Pas reagimit të Departamentit Amerika të Shtetit, të premten pasdite reagoi dhe Bashkimi Europian në lidhje me sulmet e Ilir Metës ndaj ambasadorëve të huaj. Të enjten, pasi u shkarkua Besnik Muçi nga Vettingu, Meta shpërtheu ndaj disa ambasadorëve të huaj në vend duke i quajtur “palaço”. Këto deklarata të Ilir Metës, Bashkimi Europian i cilëson të papranueshme.
“Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme”, thuhet në deklaratën e Maja Koçijançiç, Zëdhënëse në Bashkimin Europian. Më tej, BE shprehet se çdo qëndrim zyrtar që mbajnë përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Shqipëri, janë qëndrimi dhe pikëpamje të vetë BE-së.
“Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së. Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.Më tej, Koçijançiç shprehet se BE po punon për të ndihmuar Shqipërinë për të çuar para reformat.
“Bashkimi Evropian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë. Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë”, lexohet në deklaratën e Koçijançiç.