A do të vazhdojë opozita me protestat e
dhunshme, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve? Kjo ende nuk dihet, ndërkohë
që sot Basha ka programuar një sërë takimesh për të përcaktuar hapat e mëtejshëm
të opozitës.
Kështu në 10:30 ai ka nisur një takim me aleatët
e tij. Ndërsa në 11:30 do zhvillohet në selinë blu mbledhja e Kolegjit te
Kryetareve.
Në 13:00, kreu i PD, Lulzim Basha ka
parashikuar një takim me krerët lokalë të partisë Demokratike. Takimet e Bashës
parashikohen të përmbyllen në një mbledhje të përbashkët me kryesinë e PD dhe
grupit parlamentar në orën 17:00.
Pritet që në përfundim të ditës së sotme, PD të
dalë me një plan të ri veprimi dhe me një përgjigje nëse do të vazhdojë ende me
protesta të dhunshme ose jo.
Gjatë konferencës për mediat me gazetarët, Basha tha se është i hapur dhe i gatshëm të përshihet në dialogun politik në vend me ndihmën e ndërkombëtarëve. Kushti i vetëm ishte largimi i Ramës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i hapet rruga zgjidhjes së krizës politike dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira.
“Gjatë 24 orëve të fundit përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe telefonike jam njohur me angazhimin e miqve strategjikë për të ndihmuar për të dalë nga kjo krizë e thellë politike. Ju kam komunikuar atyre, siç dua t’u komunikoj qytetarëve shqiptarë se e mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtare për të zgjidhur këtë krizë dhe për ti kthyer shqiptarëve sovranitetin e vjedhur. Por kushti i panegociueshëm është largimi i Ramës. Largimi i Edi Ramës është çelësi që i hap rrugën këtij procesi politik. Një qeveri tranzitore me detyra të përcaktuara qartë. Jemi të gatshëm të diskutojmë edhe mbi detyra për aspekte të tjera të reformave të thella zgjedhore që do të bëjnë të mundur që kurrë më, asnjë forcë politike, asnjë njeri me pushtet mos marrë peng vendin duke marrë peng zgjedhjet përmes bashkëpunimit me kriminelët. Ky është synimi ynë, t’i japim fund një Shqipëria të përjashtuar nga barazia para ligjit, nga barazia duke i dhënë fund një pakice që ka marrë vendin me anë të shit-blerjes së votës.” -tha Basha
I pyetur nga gazetarët se kush është platforma për të ndaluar zgjedhjet më 30 qershor, Basha tha ato janë shtyrë edhe në të kaluarën madje nga vetë Rama në 2007, prandaj nuk ka se pse kjo të mos ndodh tani. Basha tha se largimi i Ramës është e vetmja mënyrë që Shqipëria të çlirohet nga krimi.
Gazetari: Kryeministri Edi Rama tha se më 30 qershor do të bëhen zgjedhjet. A ka PD ndonjë platformë që të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve, pasi opozita i konsideron si proces fals dhe të korruptuar?
Basha: Kjo që ka deklaruar Rama tregon sesa në panik ndodhet. Nuk besoj se është rënduar aq shumë sa të mos kujtojë se më 2007 shtyu zgjedhjet. Këta janë të gjitha vetëm pretendime. Rama ka marrë peng karrigen e kryeministrit me krimin e organizuar dhe thotë se është i kërcënuar. Nga kush është i kërcënuar? Nga krimi. Edhe ndodh. Nëse ndodh që kryeministri kërcënohet nga krimi i organizuar, imagjino se çfarë mund të ndodhë me popullin. Kemi një kryeministër të marrë peng nga krimi. Kandidati i Shijakut është i diktuar nga Abdylaj. Kandidatja e Durrësit e diktuar po ashtu. Lista e kandidatëve të PS është pasqyra e bashkëpunimit kriminal të Ramës me bandat. Ata janë bos të bandave kriminale. Në vend se të jenë këta prapa hekurave, janë prapa hekurave qytetarët. Me Ramën e keqja do të shkojë thellë e më thellë. Vetëm largimi i tij do të bëjë që Shqipëria të çlirohet nga krimi dhe t’ia zgjidhë duart drejtësisë.
Mbështetësit e Bashës kanë dënuar dhunën që është përdorur gjatë protestës së organizuar nga opozita. Presidenti i Partive Popullore Europiane, PPE Joseph Daul ka reaguar pas protestave të dhunshme opozitës përmes një postimi në Twitter.
Joseph Daul i ka “tërhequr veshin” mikut të tij Basha duke dënuar ashpër dhunë e përdorur në protesta dhe ka bërë thirrje që palët të ulen për dialog për zgjidhjen e krizës politike.
