“Basha ik”, Kulluri: Lul dështove, na lër ta bëjmë vetë PD

Lëvizja “Basha ik” vijon të forcohet brenda së djathtës, pasi Lulzim Basha ka shpallur ‘armik’ këdo që nuk është pro tij. Në një koment të gjatë në rrjetet sociale, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri analizon situatën në vend, duke e nisur me atë që sipas tij ‘Rama largohet nga pushteti duke ardhur PD në krye të qeverisjes”. “Njerëzit inteligjent merren me idetë, mediokrit merren me njerëzit”! Kjo frazë i shkon më shumë për shtat debatit 2-vjeçar brenda opozitës. Të gjithë bien dakord në PD dhe më gjerë që Rama duhej të mos ishte më kryeministër më së paku prej 2 vitesh! Por kjo është vetëm gjysma e çështjes, pasi largimi i Rilindjes nga pushteti realizohet vetëm me ardhjen në pushtet të opozitës. Alternativa brenda të majtës nuk ka pasi PS është shndërruar në një “çetë të bindur rilindësish”, pa debat dhe alternativa pasi e majta ka rënë në krizë në të gjithë perëndimin! Dhe këtu ka filluar debati që nuk mbaron dot, pasi PD gjendet në një debat dhe përplasje idesh dhe qasjesh esktremisht të ndryshme”, shkruan Kulluri.

Më pas, ai analizon situatën në PD, dhe ato që i quan ‘gënjeshtra të Bashës’ dhe shpalljen ‘armik’ të kujtdo që është kundër tij. Në këtë pikë, Edvin Kulluri tregon se kjo është rrugë e gabuar, dhe PD nga ‘ilaç i Shqipërisë’ është shndërruar në një ‘të sëmurë keq’. “Pa dashur të bëj histori se çka ndodhur nga 2013 e këtej, kriza e 2017 vazhdon dhe po zgjatet çdo ditë e më shumë brenda PD duke e zhveshur nga të qenit “ilaçin e Shqipërisë” dhe transformuar në një “të sëmurë të keq”. Kush nuk e sheh, është i verbër. Dhe më mirë se qëndrimet e lidershipit të PD që veçse shton armiq dhe jo kapacitete dhe aleatë, asgjë nuk e shpjegon krizën e të djathtës. E filloi me kritikët në 2017, e vazhdon duke i quajtur listën e shtuar të kritikëve si “të blerë nga Edi Rama”. Më pas sulmoi ambasadat perëndimore dhe Brukselin si “palë me Ramën”, e tashmë bën armik edhe një pjesë të mediave duke përfunduar si “problem” në qëndrimet e “Gazetarë pa Kufij”, shkruan Kulluri.

Analiza e ish drejtuesit të lartë në PD, vijon më tej edhe me vendimin e Bashës për të shtyrë ‘rrëzimin e Ramës’, duke e quajtur një gënjeshtër të ardhës. “Dhe pas shpalljes “armik” të kujtdo që nuk është dakord me Bashën, i këput dhe një shtyrje të revolucionit në vjeshtë pasi i gënjeu për revolucionin e çadrës, atë të pranverës, 30 qershorit dhe zgjedhjeve të 13 Tetorit! “Herën e parë kur gënjen e ke fajin ti, herën e dytë unë”! Këtë postulat që e përdori kundër Ramës vetë asha, tashmë e ka përdhosur pasi 4 herë janë shumë dhe askush nuk e di më se kush po gënjen më shumë, Basha demokratët që i kanë mbetur, apo këta demokratë veten dhe Bashë! Ndaj rruga e sulmeve ndaj kundërshtarëve është rrugë e gabuar dhe mediokër dhe të shtyn në gënjeshtrën e 5-të, 6-të e kështu me rradhë, ndërkohë që 2021 vjen shpejt”, shkruan ai.

