Kryetari grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla,
i cili ndodhet në Gjermani dhe po zhvillon takime me deputetë të Bundestagut, tha
të mërkurën në një intervistë për Deutsche Welle se asnjë deputet gjerman nuk mbështet
veprimet e PD-së.
“Nuk kam gjetur një deputet të vetëm të çdo
grupimi politik, gjatë bisedimeve që po bëjmë këtu, që të mirëkuptojë vendimin
vetëasgjesues të PD për t’u larguar nga Parlamenti”- tha Balla, duke shtuar se
“Për akuzat që bëjnë, këto janë çështje të adresohen në prokurori”.
I pyetur për krizën politike në vend dhe nëse
maxhoranca do të pranojë që gjermania të ndërhyrë për zgjidhjen e saj, Balla
tha: “ne kemi qenë të hapur për dialog, dhe besoj se jemi të maturuar tashmë
për të pasur dialog pa qenë nevoja e miqve të huaj, jo pa qëllim kryeministri
Rama në letrat e tij, shpjegoi arsyet dhe domosdoshmërinë që ne në këtë fazë të
rëndësishme të jemi bashkë, por kjo nuk ka qenë e mundur se lidershipi i PD
vijon qasjen kundër reformën në drejtësi, duke artikuluar kërkesa që në asnjë
rast nuk mund të merren në konsideratë nga ana jonë”- tha Balla.
Ndërsa për çeljen e negociatave ai u shpreh optimist
se ato do të hapen brenda këtij viti.
“Unë kur i referohem qeverise gjermane i referohem kancelare Merkel, qe mbetet nje luftëtare e paepur për mbajtjen gjalle te procesit te zgjerimit te BE. Une besoj se ka nje shumice te cilësuar brenda Bundestagut qe do te mbështesë fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut”- tha Balla.
Kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur mëngjesin
e kësaj të diele drejt Frankfurtit, aty ku deri në datën 6 qershor do të vijojë
përgatitjet për ndeshjen e parë ndaja Islandës. Ekipi është nisur drejt
Frankfurtit në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa pasditen ditës së sotme skuadra
do të kryejë vetëm një seancë stërvitore.
Por jo gjithçka shkoi ashtu siç duhej, pasi
skuadra u nis drejt Gjermanisë me mungesa të rëndësishme, pasi nuk udhëtuan mesfushori
Ledian Memushaj, mbrojtësit Egzon Binaku dhe Marash Kumbulla, si dhe sulmuesi i
krahut Eros Grezda.
Megjithatë, trajneri Edy Reja ka vendosur të
grumbullojë vetëm një lojtar zëvendësues, Lorenc Trashin, që u bashkua gjatë ditës
së shtunë me ekipin.
Ekipi përfaqësues do të stërvitet në një
kompleks stërvitor në Frankfurt deri në datën 5 qershor, ndërsa në datën 6
qershor në orën 09:00 të paradites do të niset drejt kryeqytetit të Islandës,
aty ku dy ditë më pas do të zhvillohet ndeshja e tretë kualifikuese për këtë
edicion të Euro 2020.
Një artikull i publikuar në Bloomberg gjatë ditës së martë shprehej se dy zyrtarë të paidentifikuar kanë deklaruar se marrëdhënia e kancelares Merkel dhe pasardhëses së saj në CDU kanë fërkime. Sipas artikullit, Merkel e cilëson jo të denjë pasardhëse e saj Annegret Kramp-Karrenbauer si lidere e partisë Unioni Demo-Kristian (CDU). E pyetur nga gazetarët, Merkel e ka cilësuar këtë gjë si të palogjikshme duke hedhur poshtë çdo pretendim të shkrimit.
Merkle madje e ka mbrojtur Kramp-Karrenbauer ndaj akuzave se kërkon të kontrollojë lirinë e shprehjes duke thënë se “secili që unë njoh në CDU është i përkushtuar për lirinë e mendimit, si rregull parësor”
Kramp-Karrenbauer do të udhëheq CDU-në, vitin e ardhshëm.
Edhe pse KE rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se Merkel kërkon të bëjë një vlerësim të hollësishëm të këtij raporti dhe më pas të jap një vendim zyrtar mbi hapjen apo jo të negociatave.
Raporti i komisionit të BE-së rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ky rekomandim duhet të shqyrtohet tani në 28 shtetet anëtare. Njëri prej të cilëve është Gjermania.