“Dënojmë fuqishëm përdorimin e dhunës gjatë demonstratave të fundit në Shqipëri. Të gjitha palët e përfshira duhet të kthehen në një dialog të ndershëm politik, të adresojnë shqetësimet dhe shkaqet rrënjësore, të rrisin retorikën dhe të qëndrojnë larg çdo lloj dhune.” – shkruan në Twitter Daul
Daul i shtohet zërave të tjerë ndërkombëtar që kanë dënuar dhunën e ndodhur gjatë protestave të opozitës së bashkuar.
Basha, gjatë fjalës së tij për mediat, nuk la pa përmendur edhe protestuesit e arrestuar dhe të dënuar me masë “arrest me burg” nga gjykata ditën e sotme. “Ju jeni të burgosur politik të një regjimi monist” tha Basha, i cili shprehu mirënjohje për sakrificën e tyre duke thënë se gjyqtari që dha këtë masë nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
“Zemra e protestës vazhdon të jetë kryeqyteti. Dua t’i shpreh mirënjohje, sidomos rinisë. Ata e kuptojnë se kjo është një ngjarje që do të ndryshojë njëherë e mirë Shqipërinë. Vendin tonë nuk do e lëmë në dorën e një njeriu që ka marrë peng Shqipërinë, ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve. Një mesazh kam edhe për ata që hynë në burg për protestat. Vëllezër dhe motra që sakrifikuat, ju jeni sot të burgosur politik të një regjimi monist. Ju siguroj se dhunuesit tuaj do vendosin përpara përgjegjësisë. Përpara drejtësisë, do të vendoset babai i nënkryetarit të FRESSH, gjyqtari që la në burg 20 protestues. Këtij gjyqtari i them se nuk do të shpëtojë nga drejtësia. Ne nuk lejojmë që kjo qeveri të bëjë reformën sipas orekseve politike të saj. Pushteti absolut korrupton absolutisht.” – tha Basha
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur për mediat në lidhje me protestat e zhvilluara më 11 dhe 13 maj si dhe për të informuar në lidhje me aksionin opozitar që do të ndiqet më pas. Basha falenderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestë dhe nuk i ndali asgjë që të dalin në rrugë për të rrëzuar krimin. “Ky është mesazhi më i qartë kombëtar për pengmarrësit e demokracisë” tha Basha në lidhje me protestën.
“Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj dite ka qenë media, gazetarët dhe operatorët që kanë qëndruar në kushte të vështira, operatorët duke ecur mbrapsht për të transmetuar live këtë ngjarje. Dua të falënderoj qytetarët, një mirënjohje të jashtëzakonshme kam për ju. Asgjë nuk ju ndali të vinte në këtë protestë.
Ky ishte një mesazh kombëtar, i qartë dhe i prerë për këdo dhe në veçanti për pengmarrësin e demokracisë, për pengmarrësin e familjeve shqiptare, njeriun që ka mbyllur derën e negociatave se nuk ka dhe s’do ketë asnjë hap pas. Do ketë vetëm hapa para. Bashkimi ynë ka marrë përmasa që i tejkalojnë kufijtë politikë të mbështetësve të opozitës, është një bashkim popullor. Përshëndes ata socialistë që iu bashkuan dje protestës dhe i takova disa prej tyre personalisht, duke u dhënë mesazhin se kjo nuk është betejë për pushtet, por për transformim. Ky transformim nis me votën e lirë. Pjesëmarrja madhështore dëshmoi besimin e madh që kanë qytetarët tek kauza.” – tha Basha.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ashtu siç pritej ka mbajtur fjalën e tij para Kryeministrisë gjatë protestës duke u bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e krimit. Basha tha se Rama ju përgjigj protestës paqësore me dhunë dhe gaz lotsjellës, ndërsa prokuroria ka ndalur çdo aksion të saj për të hetuar krimet e qeverisë.
“Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna.
Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka çdo shqiptar, votën e lirë.
Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron EdI Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit. Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari.” – tha Basha
Rruga drejt Evropës mbetet e bllokuar, sepse në Evropë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, me pa ndëshkueshmëri, drejtësi të kapur që mbron kriminelët dhe politikanët e korruptuar tha Basha.
Duhet thënë se protesta nisi e qetë dhe nuk ka pasur incidente apo sulme ndaj policisë si në protestën e kaluar. Pas fjalës së Bashës, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Pas protestës së dhunshme të dielën, me bomba
e zjarr ndaj policisë e kryeministrisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha bën
thirrje për një tjetër protestë pasditen e sotme.
“Asnjë hap pas”, shkruan ai në Facebook ndërsa
shton se protesta do të zhvillohet më 13 maj në orën 18.30.
Deri tani protestat e opozitës kanë qenë të
dhunshme, pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar.