Në fund jep dhe zgjidhjen për Partinë Demokratike, duke lajmëruar aksionin e lëvizjes “Basha ik”, për nisjen e takimeve në bazë dhe më pas mbajtjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm. Sipas Kullurit, vetëm kështu mund të rikthehet PD forcë fituese dhe të bëhet gati për të drejtuar vendin në të ardhmen.  “PD ka nevojë urgjente për debat të brendshëm në bazë dhe në fund mbase në një Kuvend të Jashtëzakonshëm që do hapte megjithëse me vonesë, një dritare për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Izolimi, zvogëlimi, rrudhja dhe shtimi i pafund i kundërshtarëve janë dështim i sigurt dhe i provuar. Mos u merr kot me njerëzit Lulzim Basha por me idetë. Nuk ka rrugë tjetër megjithëse kam bindjen se nuk e bën dot, ndaj lëri demokratët të bëjnë vetë këtë gjë. Partia është e tyrja përfshi dhe ty nëse je vërtet demokrat. Të paktën jepu një mundësi demokratëve dhe vetes të rrëzojnë Rilindjen dhe ti rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri siç më tha një demokrat i mirë 2 ditë më parë”, përfundon Kulluri.

Kulluri dërrmon Bashën për dokumentin kundër mediave

Me anë të një qarkore të brendshme, Partia Demokratike i etiketonte si ‘armike’ disa media, përfshirë dhe Realstory.al, duke i akuzuar ato për qëndrime ‘antiopozitare’. Dokumenti i publikuar nga disa portale, është publikuar dhe në Realstory.al, ku pikërisht një ndër mediat që sulmon Lulzim Basha jemi dhe ne. Pas publikimit të këtij dokumenti, ka ardhur reagimi i  disa figurave të rëndësishme të kësaj partie, të cilët e quajnë të tuprshme dhe qesharake këtë qëndrim të PD-së ndaj mediave.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të PD për mediat, duke e quajtur të ‘turpshëm’. “Nëse ky  dokument është i vërtetë është një turp i parapri! Si mundet partia që rrëzoi komunizmin dhe sanksionoi lirinë e shprehjes dhe medias të trajtojë me këtë fjalor komunist mediat që kanë qëndrime ndryshe nga Lulzim Basha!”, shkruan Kulluri. Më tej ai vijon duke u shprehur se Basha dhe bashkëpunëtorët e tij mund t`i përgjigjen mediave nëse nuk bien dakord, por jo ti etiketojnë si “armiq”.

 “Si mundet që të njëjtat qëndrime të Edi Ramës për gazetarët që s`i pëlqejnë si “kazan” etj, t`i përdorë edhe më keq Partia Demokratike e Shqipërisë?! Basha dhe bashkëpunëtorët e tij mund t`i përgjigjen mediave dhe gazetarëve me të cilët nuk bien dakord dhe të polemizojnë me to nëse nuk janë dakord, por t`i etiketosh si Komiteti Qendror i PPSH  njëherë e një kohë “armiqtë e vijës së Partisë dhe Shokut Enver”, është më së shumti e turpshme dhe më së paku qesharake”, shkruan Kulluri.

Email u është dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe forumeve drejtuese të PD, më 23 gusht, ndërkohë që veç sulmeve ndaj Realstory, Basha ka vënë në shënjestër edhe dy portale të tjera. “Për të sulmuar me shpifje dhe të pavërteta PD dhe lidershipin e saj, Edi Rama, pas konsultimit të madh të Mero Bazes dhe Skënder Minxhozit, prej shumë vitesh në shërbim të pushtet të Edi Ramës, ka hedhur në skakierën antiopozitare edhe Sokol Ballën me portalin Realstory”, deklaron Basha në shkresën e tij.

Kulluri, Ramës: Emërimi se janë “gra” nuk siguron një qeverisje më të mirë

Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri ka sqaruar se vendi nuk mund të udhëhiqet nga gratë, vetëm se ato janë gjinia femërore, por duhet të udhëhiqet nga njerëzit e aftë, përfshirë edhe gratë, që dinë të bëjnë punë e tyre, për të ruajtur sovranitetin dhe legjitimitetin e Shqipërisë.

Sipas Kullurit, vetëm se qeveria dëshiron të bëhet pjesë e liberalizmit kulturor që ka përfshirë perëndimin, nuk mund të vërë në krizë legjitimitetin në vend.

