“Jam dakord me Ilir Metën”, reagon Rama: Sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën si Vjosën kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit Ilir meta për Lumin Vjosë, ku ky i fundit theksoi se e ardhmja nuk është shkatërrimi i këtij lumi.

Përmes një reagimi, kreu i qeverisë tha se Meta duhet të kishte reaguar dhe për lumin Valbonë, kur ishte pjesë e kabinetit qeveritar të Sali Berishës.

REAGIMI I RAMES
Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen! Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!

“Ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar”, Meta: Nëse shkelet marrëveshja e 5 qershorit ka vetëm një fajtor

“Nëse shkelet marrëveshja e 5 qershorit ka vetëm një fajtor” kështu u shpreh sot Presidenti Ilir Meta në një deklaratë për mediat.

Ai tha se nëse nuk respektohet marrëveshja ka vetëm një fajtor, të cilin e akuzoi se vendos fatin e tij para fatit të shqiptarëve.

“…Është përmbushja e të gjithë atyre prioriteteve që kanë të bëjnë me çeljen e negociatave dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin dhe përmbushjen e kushteve. Maqedonia e Veriut ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe ka treguar se ka një klasë politike të përgjegjshme, që merr përgjegjësi, që realizon zgjedhje të lira e të ndershme, që respekton votën e qytetarëve dhe shpresoj që kjo të arrihet dhe në vendin tonë. Por nga sjellja antikushtetuese që goditi marrëveshjen e 5 qershorit tregon që jemi në kurs të kundërt.

Çështja e hapjes së listave është çështje që i takon palëve. për mua si president mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit. Unë u përpoqa të jap kontributin tim, që opozita të mos vendoste si kusht, qeverinë e përkohshme. opozita bëri lëshimin shumë të madh duke pranuar të mos vërë një kusht të tillë, duke mbyllur një marrëveshje për të ardhmen e shqiptarëve. Unë mendoj se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim, përndryshe kuptohet që përgjegjësia do të jetë e vetëm një fajtori. Nuk do të ketë dy fajtorë, as 4 nëse shkelet marrëveshja, vetëm një. I cili për fatin e tij personal, vë fatin e 4 mln shqiptarëve. Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshëm dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rëndësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim”.

Azilantët/ Meta: Hapi i parë për rikthim në drejtimin e duhur, respektimi i ‘5 qershorit’ dhe hapja e listave 100%

Presidenti Ilir Meta ka publikuar foto nga raporti për periudhën 2010-2019 ku Shqipëria renditet e 4-ta në botë dhe e para në Europë për aplikimet për azil.

Meta thotë se nuk e meriton të renditet mes Sirisë, Afgantistanit, Irakut dhe Iranit teksa kërkon që mos vijohet me drejtimin e gabuar.

Si hap të parë për një rikthim në drejtimin e duhur, Meta kërkon të respektohet pikë për pikë marrëveshja e 5 qershorit si dhe të hapen listat 100%.

STATUSI NGA ILIR META
Shqipëria nuk e meriton të renditet midis këtyre vendeve!
Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane!
Mjaft me Drejtimin e Gabuar të autoritarizmit, arrogancës, korrupsionit dhe marrëzisë, që po i varfëron dhe po i lodh kaq shumë shqiptarët, duke i detyruar të largohen nga vendi.
Hapi i parë për rikthimin në Drejtimin e Duhur është respektimi pikë për pikë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mos devijimi prej saj as një milimetër.
Të rikthejmë shpresën duke rikthyer sovranitetin në duart e popullit, me hapjen e listave 100% dhe plotësimin e të gjitha kushteve të BE!

“Asgjesimi i armikut të brendshëm, akt i lartë patriotik”, Meta dekoron Avni Rustemin me dekoraten më të lartë

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës, Heroin e Popullit, Avni Rustemi, pas vdekjes.

Vlerësimi vjen në 125 vjetorin e lindjes së tij, ku përmes një postimi në facebook, kreu i Shtetit shpreh mirënjohje të thellë për aktin e tij patriotik.

“Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.” shkruan Meta në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.

Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.

Amendamentet e PS, Meta tjetër reagim të ashpër: Hapni listat ose largohuni!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes një statusi në Facebook apelon për hapjen e listave.

Prej ditësh, Kreu i Shtetit flet për një prishje të njëanshme të 5 Qershorit, ndërsa i kujton Qeverisë se nëse një gjë e tillë ndodh, do ndëshkohet nga qytetarët.

STATUSI I PLOTE
Çdo manovër mashtruese që u heq të drejtën qytetarëve të zgjedhin vetë edhe deputetët, siç ju premtua, vetëm me qëllimin për të prishur në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e 5 Qershorit, do të ndëshkohet fort nga të gjithë qytetarët që prej 12 vitesh kërkojnë deputetë e jo kukulla kryetarësh.
Mos kini frikë nga hapja e listave!
HAPNI LISTAT OSE LARGOHUNI!

Amendamentet e PS, Rama: Çdo propozim është i diskutueshëm, opozita e mirëpritur. Paralajmërimi i Metës? Asnjë surprizë

Nga Bavaria ku ndodhet për një vizitë zyrtare si kryetar i OSBE, kryeministri Edi Rama u ndal të komentojë edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Në një intervistë të publikuar në faqen e tij në facebook, Rama iu përgjigj deklaratave të Presidentit Meta, ku mes të tjerash tha dje se “Grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit, se është më i fortë”.

“Nuk i kam ndjekur deklaratat e presidentit, nuk përbëjnë asnjë surprizë në çfarëdo forme që ato të materializohen. presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës, kështu që varet nga kahja e hënës në momentin kur flet, ndërkohë që parlamenti vazhdon punën, jo vetëm që është legjitim, por është në krye të detyrës dhe do të vazhdojë të kryejë detyrën për të reflektuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke i hapur rrugë listave të hapura dhe duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve nga një formulë absurde, në një formulë që e kanë të gjitha vendet evropiane”, tha Rama.

Duke u ndaluar më konkretisht në propozimin e PS në këshillin politik dhe debatin që pasoi për listat e hapuara apo të mbyllura të kandidatëve, Rama tha cdo propozim është i diskutueshëm ndërsa paralajmëroi opozitën të mos bëhet pengesë e procesit.

“Propozimi nuk është shpikje i referohet një modeli që e kanë disa vende demokratike. Cdo propozim është i diskutueshëm uroj që opzita mos humbasë kohe sic e ka zakon, se koha nuk pret. Zgjedhjet janë më 25 prill në ligjin zgjedhor kemi edhe angazhimin për sistemin elektronik. Opozita është e mirëpritur të diskutojë të japë alternativa, por të pengojë procesin duhet ta harrojë një orë e më parë sepse nuk ka kohë për të pritur dhe ne nuk do të presim në pafundësi.” u shpreh Rama.

“Hapini listat 100%”, apeli i fortë i Metës për ‘shakaxhinjtë e “integrimit”’: Mjaft e degraduat Kuvendin

Një ditë pasi PS dorëzoi në Këshillin Politik amendamentet për Kodin Zgjedhor, Presidenti Ilir Meta apelon për hapjen 100% të listave.  

Përmes një statusi në ‘Facebook’ kreu i shtetit, duke mos i kursyer kritikat theksoi se Kuvendi nuk duhet të delegohet kështu, ndërsa shtoi se edhe një asamble kooperative ka qenë dikur shumë më e përgjegjshme.

Postimi i plote:

Hapini listat për qytetarët që të zgjedhin pas 12 vjetësh më në fund deputetët.

Hapini 100 për qind!

Mjaft e degraduat Kuvendin kështu, se edhe një asamble kooperative ka qenë dikur shumë më e përgjegjshme.

