Bindet Greqia, pro negociatave për Shqipërinë

Ministrat e Jashtëm të katër vendeve anëtare të BE nga Ballkani, Greqia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania, kanë zhvilluar një takim në New York. Ministrat e katër vendeve konfirmuan mbështetjen “pro” integrimit Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Lajmi konfirmohet nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili në një deklaratë zyrtare, shprehet se: “Kam pasur kënaqësinë e madhe që sot të jem me Delegacionin Grek, në takimin me ministrat e jashtëm të tre vendeve të Ballkanit që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë”.

“Gjatë takimit tonë diskutuam perspektivën e Ballkanit Perëndimor, perceptimin tonë të përbashkët se vedet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane dhe çështjet specifike të zgjerimit në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Unë mendoj se është një hap i mirë që Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit janë në gjendje të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të mbajnë qëndrime të përbashkëta për interesin dhe zonën e përbashkët gjeografike brenda Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. 

Ky qëndrim pozitiv i Greqisë, që konfirmon mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vjen pas takimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në New York me hologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Kryeministri i shtetit fqinj kishte paralajmëruar “veton” për Shqipërinë, por duket se pas takimit me Edi Ramën, Greqia ka ndryshuar qëndrim.

Gjatë takimit mes dy kryeministriave në New York, është diskutuar për hapjen e negociatave dhe tema të tjera të bërbashkëta mes dy vendeve. Ky takim, ishte vendimtar, për të “bindur” Greqinë, se Shqipëria i meriton negociatat me Bashkimin Europian. Rezultati konfirmohet nga Ministria e Jashtme e Greqisë të mërkurën, e cila u shpreh se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane”. /Realstory.al/

Rama bind banorët të lënë shtëpitë

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e të dielës në qendrën e ngritur në stadiumin e Durrësit, ku do të qëndrojnë përkohësisht disa banorë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti. Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, banorët u shprehën se vendosën të qëndrojnë në qendrën e ngritur në stadium për shkak të panikut dhe frikës. Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu informioi kryeministrin se për banorët janë vënë në shërbim mjekë, infermierë por dhe punonjës socialë e psikologë për të përballuar tramuat.

Rama u bëri thirrje banorëve të shkojnë te konvaleshenca në Durrës, ku janë në dispozicion qindra shtretër, me qëllim që të fillojë puna për riparimin e dëmeve në banesa dhe pallate. Ndërkohë, pasdite kryeministri Edi Rama ka vizituar disa familje në Njësinë nr.7, të cilat ishin prekur nga tërmeti. Rama u ka kërkuar familjeve që të largohen nga pallati, me qëllim që të fillojë puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Ishte tërmet i fortë. Ne i kemi parë gjithmonë me frikë këto godinat, sidomos këto godinat e reja. Por kanë rezistuar shumë mirë. Kjo duhet të riparohet, pjesa e sipërme, se strukturalisht nuk besoj se do të ketë problem. Merr dhe njerëzit e tjerë të familjes dhe shkoni te Konvoleshenca dhe bëni një pushim. Vlerësojeni këtë, atje i keni të gjitha në dispozicion”.

“Ku na dole ti korçare trime. Korçaret janë për ballo, për teatro, për libra, për gjuhën shqipe, për kultivimin e shijes dhe edukatës së lartë, por dhe kshu trimesh nuk i dinim. Duhet bërë kjo gjë, sepse është shumë problem ajo pjesa lartë. Mua më morën dhe më thanë hajde urgjent që tu mbushim mendjen disa familjeve që të largohen. Duhet të largoheni që këtu të merreni me këtë punë. Fillimisht nuk duhet të rrijë kjo kështu”, tha Rama.

Exclusive: “Kushtet”, për kapitujt, jo për negociatat

Kryeministri Edi Rama ka arritur të ulë skepticizmin gjerman dhe me shumë gjasë Shqipëria do marrë hapjen e negociatave në 18 tetor, dhe mbledhja e parë ndërqeveritare me Komisionin Europian, mund të mbahet para fundit të dimrit. Nëntë kushtet gjermane, sipas një burimi zyrtar për Realstory.al, janë kushte që lidhen me kapitujt, por jo me hapjen e negociatave. Megjithëse, nuk duket me rëndësi për njerëzit, për shkak se nga Meta e deri te Shpëtim Idrizi, mos hapja quhej fundi i tij, kjo ishte një fitore politike private e Edi Ramës.