Qeveria gjermane ende nuk ka krijuar një opinion unik për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministri socialdemokrat i Evropës, Michael Roth, rekomandon qartazi çejen e negociatave, kabineti i kancelares Angela Merkel pret progres-raportet që ta shqyrtojë me hollësi vendimin e komisionit.
E pyetur në konferencën e rregullt për shtyp nga Dë për këtë çështje zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz tha, se “do ta analizojmë me kujdes dhe pastaj do të shohim se cilat janë konkluzionet operative që do të ndërmarrim”.
Por sikurse i ka deklaruar agjencisë gjermane të lajmeve DPA, kryetari i komisionit të Bundestagut për Europën, deputeti kristiandemokrat Gunther Krichbaum, nga ana e unionit konservator “mund të jetë tetor kur të merret një vendim”. Sipas tij “sigurisht që s’pritet gjë” me një votë pozitive të 28 vendeve anëtare në mes të qershorit.
Në prag të publikimit të progres-raporteve të Komisionit të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, i është drejtuar opinionit të sotëm gjerman me një koment të botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Michael Roth, i cili është edhe vetë deputet socialdemokrat, por edhe përgjegjës për politikën gjermane në Bashkimin Evropian, ka përsëritur kërkesën për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pjesën për Shqipërinë, ministri shtetit thotë se “në vështrim të parë situata mund të duket më e komplikuar. Por arsyeja është sepse opozita ia del vazhdimisht që të prodhojë tablo dramatike – në vend që të garojë me qeverinë me ide konstruktive në parlament, të cilin për momentin e bojkoton.” Roth tërheq vëmendjen se : “Kjo politikë e papërgjegjshme penguese nuk duhet të fshehë atë që ka arritur vendi.” Duke përmendur këtu reformën e drejtësisë, bashkëpunimin e suksesshëm të organeve shqiptare të sigurisë, me partnerët gjermanë, austriakë dhe Italinë si edhe rishtazi me agjencinë kufitare të BE-së, Frontex./ Deutsche Welle
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine
Zeituntg ka publikuar të mërkurën një artikull për çelen e negociatave të Shqipërisë
me BE-në.
Në shkrim raportohet se Bashkimi Europian
dëshiron të shtyjë hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e
Veriut dhe Shqipërinë. “Do të jetë tetor, derisa të merret një
vendim”, është shprehur kryetari i Komitetit të Bundestagut të Evropës,
Gunther Krichbaum.
Ndërsa Ministri i Shtetit në Ministrinë e
Jashtme, Michael Roth (SPD), nga ana tjetër, kërkon që negociatat të hapen sa më
shpejt. “Tani është në dorën e BE-së për të ofruar”, shkruan Roth në
një postim për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Ne i qëndrojmë
fjalës dhe duhet të mbajmë zotimet tona. Në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri
“progresi i prekshëm” është bërë”, është shprehur ai.
Të mërkurën, Komisioni i BE synon të
rekomandojë hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet e Ballkanit.
Komisioneri përgjegjës Johannes Hahn ka thënë që në prill se ai priste një
vendim pozitiv nga autoritetet e Brukselit pas zgjedhjeve evropiane. Vendimi
përfundimtar, megjithatë, qëndron në dorën e vendeve anëtare të BE dhe mund të merret më 18
qershor në një takim të ministrave europianë në Luksemburg.
Në Gjermani, megjithatë, Bundestagu duhet të japë dritën jeshile – dhe kjo është e mundur vetëm nëse grupi parlamentar CDU / CSU e miraton. Hapja e negociatave për anëtarësim shihet në mënyrë kritike, veçanërisht në Holandë, Danimarkë dhe Francë.
Prej
orës 8:00 të mëngjesit, me orët lokale të vendeve anëtare të Bashkimit
Europian, ka nisur votimi për zgjedhjet parlamentare të PE-së, në 21 vendet anëtare
që ende nuk kishin votuar. Deutsche Welle shkruan se deri në mesditë ka pasur
një numër rekord votuesish. Në Francë kanë marrë pjesë në votime më shumë se
19.26% e zgjedhësve, ka raportuar Ministria e Brendshme në Paris.
Kjo
përqindje është disa herë më e madhe se ajo e vitit 2014, kur deri në mesditë,
para pesë vjetësh, në Francë kishin votuar vetëm 15.70%, ndërsa në 2009 rreth
14.8%. Në dy vende të tjera ku është duke u zhvilluar votimi për zgjedhjet
parlamentare të Bashkimit Europian, Hungari dhe Sllovaki, numri i zgjedhësve që
kishin votuar deri afër mesditës ishte më i madh se ai në zgjedhjet kombëtare të
dy vendeve.