Arroganca e pakicave ose dështimi fyes i liberalizmit kulturor! Po bëhet edhe Shqipëria majtas dhe djathtas një kopje e shëmtuar e eksperimentit “liberal”! Po si? Emërimi me çdo kusht i drejtoreshave femra nga Rama në Shkodër, rinovimi i partive me “të rinj”, imponimi i axhendave të njerëzve me orientim seksual të ndryshëm, hapja e kufijve për emigrantet viktima të luftës janë vetëm disa nga betejat e establishmentit liberal që e ka futur perëndimin dhe Shqipërinë në krizë legjitimiteti! Gratë nuk kanë nevojë të drejtojnë pse janë gra përveçse kur janë të afta. Duke i emëruar thjesht se janë “gra” në fakt është fyese për vetë ato dhe nuk garanton as sesi qeverisje më të mire! I kthen pa dashje në pakice përkundër interesit të shumicës!” shkruan Kulluri, duke treguar se urdhri i Ramës për të zëvendësuar të gjithë drejtorët meshkuj në Shkodër, me femra, nuk do krijojë një qeverisje më të mirë.

Shqipërisë duhet t’i kthehet sovraniteti dhe legjitimiteti dhe jo të lejomë pakicat të na qeverisin shprehet Kulluri, i cili e cilëson urdhrin e Ramës si “imponim të pakicave” ndaj shumicës. “ E dinim demokracinë si sistemin që “kufizon tiraninë e shumicës”, ndërsa tani po durojmë “imponimin e pakicave”, çka është idiotizmi i liberaleve! I kemi majtas dhe djathtas dhe po na bëjmë të “ikim nga sytë këmbët”, po ku?! Më mirë të kthejmë sovranitetin dhe legjitimitetin se të na venë para pakicat!” përfundon Kulluri statusin e tij.

“Basha ik”, Kulluri: Demokratë, shpëtoni partinë nga “Zhuljeta” e 17 majit

Edvin Kulluri, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, një nga zërat më kritikë dhe më të ashpër ndaj Lulzim Bashës, nuk i ndal sulmet ndaj tij. Kulluri kërkon largimin e Bashës si mënyrën e vetme për të shpëtuar Partinë Demokratike nga rrënimi, duke konfirmuar edhe një herë se do të jetë pjesë e lëvizjes “Basha Ik”, lindur si një reagim i fortë brenda të djathtëve të pakënaqur me vendimet e kryedemokratit.

Kulluri u ka bërë thirrje demokratëve të largojnë “Zhuljetën “ e 17 majit, duke iu referuar kështu Bashës për të shpëtuar partinë nga vetëasgjësimi. Termi “Zhulietë” në fakt është përdorur nga kryeministri Edi Rama për Lulzim Bashën gjatë gjithë fushatës elektorale të 30 qershorit, ndërsa veten e konsideronte shpesh si “Romeo” për marrëveshjen e arritur mes të dyve më 17 maj 2017.

Këtë ironi të thellë të kryeministrit e ka përdorur edhe Kulluri, i cili shkruan se akuzat e “Zhuljetës” se zërat kritik ndaj tij janë paguar nga Rama për të përçarë opozitën, janë thjeshtë konfirmim i mendimit se që të shpëtohet PD, Basha duhet të ik.

Kur të akuzon se “Rama paguan për të përçarë opozitën” Zhuljeta e 17 majit, e kupton që ke të drejtë plotësisht për të shkulur nga rrënjët servilizmin, konformizmin dhe imoralitetin nga politika! Demokratë, shpëtoni partinë tuaj, shpëtoni Shqipërinë!”- shkruan Kulluri në facebook.

Realstory tha më herët se në shtator do të nis lëvizja “Basha ik” nga të pakënaqurit demokratë, që pas 30 qershorit mbetën pa asnjë lloj pushteti. Kulluri, pjesë e kësaj lëvizje, duket se nuk ka pritur shtatorin për të kërkuar largimin e tij. Gjatë gjithë muajit gusht, ai është treguar mjaft aktiv duke argumentuar se pse Basha nuk mund të jetë më në krye të PD-së.