Ndoshta ky lajm shtyu sërish Kryeministrin të ftonte opozitën jashtë Kuvendit të bashkohej në tryezën e Reformës Zgjedhore. Pas drejtësisë duket se kjo reformë po kthehet strategjikisht e rëndësishme pasi opozita e re drejtuar nga Rudina Hajdari kërkon ndryshim të sistemit, ndërsa gjithë të tjerët, Rama, Basha, Meta dhe Berisha, nuk duken të dëshiruar të ndryshojnë rregullat që i damkosën çel e mbyll në pushtet.

Lulzim Basha u përgjigj ftohtë por kësaj radhe “Rama ik” e zëvendësoi me “Gjiknuri largohu”, një kusht që për Ramën nuk është domosdoshmërisht i papranueshëm. Ndaj dhe takimi pasdite mes aleatëve të opozitës është interesant, pasi aleatët prej javësh i bëjnë Bashës presion publik dhe privat që të heqë dorë nga kushtet dhe të ulet e bisedojë e bjerë dakord me Ramën për rregullat e reja të lojës. /Realstory.al/

Basha sulmon OSBE. Pranon dialog me Ramën (por problemi është Gjiknuri)

Lulzim Basha ka folur pasditen e të mërkurës për mediat, pak orë pas letrës publike që Kryeministri Edi Rama i bëri liderëve të opozitës, ku i ftonte për dialog. Kreu i PD-së nuk dha një përgjigje të prerë nëse do e pranonte apo jo ftesën e Ramës për dialog. Megjithatë, ndër fjalë, ai la të kuptohet se është gati për bisedime, por duke vendosur një kusht, largimin e Damian Gjiknurit si Kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore. “Sot prioritet është zgjidhja e krizës, politike. Zgjidhja e krizës është prioritet absolut i Shqipërisë, i PD-së dhe opozitës së bashkuar. Këtë krizë nuk e ka shkaktuar kodi zgjedhor, kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë. Kushtetuta dhe ligjet nuk janë përgjegjëse as për Valdrin Pjetrin, Mark Babanin dhe Agim Kajmakun. Nuk mund të fshihemi pas letrave dhe kërkesave të pa sinqerta dhe provokimeve të rënda, ftesës nga një individ, i dyshuar kryesor për dosjen 184. Nëse ideja për Kodin Zgjedhor përfshin Gjiknurin, të ftojnë Avdylajt, Shullazin, Ymer Lalën dhe të tjerë se kjo është një tallje”, tha Basha.

Më tej, gjatë deklartës së tij, kryedemokrati la të kuptohet se Reforma Zgjedhore  do të jetë pikëtakimi i dialogut me mazhorancën. Megjithatë, për këtë ai u shpreh se së pari duhet ndarja e krimit nga politika, dhe më pas, së bashku me reformën zgjedhore, duhet dhe një reformë politike.  “Opozita po përgatit platformën e saj, do të bëjë publike dhe do ta diskutojë. Po jemi të vendosur, reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj, por zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet politik. Letra të hapura dhe përfshirja e individë të përfshirë në dosjen 184. Hapi i parë duhet të jetë pranimi i situatës në vend, i paligjshmërisë ku e ka futur vendin kryeministri. Kjo mund të shtrojë bazën për daljen nga kriza, ndarjen e krimit nga politika. Një reformë e plotë zgjedhore bashkë me një reformë politike” deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, Basha sulmoi dhe prezencën e OSBE-së në Tiranë. Sipas tij, pas raportit të OSBE/ODIHR, prezenca e OSBE në Tiranë nuk ka thënë asnjë fjalë për zgjedhjet dhe kryebashkikët, që sipas Bashës, kanë rekorde kriminale. “Ne u kemi dhënë një përgjigje ndërkombëtarëve. Nuk jemi ne pengesa për një proces transparent, parimor dhe gjithëpërfshirës për zgjidhjen e krizës, po Edi Rama që nuk mund të fshihet pas letrave publike, që çon pas Damian Gjiknurit. Sa i përket OSBE-së në Tiranë, pres që të shprehet për raportin e OSBE-së, tre kryebashkiakët me rekorde kriminale dhe shkeljet e rënda të Kushtetutës. Nuk kemi dëgjuar asgjë nga OSBE-ja, por kjo është dicka përtej mandatit dhe gjykimit tim” tha Basha. 