Në
Hungari deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 17.2%, me gati 6
% më shumë se pesë vite më parë. Sllovakia ka pasur dhe numrin më të lartë të
pjesëmarrësve në zgjedhje deri më tani ka qenë 20%, numër i cili ndryshon
vazhdimisht.
Në
Gjermani ende nuk ka të dhëna rreth pjesëmarrjes në votime, por Deutsche Welle
shkruan se edhe në këtë vend, sipas sondazheve të ndryshme, ka pasur një rritje
të numrit të votuesve në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Të drejtën e votën
kanë sot më shumë se 400 milionë banorë të 28 shteteve ë BE. Zgjedhjet kanë
filluar me 23 maj dhe do të përfundojnë sonte.
Opozita organizoi protestën e gjashtë kombëtare,
të nisura që prej muajit shkurt kur PD dhe LSI, së bashku me parti të tjera
opozitare vendosën të djegin mandatet dhe të nisin një seri protestash në vend.
Në fakt, opozita kishte paralajmëruar se kjo e sotmja do të ishte protesta më e
madhe e këtyre tre muajve, megjithatë, numri i protestuesve raportohet të ketë qenë
diku te 7 deri në 10 mijë pjesëmarrës.
Pavarësisht pjesëmarrjes, kjo e sotmja, siç ishte raportuar më herët nga RealStory.al, ishte protestë paqësore. Protestuesit e parë kanë nisur të grumbullohen para godinës së Kryeministrisë rreth orës 18:30, ndërsa rreth orës 19:00 numri i tyre ka ardhur duke u shtuar. Megjithatë, si zakonisht edhe protesta e sotme nuk nisi në orarin e përcaktuar nga opozita, por me rreth 45 minuta vonesë, kur në shesh erdhi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Ky i fundit ka mbajtur një fjalim për rreth 40 minuta para protestuesve, ku ka dhënë disa mesazhe, teksa konfirmoi se nuk do të ketë dialog pa largimin e Kryeministrit Rama. Megjithatë, një detaj interesant u vu re gjatë kohës që Lulzim Basha ka folur para protestuesve. Liederi i PD-së ka shkuar pranë disa protestuesve, të cilët mbanin disa flamuj të SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë. Me këtë të fundit Basha ka bërë një pozim për disa sekonda.
“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor”.
“Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës. Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë”, tha Basha.
Ky ishte një mesazh i koduar i Lulzim Bashës, që mesaduket nënkupton se ai është gati të futet në negociata sipas udhëzimeve nga partnerët gjermanë të PD-së dhe atij vetë. Më pas kreu i BD-së u shpreh se Partia Demokratike është duke diskutuar me ekspertët propozimin e një plani, ku do të krijohet një parlament i ri me dy dhoma, një sistem drejtësie funksional dhe që ndëshkon politikanët e korruptuar, si dhe të tjera ndryshime, që pritet të propozohen në ditët në vijim, tha Basha.
Pas fjalës së mbajtur para Kryeministrisë, ku
protestuesit kanë ndezur balona ndriçuese, të cilat kishin të shkruar shprehjen “Rama ik”, Basha u bëri
thirrje protestuesve të nisin marshimin drejt godinës së Parlamentit. Ndërkohë,
para kësaj, gjatë kohës që fliste Lulzim Basha, protestuesit kanë hedhur disa
shashka në drejtim të Kryeministrisë, por nuk ka pasur tentativa për të thyer
gardhin metalik dhe kordonin e policisë.
Më pas, protestuesit u nisën drejt godinës së Parlamentit, aty ku sërish ka pasur masa të përforcuara të policisë, si dhe mjete ujëhedhëse në gatishmëri për të neutralizuar çdo akt dhune. Në fakt, me mbërritjen para godinës së Parlamentit, ka pasur tension mes protestuesve, të cilët kanë hedhur shashka dhe sende të forta në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u ka bërë thirrje drejtuesve të Partisë Demokratike që të tërhiqeshin nga aktet e dhunës.