Kulluri: SHBA, partner strategjik. S’mund ta ndryshojë Basha e shtabi i bojkoteve

Politika e Jashtme e PD është  kaotike dhe e rrëmujshme, njëlloj si organizimi i të gjithë partisë. Kështu shkruan ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri në një mesazh të publikuar të shtunën në mëngjes dhe që i kundërvihet propozimit të “demokratit”, Kastriot Islami, për të bërë Gjermaninë partner strategjik dhe për të hequr dorë nga SHBA-të.

Kulluri argumenton se pse SHBA-të kanë qenë ndër vite partner strategjik dhe se pse duhet të vijojnë të qëndrojnë të tilla. Sipas tij, roli i SHBA aktualisht merr rëndësi më shumë se kurrë për të penguar “hyrjen e butë” të orientalizmit dhe “carizmit oligarkik” në sistemet e dobëta politike të hapësirës shqiptare.  Një deklaratë kjo që lidhet me të gjitha akuzat për ndikimin rus në politikën shqiptare, të cilës mund t’i bëjë ballë vetëm Amerika. Një deklaratë gjithashtu që sulmon hapur kreun e PD-së, Bashën, i cili është nën hetim për pastrimin e parave ruse përmes financimit të lobimit në SHBA.

“Politika e jashtme e PD si fotokopje e rrëmujës ideologjike dhe organizative e PD-së zyrtare! Njëri thotë se “Turqia është aleati i jashtëzakonshëm strategjik i Shqipërisë”, ndërsa dikush tjetër kërkon “të shpallet Gjermania aleati strategjik”, dy vende vërtet të rëndësishme partnere europiane dhe rajonale! Çdokush ka të drejtën e vet të ketë një opinion të tijin në demokraci dhe s’ka asgjë të keqe! Mund të ketë të tjerë që mund të kërkojnë edhe vende të tjera si Partnere Strategjike, por kur arrihet në përfundime si këto, kërkohet që të mendohet përtej interesave konjukturiale politike të momentit! Por në thelb politika e jashtme lidhet kryesisht me Sigurinë Kombëtare.

Nga 1913 e këtej, kanë qenë SHBA (jo te vetme natyrisht) që kanë udhëhequr mbrojtjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve prej çdo rreziku që i vinte prej së jashtmi! Prej shkëputjes nga Perandoria Osmane e deri tek Pavarësia e Kosovës kanë qenë SHBA si fuqia më e madhe e skenës botërore që kanë mbështetur faktorin shqiptar në Ballkan e Adriatik si komb partner. Kanë qenë SHBA që qëndruan përballë Bashkimit Sovjetik dhe Komunizmit si murtaja politike më e rëndë e modernitetit duke na nxjerrë sërish në perëndim pas 45 vitesh apo më tej prej 500 vitesh!

Edhe sot SHBA qëndrojnë përballë dhe pengojne “hyrjen e butë” të orientalizmit dhe “carizmit oligarkik” në sistemet e dobëta politike të hapsirës shqiptare! Sepse vetëm një fuqi globale dhe demokratike e vetme si SHBA mund të prijnë këtë betejë strategjike, etj.”, argumenton Kulluri.

Sipas Kullurit, partneri strategjik nuk mund të përcaktohet nga interesat e momentin, dhe meqenëse Basha gëzon mbështetja nga disa deputetë të CDU-së duhet të kthejmë sytë nga Gjermania, por duhet shihet në tërësi e gjithë politika e jashtme. Burime për Realstory.al kanë konfirmuar se qëndrimet e muajve të fundit të PD-së, duke nisur që nga protestat e dhunshme, bojkoti i zgjedhjeve, qëndrimet e dyzuara ndaj reformës në drejtësi, por edhe lobimi kundër ambasadores Kalavec, kanë futur PD-në në një ‘luftë të ftohtë’ me Dapartamentin Amerikan të Shtetit.  Por, kjo sipas Kullurit, s’mund të jetë arsyeja që të mendohet ndryshimi i partnerit strategjik.

Ai shkruan se “demokratët” në thonjëza, (siç është Islami, socialist i orëve të para) janë të nxituar në propozimet e tyre për të ndryshuar partnerin strategjik. Ai i çon dhe Berishës një mesazh, duke i kujtuar ish kryeministrit se kjo çështje është diskutuar me seriozitet dhe është marrë vendimi si në qeveri ashtu edhe në parlament, në kohën kur PD ishte në maxhorancë. Dhe se një vendim i rëndësishëm si ky nuk mund të merret nga shtabi i Bashës që sugjeroi bojkotin.