Megjithatë, Basha nuk e përmendi largimin e Ramës, tonet e tij ishin më pak të ashpra nga e kaluara. Së paku, ai la të kuptohet se është gati për dialog, duke vendosur dhe kushtetet për t`u ulur në tryezë. Në fakt, aleatët e Lulzim Bashës,  fill pas përfundimit të zgjedhjeve t ë30 qershorit kanë kërkuar dialog me Kryeministrin, ku hapin e parë e bëri Monika Kryemadhi, e cila u shpreh e para se “ishte gati të shkonte në zgjedhje me Ramën”. /Realstory.al/

Rama: Metën e shkarkojmë, me opozitën bashkëpunojmë

Kryeminisri Edi Rama ka folur në një intervistë për Tv Klan, duke prekur disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit politik, dhe jo vetëm, në vend. Fillimisht, shefi i qeverisë ka folur për hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Në deklaratën e tij, Rama ka preferuar të jetë i rezervuar, duke u shprehur se nëse do të hapen ose jo negociatat, “këtë do e marrim vesh në 18 tetor”. “Këto do e marrim vesh në 18 tetor dhe pse jemi në fund të rrugë. Por dhe pse është ende shumë e gjatë ka dhe shumë vendime për të marrë.”

Kreu i qeverisë, duke nisur prej muajve të verës, ka anashkaluar pothuajse çdo akuzë politike ndaj kundërshtarëve. Në rrjetet sociale, çdo ditë, kreu i qeverisë ka zgjedhur të publikojë punë të ndryshme të bëra në qytete të vendit, nga rikonstruksioni i qendrave urbane, te spitalet, shkollat, çerdhet, rrugë, apo dhe mesazhe të qytetarëve që u janë zgjidhur problemet pasi kanë kërkuar ndihmë në portalin qeveritar.

Për herë të parë, Rama ka pranuar se kjo është një strategji e re e komunikimit të tij publik, duke u shprehur se nuk do të thotë më asnjë fjalë për të tjerët, pasi e quan kohë të humbur. “Do dëgjoni gjithmonë dhe më pak nga unë fjalë  në lidhje me të tjerët. Nuk më interesojnë sepse është kohë e humbur është energji e shpenzuar kot”, ka thënë Kryeministri. Më tej, gjatë fjalës së tij, Rama ka përsëritur qëndrimin se mbetet me dorën shtrirë ndaj opozitës për dialog, jo vetëm për Reformën Zgjedhore, por për shumë aspekte të jetës së vendit.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të ndërveprojmë me të gjithë qoftë më opozitën në parlament apo opozitën jashtë parlamentit. Jo vetëm për reformën zgjedhore, por për çdo aspekt të jetës së vendit që kërkon vëmëndje”. Në fund, Rama është shprehur se shkarkimit të Ilir Metës do ti shkohet deri në fund. “Kjo shumicë qeverisëse nuk është krijuar për të bërë presione ndaj askujt. Procesi në fjalë është një proces dhe tani është në dorë të parlamentit”, ka thënë Rama, ndërsa është shprehur se për Shkodrën ende nuk është gjetur një zgjidhje.

Gati projekti i Aeroportit të Vlorës. Prezantohet të hënën

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar pasditen e të dielës, se është përfunduar hartimi i projektit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Lajmin, kreu i qeverisë, e ka dhënë në Facebook, duke treguar fillimisht se negociatat me konsorciumin që shprehu interes për ndërtimin e Aeroportin e Vlorës, dështuan.

“Gati projekti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me konsorciumin që shprehu interes për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, u angazhuam drejtëpërdrejt në bërjen e projektit për të mos humbur tjetër kohë të çmuar”, shkruan Rama.

Më tej, ai ka sqaruar se projekti për aeroportin e Vlorës është bërë nga studio e famshme ARCHEA, që sipas Kryeministrit, projekti është ambicioz dhe me standarde të larta teknike dhe arkitektonike. “Falë një pune voluminoze në bashkëpunim me një skuadër ndërkombëtare ekspertësh nën drejtimin e studios së famshme ARCHEA, kemi në dorë një projekt ambicioz të standarteve më të larta teknike e arkitektonike. Për më shumë nesër në Vlorë në prezantimin e projektit, tek “Tre Racat”, 17.00”, shkruan Rama.

