Emmanuel Macron e përjetoi si fyerje prestigji faktin që macronistja e fortë, Sylvie Goulard, të cilën ai e propozoi për Komisionin Evropian, u refuzua nga Parlamenti Evropian. Pasi shprehu habinë në publik (“dua të marr vesh, çfarë ndodhi?!”), Presidenti francez bëri përgjegjëse në të njëjtën frymë Ursula von der Leyen-in, kryetaren gjermane të Komisionit të ri Evropian. Ai tha se ajo nuk e mbajti fjalën. Por sipas investigimeve të medieve gjermane dhe evropiane, e vërteta nuk është kaq e thjeshtë.
Shkaqe
për refuzimin e francezes
Shkaqet kanë të bëjnë, së pari, me kandidaten franceze vetë: para
dy vjetësh Sylvie Goulard u detyrua të japë dorëheqjen si ministre e Mbrojtjes
e Francës, për shkak të kritikës se kishte marrë pagesa për një punë fiktive.
Nuk përjashtohet në parim mundësia që këtë çështje ta hetojë drejtësia franceze.
E pyetur në njërin nga dëgjimit në Parlamentin Evropian se a do të jepte
dorëheqje si Komisionere, po ta padisë për punën fiktive drejtësia franceze,
Goulard kundërshtoi. Ky ishte njëri nga shkaqet që solli refuzim të gjerë për
kandidaten e Macronit, citohen në mediat gjermane europarlamentarë të pranishëm
në votim.
Së dyti, refuzimi ushqehet te bllokimi që i bëri Macroni
kandidimit të gjermanit Manfred Weber, për kryetar të Komisionit Evropian.
Weberi, që në Parlamentin Evropian kryeson grupin më të madh parlamentar, atë
të Partive Popullore Evropiane bëri fushatë në zgjedhet evropiane dhe u
propozua nga parlamentarët për këtë post.
Por Macroni nguli këmbë që Weberi nuk e paraqet dot si duhet
Evropën në parketet diplomatike. Revista gjermane “Der Spiegel”
shkruan se Weberi kishte kështu arsye të mos e ndihmonte, kandidaten me
probleme të Macronit.
Veç Weberit, kritik ndaj kandidates së Macronit qenë eurodeputetë
lindorë, një pjesë e të cilëve janë bërë skeptikë ndaj Macronit, që kur ai do
të afrohet me Rusinë. Mediat gjermane
shkruajnë edhe se aleatja e ngushtë e Manfred Weberit, Monika Hohlmeier (e bija
e ish-kryeministrit bavarez Franc Jozef Shtraus), gjithashtu e kundërshtoi
francezen. Kur refuzuam hungarezin dhe rumunen për konflikt të mundshëm
interesash, pse duhet të lejojmë francezen? citohet Hohlmeier.
Pse
nuk e bindi Gjermania Weberin?
Sipas medieve duket se von der Leyen-i nuk e ka plotësisht nën
ndikim Manfred Weber-in. Ka politikanë që edhe e kuptojnë hidhërimin e tij për
refuzimin nga Franca. Refuzimi i Weberit nga Macroni qe një sfidë publike
franceze edhe për Gjermaninë. (Këtë Berlini atëherë e gëlltiti edhe duke kujtuar
miratimin e ardhshëm të buxhetit të BE: Gjermania duhet të paguajë pas Brexitit
miliarda euro më shumë në këtë buxhet dhe kërkon rabat, kurse Franca është
kundërshtarja kryesore për këtë).
Megjithë këtë: sipas Spiegel-it, von der Leyen-i u interesua për
gjendjen para votimit te Manfred Weberi. Dhe ai e siguroi që francezja do të
trajtohet me korrektësi. Fakt është që francezja Goulard u kundërshtua nga gati
të gjitha grupet parlamentare në Parlamentin Evropian. Mori 82 vota kundër dhe
vetëm 29 vota pro, me një abstenim.
A
vazhdon revoltimi i Macronit me Gjermaninë?
Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, në BE ka vetëm një shtet
të fuqishëm mjaft, sa të bëhet kundërpeshë ndaj Gjermanisë: Franca. Është me
interes të shihet, ku do ta verë në të ardhmen pikërëndesën Macroni: te
kundërpesha ndaj Gjermanisë apo te aleanca me fqinjin e fuqishëm.
Si politikan realist, Emmanuel Macroni nuk duhet të jetë vërtet i
zemëruar me Gjermaninë. Pasi e di se pa Gjermaninë nuk e miraton dot në
Parlamentin Evropian as Komisionerin e ri francez.
Për çdo eventualitet, Macroni merr masa: kështu ai bllokoi në
samitin e fundit të BE projektin e mbrojtur qartësisht nga Gjermania dhe
shumica e shteteve të BE: nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe
Shqipërinë.
Natyrisht, tek shtetet ballkanike, problemet nuk duhet t’i kërkosh
me lupë. Por Macronit i duhet Gjermania (e aleatë të tjerë), për miratimin në
Parlamentin Evropian të kandidaturës së re franceze për Komisionin: i duhet
megjithatë me një angazhim më efektiv pro tij.
Kjo pasi Macroni nuk ka bazë të gjerë mbështetje në Parlamentin
Evropian. Lëvizja e tij është pjesë e grupimit liberal, që nuk është njëri ndër
dy grupet e mëdha.
Parlamenti Evropian tregon pak simpati për Macronin. Parlamentarët i dhanë atij një shuplakë një
herë, me refuzimin e kandidates së tij Goulard. Ndoshta edhe për t’i treguar se
nuk e pranojnë një lloj mospërfilljeje, që duket se ai ka ndaj tyre. Por refuzimin ata mund ta përsërisin, edhe me
kandidatin e ri të tij për Komisioner.
A
pritet mosrespektim nga Parlamenti Evropian edhe i vullneteve të Gjermanisë e
të Francës si shtete?
Eurodeputetët gjermanë janë në numër shumë të madh në Parlamentin
Evropian. Megjithatë kjo nuk përjashtohet. Pas zgjedhjeve evropiane, Parlamenti
Evropian është fragmentarizuar politikisht. Konservatorët në partitë popullore
dhe socialistët janë ende grupet më të mëdha, por miratimet nuk janë më thjesht
punë teknike. Shumicat e votave duhen
siguruar me shumë punë bindëse. Këtë punë zakonisht e bëjnë kryetarët e grupeve
më të mëdha parlamentare.
Macroni e quajti të natyrshme të refuzojë në samitin e BE nisjen e negociatave me dy shtete të vogla ballkanike – edhe nga droja prej emocioneve të populistëve në Francë. Parlamenti Evropian e quajti të natyrshme të refuzojë pas dy dëgjimeve kandidaten e tij – që Macroni t’i marrë seriozisht emocionet e të gjithë parlamentarëve./ DW