“Por miqtë “demokratë” që janë nxituar në mos deklarimin e SHBA si partneri i vetëm strategjik nuk duhet të harrojnë Italinë dhe Greqinë si dy vende kufitare me të cilat me gjithë ulje-ngritjet e tyre janë partnerë direkte rajonale për shqiptarët. Por Partner Strategjik ka vetëm 1! As 2 e as 3! Në vend të përfundimit: Dokumenti i Strategjise Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është diskutuar ne qeverinë dhe mazhorancën e mëparshme si në nivel ekzekutiv dhe atë parlamentar! Nuk është e nevojshme që ta rishikojë shtabi i protestave dhe bojkoteve të Bashës!”, shkruan Kulluri, ndërsa e mbyll mesazhin në anglisht, në nder të partnerit strategjik “See you soon!” (shihemi së shpejti).

Në fakt shtatori është afër dhe Kulluri është një ndër zërat më të fortë të lëvizjes Basha Ik që starton së shpejti dhe vetëm pak ditë më herët ai ia bëri të qartë kreut të PD-së se “do më kesh përballë në çdo cep të Shqipërisë”. Përveç djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, propozimi më i fudnit për ndryshimin e partnerit strategjik, i shtoi lëvizjes Basha ik, një tjetër argument kundër kreut të PD-së./Realstory.al

“Basha Ik” nis “para” kohe, Kulluri: Ballë teje në çdo cep të vendit

Edvin Kulluri lajmëron nisjen sa më parë të lëvizjes “Basha IK” në PD, ndërsa shkruan se shumë shpejt ai dhe shumë të tjerë do të nisin fushatën në çdo cep të Shqipërisë me kërkesën për largimin e Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.

Përmes një mesazhi postuar të enjten, Kulluri sqaron të gjithë militantët kritikë të PD-së, të cilët i shkruajnë në facebook se përmes opozitës që i bën Bashës, ai ndihmon qeverinë; se “të jesh kundërshtar i Bashës në parti, nuk do të thotë të jesh kundër opozitës”.

Përkundrazi, shkruan Kulluri, opozita shkon përtej Lulzim Bashës dhe vendimeve të tij anti-perëndimore dhe s’mund të përdoret më prej tij, njeriu që bën marrëveshje me Ramën.

Kulluri i dërgon një mesazh Bashës teksa shkruan se vazhdon të mbajë pas vetes vetëm shërbëtorë që i përdor sa herë do, por ai dhe shumë të tjerë së shpejti do të nisin fushatën kundër tij në çdo cep të Shqipërisë.

“Për të gjithë viktimat e propagandës banale të Bashës dhe matrioshkave më të vogla partiake dhe portaleve akoma më të vogla: të jesh kundërshtar i Bashës në parti, nuk do të thotë të jesh kundër opozitës! Populli opozitar është shumë më i madh dhe i ndershëm se Lulzim Basha! Populli opozitar është kundër arrogancës dhe arbitraritetit Rama-Basha! Populli opozitar është kundër marrëveshjeve të fshehta Rama-Basha! Populli opozitar nuk adhuron klounët Rama-Basha! Populli opozitar nuk është klient i oligarkëve të dyshes Rama-Basha! Populli opozitar nuk është anti-perëndimor si çifti Rama-Basha! Populli opozitar është i ndershëm, kërkon zgjidhje, qeverisje të mirë dhe nuk përdoret si “mish për top” nga Rama-Basha! Mbani këta shërbëtorët tuaj, ushqejini me helm propagande dhe përdorini si të doni! Mua dhe njerëz të tjerë që nuk kanë ndërmend t’ju shërbejnë na keni dhe do na keni përballë! Shumë shpejt do takohemi në çdo cep të Shqipërisë!”, shkruan Kulluri, ish anëtar i Komitetit Drejtues të PD-së dhe ish këshilltar i Berishës në qeverinë e tij.