Aeroporti i Vlorës ka qenë një premtim i hershëm i Kryeministrit Rama, ku fillimisht inters shprehën kompani turke për ndërtimin e tij. Megjithatë, gjërat nuk shkuan si duhet dhe aeroporti i Vlorës nuk nisi të ndërtohej, ndërsa tani, Rama jep lajmin e shumëpritur për qytetarët e Vlorës dhe jugut të vendit, për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

GATI PROJEKTI PER AEROPORTIN NDERKOMBETAR TE VLORES😁• Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me…

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 15. September 2019

Opozita i bën dalje Metës. Mediu: Dialog me Ramën (dhe ndërkombëtarët)

Pas sulmeve që Ilir Meta bëri ndaj opozitës, duke u shprehur se në protestat e saj ‘do të tentohej të digjej parlamenti’, Partia Demokratike dhe aleatët, po japin sinjale të thellimit të krisjes me kreun e shtetit, të cilin në fakt deri pak kohë më parë e shihnin si garantin e ‘unitetit’ kombëtar. Në një intervistë në një studio televizive, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se opozita duhet të dialogojë me mazhorancën, duke thënë se ‘institucioni i opozitës duhet të ulet me institucionin e mazhorancës’.  

“Opozita duhet të kërkojë dialogë me mazhorancën. “Rama ik” patjetër, sepse është simbol i së keqes. E lidhim politikën thjesht me individ. Përgjegjësia ka një hierarki, asnjëri nuk është i imunizuar nga e keqja. Këta kanë një përgjegjësi më të madhe se personat e tjerë. Në Shqipëri, pushteti nuk është më institucional, por i liderëve partiak. Institucioni i opozitës duhet të ulet me institucionin e mazhorancës, me faktorin ndërkombëtar. Historia ka treguar që në momente të vështira është gjendur zgjidhje. Duhet ta mendojmë më afatgjatë zgjidhjen”, shprehet Mediu.

Më tej, ai ka shtuar se dialogu i opozitës me mazhorancën duhet të bëhet nëpërmjet partnerëve ndërkombëtarë. “Kemi nevojë për partnerët ndërkombëtar, se çfarë bëjmë ne janë edhe kërkesa të tyre. Në këtë pikëpamje, Komisioni Europian,  SHBA dhe OSBE-ODIHR kanë shpallur interes për dialog, por nuk mund të vijnë kur ne sot jemi pjesë e një sherri. Nuk heq dorë se sa më shpejt të largohet Rama, aq më mirë, por s’e kam në dorë. Unë duhet të shikojë interesin e vendin. Nëse opozita do marrëdhënie me qytetarët dhe ndërkombëtareve, duhet të lërë indinjatën”, tha Mediu.

Në fakt, Ilir Meta nuk ngurroi të sulmonte përsëri ndërkombëtarët të mërkurën pasdite gjatë një konference për shtyp. Akuzat ishin të rënda, aq sa kreu i shtetit i cilësoi ndërkombëtarët se ‘po mbajnë Shqipërinë në situatë ngërçi’. Ndërkohë, fakti që aleatët e Bashës, dhe vetë kryedemokrati është shprehur më herët, se zgjidhja e krizës duhet të bëhet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, është dhe një përgjigje ndaj Ilir Metës për deklaratën e tij të një dite më parë, ku fajësoi ndërkombëtarët si përgjegjës për krizën politike në vend.

Meta pesimist për negociatat. Rama i përgjigjet nga Çekia

“11 tetori është një datë e parëndësishme, por po i jep rëndësi mazhoranca për të larguar vëmendjen nga 18 tetori”, u shpreh Ilir Meta të mërkurën pasdite në konferencë për shtyp. Kreu i shtetit shfaqi pesimizëm se vendi ynë nuk do të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sipas Metës “qeveria duhet të kishte shfrytëzuar pushimet e verës për të punuar për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave”. Në fakt, kushtet janë përmbushur, këtë e tha Komisioni i Europës në progres-raportin e muajit qershor, ku rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Jo vetëm kaq, por përmbushjen e kushteve e konfirmoi gjithashtu Këshilli i Europës, që u shpreh se vendet kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet, por vendimi u shty për t`u marrë në tetor pasi Europa sapo kishte përfunduar zgjedhjet parlamentare, dhe vendet anëtare kërkuan më shumë kohë për t`u njohur me progres-raportin. Kryeministri Edi Rama, kritikave të shumta të Ilir Metës për qeverinë, të artikuluara të mërkurën gjatë konferencës për shtyp, nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt.