Shqipëria ka patur parlamentarizëm të shkëlqyer 100 vite më parë o shakaxhinjtë e “integrimit”. 🇦🇱

Meta rikthen tonet e ashpra: Grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit. Shkarkimi? Le ta provojnë

Bashkë me konferencat e përjavshme për mediat, Presidenti Ilir Meta duket se riktheu sot edhe tonet e ashpra dhe mesazhet e qarta drejtuar maxhorancës qeverisësë.

Meta u shpreh se ishte pro listave të hapura në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa i kujtoi qeverisë të mos pengonte forcat e tjera politike të hapnin listat.
Në rast se një gjë e tillë ndodh, tha Kreu i Shtetit, vendi është para veprimeve antikushtetuese, siç i quajti ai ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës për reformën zgjedhore. Kjo situatë sipas tij është e ngjashme me një grusht shteti, duke shtuar se sipër saj qëndron grushti i popullit.

“Për zgjedhjet për mua kanë rëndësi vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vendosje e legjitimitetit në vend, kjo është një kërkesë ultimative dhe një e ardhme e qetë, me prosperitet për shqiptarët që janë lodhur, përçarë kaq shumë dhe i ka larguar më shumë nga vendi. Para pak ditësh lexova një artikull dramatik se në Shqipëri po ikin më shumë njerëz tani se në vitet ‘90.

Kërkoj t’i qendrojmë marrëveshjes së arritur në 5 qershor, të mos devijojmë asnjë milimetër, të mos përdorim gjoja lista të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën që ka qenë e hapur për lista 100% të hapura. Në rast se mazhoranca nuk dëshiron të hapë listat e saj s’ka pse pengon forcat e tjera të hapin listat. Nëse kemi një shkelje të njëanshme si me rastin e ndryshimeve kushtetuese atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit, është më i madh grushti i popullit”,- u shpreh Meta.

Meta po ashtu i qëndroi premtimit të tij se do vijojë të jetë President deri në 24 korrik 2022.

“Unë prej kohësh kam qënë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve që zgjidhin krizat e institucioneve të lija edhe postin vetëm që të gjendet zgjidhje për vendin pa parë interesat personale dhe karrierën time. Dua t’ju siguroj se gjëja më e rëndësishme është garantimi i zgjedhje të 25 prillit, në të gjitha rastet premtimin që kam bërë do e mbaj, deri nmë 24 korrik 2022 Presidenca do jetë kështjellë e pamposhtur e ruajtjes së Kushtetutës. Këtu do ta mbaj me të gjitha mënyrat. Ky nuk është problemi i vetëm. Ky institucion e ka mbrojtur Kushtetutën në mënyrën më të vendosur, që vendi të mos përplaset në fund të greminës edhe pse e ka marrë tatpjetën, mjafton fakti që shtohen kushtet për integrimin. Kjo nuk është përgjegjësi e Presidentit është e qartë se kujt i takon përgjegjësia”.

Ndër të tjera kreu i shtetit iu përgjigj interesit të gazetarëve sa i takon pr/ligjit të ndërmarrë nga maxhoranca për kompetencat e Presidentit të Republikës.

“Nuk ka ligj antikushtetues nga një parlament jo kushtetues që pengon Presidentin të përmbushë misionin e tij kryesor në mbrojtje të kushtetutës në mbrojtje të pluralizmit politik, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Maxhoranca e ka provuar me Presidentin 3-0. Sa herë ka vajtuar në Venecia, pavarësësisht nga lobimi që ka bërë, pavarësisht nga miliardat që ka shpenzuar lart e poshtë. Mos e kthejë në betejë me Presidentin sepse ky është presidenti i popullit të 2marsit.

Nuk është president as i LSI dhe as i opozitës dhe populli është aty është shtuar edhe prap kërkon shpërndarjen. Po unë them këtë punë ta zgjidhim më 25 prill në mënyrë paqësore, qytetare. Duan të më shkarkojnë ta provojnë, të vijnë këtu, kush i pengoi. Presidenti ka respektuar kushtetutën jo grushtin e shtetit. Nuk trembet më njeri në këtë vend, tremben vetëm të tremburit” u shpreh Meta.