Realstory ka njoftuar disa javë më herët se në shtator do të nisë lëvizja Basha IK dhe siç duken të gjitha gjasat janë që kjo lëvizje të startojë menjëherë, ndërsa shumë zëra i janë bashkuar asaj, duke nisur nga Edvin Kulluri, Jozefina Topalli, Arben Imami, Ibsen Elezi e të tjerë figura të PD-së që kanë mbetur të zhgënjyer nga Basha dhe vendimet e tij që nxorrën PD-në jashtë çdo pushteti. Mbetet për t’u parë në këtë drejtim, se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Berisha në lidhje me këtë lëvizje, duke qenë se ai ia la “peshqesh” Bashën PD-së. Deri tani lideri historik ende nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në lidhje me akuzat kundër Bashës, ndërsa realstory referuar burimeve të saj ka shkruar më herët se ekziston një ftohje e marrëdhënieve mes Berishës dhe Bashës dhe se “baca” nuk e preferon më atë në krye të PD-së, por një emër tjetër që gëzon mbështetjen e amerikanëve./Realstory.al

Kulluri ngre pyetjen: A luftohen gënjeshtrat e Ramës me të Bashës, apo varja të vërtetës?!

Partia Demokratike është shfaqur shpesh si mbajtës e ‘flamurit të së vërtetës’, teksa ka denoncuar raste të korrupsionit qeveritar. Në këtë linjë, PD ka ‘shitur’ si të vërteta edhe disa deklarata të bëra nga Martin Hënze, një lobit gjerman, të cilin Selia Blu e quan herë si ‘këshilltar të Anglea Merkel’, kancelares gjermane, dhe herë si ‘eskpert i CDU’, partisë së kancelares (lexo shkrimin në Realstory.al).

Duke u nisur nga ky fakt, që Martin Hënze nuk është as këshilltar dhe as ekspert i Merkel dhe CDU, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, pjesë e lëvizjes “Basha ik”, ka ironizuar me kryedemokratin duke ngritur pyetjen, “nëse luftohen gënjeshtrat e Ramës me ato të Bashës”.

Duke iu drejtuar disa gazetarëve dhe aktivistëve të djathtë, Kulluri shkruan: “Martin Hënze sipas mediave dhe bashkëpunëtorëve pranë Bashës citohet njëherë si kryekëshilltar i Kancelares Merkel e pastaj “zyrtar i CDU”. Ndërkohë nja dy media kanë cituar burime zyrtare dhe persona pranë CDU që konfirmojnë se zotëria në fjalë nuk është as krye as këshilltar i Kancelares apo i ndonjë organi drejtues të CDU!”.

“Mund të jetë lobues ose ekspert i pavarur. Tani nëse kjo e mediave është e vërtetë, a luftohet gënjeshtra e Ramës me një gënjeshtër të mediave dhe njerëzve të Bashës?! Apo mjafton që të jetë Basha me shokë në pushtet po varja të vërtetës?! Se jemi dhe në mes të luftës dhe e vërteta ka rëndësi”, shkruan Kulluri duke ironizuar Lulzim Bashën.

Kulluri ironizon Bashën: Këputi një kontratë me turistët, të rriten 4 milion vota

Dhuna ndaj turistëve spanjollë në Sarandë, nga një pronarë lokali, nuk ishte vetëm një akt i rëndë dhe skandaloz që dëmton turizmin tonë, por përtej dramës, ka dhe ironi apo sarkazëm. Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, ka shkruar një koment në rrjetet sociale, ku ironizon kryetarin e PD Lulzim Basha.

Duke u nisur nga dy kontratat, që Basha ka bërë me banorët e Astirit dhe artistët për çështjen e Teatrit Kombëtar, Kulluri i shkruan me ironi Bashës që të bëj dhe një kontratë të tretë, këtë herë me turistët.

“Pse nuk i këput një kontratë Luli me turistët se “sa të vijë në pushtet nuk do bëjnë fjalë apo rrahin njerëzit pronarët e lokaleve dhe hoteleve”. Se dy kontrata i bëri, ti këpusë dhe një të tretë se i shtohen 4 milion vota! Si tha njëri “më duhen 100 mijë euro! Po pse s`kërkon 500 mijë i thotë një shok, ti s`ke që s`ke as 100?! Bëjë tamam, je që je?”, shkruan Kulluri me ironi ndaj kryedemokratit.