Megjithatë, nga Çekia, ai ka dërguar një mesazh në adresë të kreut të shtetit, duke konfirmuar se disa nga vendet anëtare të BE, jo vetëm do të mbështesin çeljen e negociatave, por njëkohësisht do të punohet për një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik. “Në Pragë me vendet e V4 (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia) dhe vendet e Ballkanit Perëndimor – Jo vetëm mbështetje totale nga V4 për çeljen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, po edhe një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik”, ka shkruar Rama.

Raporti i ODIHR, Rama: Gati për dialog me opozitën, zgjedhjet në 2021

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter disa orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i qeverisë i quan të kota përpjekjet e opozitës për mënyrën se si po e lexojnë raportin e ODIHR, duke dashur të ‘ngrejnë furtunë në gotë’. Rama shprehet se përpjekja e opozitës, për ta lexuar raportin si ‘goditje ndaj zgjedhjeve’ është e gabuar dhe dëmshme për vendin. “Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”, shkruan Rama.

Më tej, shefi i qeverisë vijon me komentin e tij, duke shkruar se tashmë është koha që mazhoranca dhe opozita të punojnë për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Ndaj, Kryeministri i kërkon opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. “Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Në fund, Rama përsërit thirrjen për bashkëpunim e dialog ndaj opozitës, duke u shprehur se ‘dora jonë është e shtrirë’. Ai gjithashtu jep dhe mesazhin, se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vitin 2021, duke lënë të kuptohet, se mbetet i vendosur për të mos pranuar kushtin e opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore. “Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogut e bashkëpunimit, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, përfundon Rama.

Basha me akuza të vjetra për Ramën (refuzon zgjedhjet)

Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjetet sociale mëngjesin e të martës, ku akuzon kryeministrin Edi Rama se udhëton jashtë vendit për interesa personale. Kreu i PD, në videon e publikuar në Facebook, tregon se sipas tij, udhëtimet e Kryeministrit Rama janë për interesa personale. Në video shfaqen disa foto të shefit të qeverisë, i cili në fakt i ka bërë vetë publike më herët, kur  ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitave të tij artistike në disa vende të Europës dhe jo vetëm. Megjithatë, për Lulzim Bashën, udhëtimi i Kryeministrit Rama jashtë vendit për të prezantuar punimet e tij artistike, ‘janë udhëtime për punë personale’. Veç videos, Basha shkruan dhe një koment, ku shprehet se shefi i qeverisë është ‘artist i mashtrimit’.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Gjithçka që ka premtuar, gjithçka që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur dhe grabitur bashkë me kriminelët dhe oligarkët. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. Pasuri dhe Luks për vete, Papunësi, Varfëri dhe Pasiguri për njerëzit. Mashtrimeve dhe gënjeshtrave të Hajdutit psiqik ju ka dalë boja. Hajdut psiqik, Rama ik, Shqipëria si Europa”, shkruan Basha.

Megjithatë, kreu i opozitës vijon refrenin e akuzave ndaj mazhorancës, duke lënë të kuptohet se nuk ka bërë progres në aspektin e pranimit të dialogut. Edhe në këtë reagim të fundit, Basha vetëm sulmon kreun e qeverisë (për fotot që vetë Rama i ka publikuar në rrjetet sociale), ndërkohë që nuk thotë asnjë fjalë për ftesën zyrtare që mazhoranca i bëri të hënën nga sesioni i ri parlamentar, ku e ftoi opozitën të jetë pjesëmarrëse në hartimin e reformës zgjedhore.

Në fakt, si një nga kërkesat kryesore të opozitës, për ‘zgjedhje të lira e të ndershme’, reforma zgjedhore mund të jetë pikëtakimi kryesor i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, çka mund t`i jepte zgjidhje dhe krizës politike. Në fakt, reforma zgjedhore ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë një proces i nxitur dhe mbështetur nga ndërkombëtarët dhe më konkretisht amerikanët. Por Basha as këtë herë, nuk flet për ftesën e mazhorancës, e cila pas 30 qershorit, ashtu si para 1 qershorit, ka treguar gatishmëri për dialog dhe për të bashkëpunuar në procese të rëndësishme demokratike të vendit, ku shtyllat kryesore janë reforma në drejtësi dhe ajo e zgjedhjeve.

Skip to toolbar