vitit 2018 është pyetur për dosjen e famshme 339, ku dalin përgjimet ndaj Vangjush Dakos për shit-blerje votash. Marku ka thënë se shumë shpejt do të ketë një vendim për këtë dosje.

“Përgjimet, vazhdojnë të jenë në hetim. E kam shprehur disa herë, që aty ka problematikë, dosjet janë zvarritur, ka pasur vetëm përgjime, që nuk janë zbardhur dhe nëse nuk bëhen janë të palexueshme. Dosja 339 po hetohet nga 2 prokurorë dhe 11 oficerë, aty ka video të patranskriptuara, por do ketë vendimmarrje. Dosja 184 në të njëjtën gjendje, e regjistruar 2 vjet vetëm përgjime. Pas dy vjetëve janë regjistruar emrat e disa personave në hetim, do të ketë vendimmarrje të shpejtë”- u shpreh Marku në Komision.

Ajo gjithashtu është pyetur nga deputeti i PD-së, Lefter Maliqi edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo.

Kryeprokurorja tha se vrasja e bankierit Santo është jashtë periudhës së raportimit dhe është një çështje konkrete për të cilën ajo s’mund të japë detaje.

“Për vrasjen e Santos, kjo është një çështje jashtë periudhës për të cilën po raportojmë dhe është një çështje konkrete, për të cilën unë nuk jap të dhëna konkrete”- tha kryeprokurorja.

https://realstory.al/prokuroria-marku-vettingu-krijoi-pasiguri-te-prokuroret-dhe-gjyqtaret/

Prokuroria, Marku: Vettingu krijoi pasiguri te prokurorët dhe gjyqtarët

Kryeprokurorja Arta Marku ka raportuar para Komisionit të Ligjeve gjatë ditës së sotme, për raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2018. Gjatë fjalës së saj, Arta Marku u shpreh se në vitin e kaluar ka pasur shumë pasiguri për prokurorët dhe gjyqtarët për shkak të Vettingut. Proces nga i cili janë shkarkuar disa prokurorë dhe gjyqtarë.

“Viti 2018 nuk ka qenë i zakonshëm për prokurorët dhe gjyqtarët. Vettingu ka pasur ndikim negativ, duke krijuar pasiguri për prokurorët dhe gjyqtarët. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë shkarkime nga Vettingu”, tha Marku.

Më tej, Arta Marku, duke folur për raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, u shpreh se në total janë trajtuar 57 mijë raste kallëzimesh, ndërsa vihet re një ulje e numrit të kallëzimeve penale.

Gjatë vitit 2018 është rritur numri i çështjeve të dërguara për gjykim në gjykatë. Kemi bashkëpunuar më shumë me autoritetet vendase dhe të huaja. Gjatë vitit 2018 janë trajtuar 57 mijë raste kallëzuese.  Ka pasur ulje të rasteve për kallëzime penale. Një pjesë e kallëzimeve ka ardhur nga qytetarët dhe policia”.

Duke folur për kriminalitetin, Arta Marku u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë prioritet, ndërsa shtoi se Dibra është qarku me kriminalitetin më të ultë, ndërsa Vlora më të lartin.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka qenë prioritet. Qarku i Dibrës rezulton të ketë kriminalitetin më të ultë, ndërsa Vlora me kriminalitet më të lartë.  Gjatë vitit 2018 janë ndalur 73 persona për korrupsion”, ka thënë Marku ndër të tjera.  

Dosja e nxehtë 339, Marku: Ka përgjime të pazbardhura

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku ka folur për “dosjen 339”, prej së cilës janë shfaqur në publik përgjime të eksponentëve kriminalë, grupi i Avdylajve, në komunikim me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Marku ka thënë në “Open” se si funksionon sistemi i prokurorisë dhe se në këtë dosje ka shumë përgjime, por që nuk janë të zbardhura.

“Prokuroria nuk është më një organ i centralizuar, piramidal, në kuptimin që varet nga Prokurori i Përgjithshëm, por një sistem tërësisht i decentralizuar pas ndryshimeve të fundit kushtetuese të vitit 2016 dhe ligjeve që pasuan. Zot i çdo çështjeje penale janë vet prokurorët në krye tyre, duke u përgjigjur për hetimin, për zgjidhjen dhe japin llogari vetëm përpara gjykatës për vendimmarrjen e tyre. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë informacion të detajuar për asnjë nga çështjet, nuk mund të marrë përsipër vet hetime, madje në Prokurorinë e Përgjithshme nuk bëhen më hetime. Kjo Prokurori ka vetëm të drejtën për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Informacioni që merr Prokurori i Përgjithshëm, është i karakterit statistikor ose procedurial. Por përse nuk përfundon hetimi i këtyre dosjeve? Këto dosje janë mbajtur vetëm në fazën e hetimit, me përgjime pa fund dhe asnjë nuk është zbardhur në letër.” – ka thënë Marku

Ashtu siç pritej, Marku në garë për kryeprokurore

Arta Marku, që mban aktualisht postin e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme prej më shumë se një viti, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën dhe dokumentacionin e saj pranë KLP-së për të marrë pjesë në garë për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme.

Aktualisht në garë janë edhe 3 kandidatë të tjerë, Olsion Çela prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Fatjona Memçaj aktualisht prokurore në prokurorinë e Apelit, dhe avokati Lulzim Alushaj.

Fatjona Memçaj dhe Arta Marku kanë kaluar me sukses vettingun ndërsa dy kandidaturat e tjera pritet t’i nënshtrohen këtij procesi.

Skip to toolbar