Gjatë protestës së të djelës policia arrestoi 50
persona, ndërkohë që në total janë 84 persona të proceduar, mes të cilëve
ish-deputetët Gent Strazimiri, Flamur Noka dhe sekretari i Përgjithshëm i
Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.
Nga protesta u lënduan 14 policë, dhe 4 protestues.
Fjala e kryedemokratit Lulzim Basha është shoqëruar me tensionime të protestës ku shumë kapsolla, molotov dhe tymuese janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë. Gjithashtu ka pasur edhe përplasje të protestuesve për të çarë kordonin e policisë. Basha tha se nuk do të ketë më marrëveshje me krimin dhe se në 6 vite kanë qeverisur kriminelët. Gjithashtu Basha tha se ora e lojës me popullin dhe fatin e tij kam marrë fund, kriminelët duhet të jenë në burg dhe jo të pandëshkuar.
“Jemi mbledhur sot, me një qëllim për të mos pranuar më kurrë Shqipërinë e krimit, korrupsionit, hajdutërisë, por të Shqipërisë si e gjithë Europa. Ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica të përditshme që ju të gjithë e dini se si në këto 30 vite e vetmja mënyrë për të rilindur ishte përmes largimit. Ne jemi sot përsëri në një udhëkryq të tmerrshëm si produkt i lidhjes së krimit me qeverinë. Ne jemi këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë e të prerë Ramës nuk të lëmë më të bllokosh rrugën tonë drejt Europës “Rama ik”. 6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Ramës dhe Organizatës së tij e kanë lënë Shqipërinë jashtë Europës. Vendi i vetëm në botë pa Gjykatë Kushtetuese. Ora e lojës me popullin dhe fatin e tij ka marrë fund. Bashkimi i Edi Ramës me krimin ka qëllim të dhunojë shqiptarët, të dhunojë zgjedhjet. Shumë duhet të jenë në burg, por janë sot të pandëshkueshëm. Zgjedhje me krimin nuk do të ketë më.” – tha Basha
Basha u bëri thirrje protestuesve që të mos dhunojnë policinë, pasi beteja ishte me krimin dhe qeverinë e lidhur me të. Protestat kanë treguar se ky vend mund të bëhet dhe kanë dhënë shpresë për një të ardhme më të mirë ka thënë Basha.
“Efektivët e policisë janë vëllezër tanë ata janë po kaq të kërcënuar nga krimi sepse krimi është komandanti i vërtetë i Policisë së Shtetit. Mos cenoni efektivët e policisë. Beteja jonë është me krimin, me qeverinë e lidhur me krimin. Jemi këtu për t’i dhënë një mesazh kryehajdutit. Misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë. Këtë betejë nuk e bëjmë për pushtet, parti, karrige, mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra. Zgjedhje, drejtësi, ekonomi, shëndetësi, arsim false nuk do të ketë. Jini krenar për këtë që keni arritur. Bashkimi më i madh i shqiptarëve. Në vetëm 12 javë është zgjuar shpresa. Është rikthyer besimi se ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet.” – tha Basha
Nga Kamza kryedemokrati Lulzim Basha u bëri ftesë të gjithë të rinjve dhe qytetarëve që të bashkohen me protestën e nesërme më 11 maj për të rrëzuar “qeverinë e krimit dhe të numërojnë mbrapsht orët e arrogancës”. Basha përsëriti edhe një herë se zgjedhje pa PD nuk do të ketë.
“Nesër më 11 maj rinia dhe shqiptarët e lirë do të godasin tiraninë e krimit në pushtet. Ne jemi të bindur se Shqipëria një ditë do të bëhet pa Edi Ramën kryeministër. Pa shkuar në burg ata që vodhën zgjedhjet, nuk ka hapje negociatash. Zgjedhje pa PD nuk ka dhe nuk ka për të pasur. Të gjithë të rinjtë më datë 11 maj, nesër do të jenë në sheshin Dëshmorët e Kombit. Rinia është me ne, kundër krimit, korrupsionit në vendin tonë. Sot rinia po ikën jashtë Shqipërisë për fat të keq si në vitin 1991. Edhe unë ika më 1990, por erdha të bëjë këtu Shqipërinë europiane. Dhe Shqipëria europiane do të bëhet kur të ikë Rilindja e krimit. Më 11 maj të shkundim këtë qeveri kriminale. Kjo qeveri ka mbyllur bizneset, ka falimentuar fermerët, ka shkatërruar universitetet. Nesër luftoni për një Shqipëri europiane dhe këta kohë do të ketë përgjigje përfundimtare. Ta ndalim makthin e organizatës kriminale të Rilindjes. T’ia bëjmë të qartë demokratëve e socialistëve se orët e shtypjes e arrogancës po numërohen mbrapsht se mbrapsht po numërohet ora e Ramës kryeministër dhe e qeverisë së lidhur me krimin.” – tha Basha