Gjatë kohës që protestohej para Parlamentit,
pati vetëm një moment hedhje uji në drejtim të protestuesve, që zgjati vetëm për
disa sekonda. Nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta as prania e Lulzim Bashës
së bashku me liderët e tjerë opozitar para kuvendit, pasi kreu i PD-së u largua
në drejtim të selisë së partisë së tij, ku mbajti dhe një fjalim përmbyllës të protestës.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me këtë thirrje kemi nisur qëndrimin tonë më 16 shkurt, që kulmoi sot në pjesëmarrjen më masive popullore, në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresë që ka nisur e nuk do të fiket deri sa beteja ndaj të keqes të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë bashkimi bëhet më i vendosur, mesazhi i sotëm është i qartë e i prerë, ndaj miqve aleatëve se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, jemi popull i Europës e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një grupi bandidësh e kriminelësh që kanë bllokuar rrugëtimin drejt Europës. Sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira, e vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Europës” u shpreh Basha.
Pas përfundimit të fjalës së tij, Basha dhe drejtuesit e partive të tjera opozitare kanë zhvilluar një mbledhje në selinë Blu, ku kanë vendosur edhe datën e zhvillimit të protestës së radhës. Më 31 maj do të mbahet tubimi i radhës i opozitës, pikërisht në ditën kur Partia Socialiste do të hap zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Dy deputetët e parlamentit gjerman Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm kanë dhënë një deklaratë të përbashkët në lidhje me krizën politike në Shqipëri. Deputetët theksojnë se diagolu pa kushte është tepër i rëndësishëm për të zgjidhur krizën poltike në vend. Gjithashtu CDU/CSU kanë dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestave, ndërsa bën thirrje për qetësimin e situatës, pasi mund të mbyllet rruga e integrimit drejt BE.
“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen europiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.
Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.” – shkruajnë deputetët
Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë hapjen e dialogut pa kushte ku të diskutohen të gjitha temat, madje edhe të merren masa të jashtëzakonshme si shtyrja e zgjedhjeve në të mirë të zgjidhjes së krizës dhe garantimin e mundësive për të zgjedhur nga qytetarët.
“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.
Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.” – përfundon deklarata
Pak pas publikimit të kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili shprehet falenderues ndaj partnerëve politikë të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, për vëmendjne e tyre ndaj situatës politike.
“U jam shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, ka shkruar Rama në twitter.
Pas kryeministrit Rama, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me daklaratën e CDU/CSU. Basha tha se mirëpret bashkëpunimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në vend, ndërsa nuk ka dhënë asnjë përgjigje për një dialog të mundshëm.
“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.
Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.”
Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low ka prezantuar listën me 22
lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Gjermanisë për
Euro 2020. “Pancerat” do të përballen me Bjellorusinë dhe Estoninë në dy
ndeshjet e radhës kualifikuese.
Në listën e publikuar gjatë ditës së sotme në faqen zyrtare të kombëtares gjermane, mungon emr i Marc-Andre ter Stegen, portieri i Barcelonës, që aktualisht ka një dëmtim në gju. Për këtë arsye ai nuk është thirrur në ekipin përfaqësues.
Në fakt, Ter Stegen luajti pak ditë më parë me Barcelonën,
duke krijuar habi për jusitifikimin që ka dhënë kombëtarja gjermane për mungesën
e tij, pasi klubi ku aktivizohet portieri nuk ka pasur ndonjë deklaratë për
ndonjë dëmtim të mundshëm.
Toni Kroos dhe Mario Gotze janë gjithashtu dy lojtarët e tjerë që mungojnë. I pari mungon për shkak të një problemi muskulor, ndërsa i dyti pa arsye, megjithëse Gotze ka bërë një sezon të shkëlqyer me Borussia Dortmund.
Qeveria gjermane i quan të papranueshme, jo
vetëm protestat e dhunshme të opozitës, por edhe djegien e mandateve dhe
bojkotin e zgjedhjeve lokale të 31 qershorit.
Ministri i Shtetit për Evropën, Michal Roth
ka dhënë një intervistë për gazetën “Der Spiegel”, ku ka folur për
situatën në Ballkan dhe politikën në Shqipëri.
“Protestat janë një çështje e
pranueshme sigurisht në një demokraci. Por, dhuna dhe urrejtja, bojkotimi i
zgjedhjeve dhe largimi i opozitës nga parlamenti janë absolutisht të
papranueshme. Shqiperia ka bërë një rrugë të gjatë për në BE. Opozita po
rrezikon njohjen e këtyre arritjeve me politikën e saj penguese”, është
shprehur Roth.
Ndërkombëtarët prej kohësh i kanë bërë
thirrje opozitës shqiptare që të heqë dorë nga protestat e dhunshme dhe të gjejë
gjuhën e dialogut.