Kujtojmë se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë dy kontrata, e para me artistët e Teatrit Kombëtar, të cilëve u ka premtuar se nuk do ta shemb teatrin, ndërsa pak ditë më parë, bëri dhe një kontratë me banorët e Unazës së Re, të cilëve gjithashtu u ka premtuar se nuk do t`u shemb shtëpitë.

Kulluri: Basha si “Gjino”, Valdrini ishte në oborrin e tij

Të mërkurën Partia Demokratike nxiti degën lokale në Shkodër për të sulmuar Jozefina Topallin, duke e cilësuar atë si “personi që promovoi Valdrin Pjetrin në politikë, gjatë kohë që qeveriste PD në 2010”. Sulmet ishin të ashpra, madje Selia Blu nuk u ndal me kaq, por duke përdorur edhe organin zyrtar të shtypit, RD-në, sulmoi ish-kryetaren e Kuvendit me gjuhë të ashpër. Sulmet vijuan më pas në rrjetin social të Jozefina Topallit, nga militantët të Partisë Demokratike. Megjithatë, në fakt ishte PD që i dha poste të rëndësishme Valdrin Pjetrit.

Një nga zërat kritikë ndaj Lulzim Bashës, pjesë e lëvizjes “Basha ik”, Edvin Kulluri ka thumbuar kryetarin aktual të PD-së, duke e krahasuar me personazhin e “Gjinos” te filmi “14 vjeç dhëndër”. “Kjo puna e Valdrinit që e paska emëruar Topalli drejtor na doli si jastëku e Marigosë tek “14 vjeç dhëndër”. “Trimi” na paska qenë në oborrin e Bashës! Kështu është kur kryetarin e kemi Gjino”, shkruan Kulluri në rrjetet sociale.

Ndërkohë, Lulzim Basha e quajti pas dorëheqjes nga marrja e detyrës si kryetar i bashkisë Shkodër, “një kriminel më pak”, Valdrin Pjetrin, njeriun të cilin PD e tij e promovoi në politikë, dhe tashmë e akuzon për lidhje me trafikun e drogës.

Kulluri krahason Bashën me spiunin rus: Tradhtoi aleatët si Kim Philby

Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar Demokrat, ka sulmuar sërish Lulzim Bashën, por këtë herë duke e krahasuar me spiunin tradhtar famëkeq Kim Philby që punoi si agjentë i dyshfishtë për inteligjencën britanike dhe Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Kulluri thotë se Basha tradhtoi aleatët e tij duke i gënjyer se zgjedhje nuk do të kishte më 30 qershor dhe e bëri sërish edhe me 13 tetorin. Basha nuk futet sërish në zgjedhjet e 13 tetorit duke i lënë aleatët e tij vetëm edhe këtë herë edhe pse me fjalë shprehet se njeh dekretin e presidentit Meta për 13 tetorin. LSI dhe PR gjatë të hënës i bënë një kërkesë KQZ-së për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit si afati i fundit, nëse këto zgjedhje do të mbaheshin. Ndërsa Basha heshti duke mos e regjistruar Partinë Demokratike edhe një herë tjetër në zgjedhje.   

Kulluri ironizon Bashën si aleati i madh që i gënjen të gjithë mbështetësit e tij dhe aleatët me fjalë dhe deklarata, por që me vepra nuk guxon të bëjë asgjë.

Kulluri madje shton me sarkazëm se për këto dy vjet zvarritje të PD-së dhe humbje të njëpasnjëshme të demokratëve duhet të akuzohet kryeministri Rama dhe jo vendimmarrja e gabuara e kryedemokratit.

“Ja pra që as në 13 tetor nuk do futet në zgjedhje! Kush ishte Kim Philby?! Ju ka aleati i madh xhan, ju ka aleati shpirt! Apo e ka Rama fajin se ka 2 vjet që ju merr zvarrë nga humbja në humbje?!” – shkruan Kulluri

Madje nëse do t’i referoheshim spiunit që punoi për Bashkimin Sovjetik Kim Philby, vlen të theksojmë se ndaj Partisë Demokratike ka nisur një hetim për një investim 1 milion dollarë të rusëve në 2017. / Realstory.al

Skip to toolbar