Ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një hetim lidhur me lobimin rus në SHBA për periudhën zgjedhore të vitit 2017, ku kryedemokrati është marrë i pandehur për fshehjen e një financimi prej 650 mijë dollarë. Pavarësisht kësaj, Basha nuk ka deklaruar as financimet dhe shpenzimin për 53 degët e PD-së në të gjithë vendin gjatë vitit 2018.
Çdo degë ka një administratë të saj të vogël që ushtrojnë veprimtarinë në bazë të statutit të partisë, me një kosto të caktuar financiare. Konkretisht, çdo degë e PD ka kryetarin e saj, nënkryetarin, një sekretar, katër sekretarë funksionalë, një bord me këshilltarë, një aparat administrativ si dhe një bord financiar bashkë me kryetarin e tij. E gjithë kjo administratë ka një kosto financiare. Por sipas raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Partisë Demokratike për vitin 2018, kjo e fundit nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 53 degëve të saj. Në raportin e auditimit për 2018 që Shqiptarja.com ka siguruar thuhet se “Partia Demokratike nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj. Ne kemi audituar pasqyrat financiare të PD, të cilat përbëhen nga bilanci kontabël i datës 31 dhjetor 2018, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe pasqyra e flukseve të parave për vitin që mbyllet në këtë datë si shënimet për pasqyrat financiare, përfshirë një përmbledhje të politikave kontabël më të rëndësishme. Sipas opinionit tonë, me përjashtim të parregullsive më sipër, pasqyrat financiare japin një pamje të vërtetë dhe të sinqertë të PD me 31 dhjetor 2018, të rezultatit të saj financiar dhe të flukseve të parave të saj për vitin e mbyllur financiar, në përputhje me kuadrin financiar të raportit të partive politike.”
Mirëpo këto degë kanë secila një kosto të caktuar financiare shuma e të cilës përcaktohet nga statuti i Partisë Demokratike, në nenin 43 të saj. Ky nen parashikon mënyrën e financimit të strukturave vendore të PD, duke përfshirë edhe administratën e degëve.
Kjo shumë për strukturat vendore të PD përcaktohet nga shuma në formë granti që akordon Kryesia qendrore, kuotizacioni i anëtarësisë së territorit përkatës, të cilat shpërndahen sipas niveleve të ndryshme të organizimeve territoriale sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren financiare, kontributi që derdhin të zgjedhurit vendor e në qendër, shumë e cila përcaktohet nga Kryesia e rrethit dhe burime të tjera financiare që autorizon ligji për partitë politike. Kryetari i Bordit Financiar të Degës emërohet nga Kryesia, pasi ka marrë pëlqimin paraprak të PDSH-së në qendër. Ai është përgjegjës përpara Kryesisë për fondet që ka në ngarkim. Bordi financiar i organeve vendore të partisë përbëhet nga një numër anëtarësh sipas vendimit të Kryesisë përkatëse. Ai zbaton me rigorozitet në ushtrimin e detyrave të tij rregulloren e brendshme financiare të Partisë.
Mosdeklarimi i shpenzimeve për degët e partisë krijon një kontrast të madh në atë që Basha bën me vepra dhe atë që thotë me fjalë. Në një kohë kur nuk deklaron shpenzimet dhe financimet për 53 degët e Partisë Demokratike, në fund të 2018, Basha del më një platformë ku kërkon ndarjen e politikës nga krimi financimin e partive 100 % nga shteti në fushatat zgjedhore. “Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës me krimin. Financimi i partive, financim shtetëror 100% i fushatës, ndërkohë që kompanitë që financojnë partitë e kandidatët të përjashtohen nga tenderat e koncesionet.” ka thanë Basha gjatë prezantimit të platformës së tij në fund të 2018 për zgjedhje të lira dhe të ndershme.