Skënder Minxhozi: Dita kur Ilir Meta bënte mirë të heshtte

Nga Skënder Minxhozi

Të dish të heshtësh, shumë shpesh, është po aq e rëndësishme sa të dish të flasësh. Një mësim i thjeshtë jete për cilindo që ka provuar me pezmatim koston e fjalëve të thëna pa vend. E kishte një rast për të heshtur edhe presidenti i Republikës sot, më 21 janar, por vendosi ta shpërfillë. Paçka se Ilir Meta është ndoshta njeriu më i interesuar në këtë vend, që të mos hyjë në hollësitë e kësaj date, kur fati i tij politik u përkthye brenda orësh në një tragjedi që vazhdon të mbajë pezull një pjesë të kujtesës tonë kolektive.

Lexojeni çfarë na thotë sot Presidenti për 21 janarin e vitit 2011: Ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme! Pra, sipas presidentit, edhe nëntë vjet pas atij krimi shtetëror të pandëshkuar ende, teorema mbetet ajo më banalja, e prodhuar pak orë pas vrasjeve: opozita manipuloi protestuesit, ju mbushi xhepat me gurë dhe i yshti për dhunë ndaj godinës së qeverisë dhe i shtyu drejt dhunës.

Se ç’ndodhi më pas, se cila qe dinamika e asaj që pasoi, fajtorët e humbjes së jetëve, e vërteta mbi shkallën dhe përmasat e dhunës, tensioni real që u prodhua në bulevard, sjellja e policisë, Gardës, fakti që vetëm njëra palë posedonte dhe përdori armë, vendi ku u vranë viktimat (larg perimetrit të Kryeministrisë) – të gjitha këto nuk kanë as edhe një gram rëndësi për Ilir Metën. Për të ka rëndësi të kapet fort, si aleati i tij më jetëgjatë në politikën shqiptare, Sali Berisha, pas qerres pa rrota të grushtit të shtetit, të cilën s’e besoi as edhe për sekondë as ai që e shpiku.

Deklarimi i Presidentit se 21 janari ishte fryt i protestuesve të manipuluar, e jo i shtetit me kobure në brez e të dalë mendsh, është në fund të fundit një përpjekje e tij për të shpëtuar alibinë politike të janarit 2011. Kjo duket dhe është e lexueshme që larg. Pyetja është një tjetër: përse Ilir Meta kërkoi të zbulojë kot petët e këtij lakrori të sikletshëm sot, kur mund të kishte hedhur në rrjetet sociale ndonjë nga fotot me ngjitje malesh apo me fitoret e Celltikut? Pse kërkoi të kthehet në vendin e një krimi shtetëror, duke e ditur se 21 janari është një ndër ato ngjarje kur shteti ka vetëm alibinë qesharake dhe krejt cinike “s’kam faj unë pse erdhët, meqë erdhët ju vrava”!

Është krijuar një komision hetimor për puçin e 21 janarit. Njëri ndër turpet e parlamentarizmit shqiptar. Një komision me tre kryetarë që shkonin e vinin, por pa raport final. Kërkojeni raportin final të këtij komisioni, pyesni edhe juristët e famshëm të PD në Kuvend që kanë qenë anëtarë të tij. Ku e kanë raportin nal të punës së tyre hetimore? S’ka raport sepse s’ka patur puç! Ka patur vetëm një vrasje në seri në bulevard, e që sot Ilir Meta bën sikur s’e kujton. Logjika e Presidentit rezonon në mënyrë shumë të çuditshme me atë që ndodhi vitin e shkuar në të njëjtin vend, pra tek kryeministria.

Me këtë manipulimin e protestuesve që thotë Meta, i bie që në dhjetë protestat e dhunshme të opozitës nga shkurti deri në majin e vitit 2019, të ishin vrarë nja 50-60 veta dhe qeveria të mos merrte asnjë përgjegjësi mbi vete. Sepse, siç ka thënë Presidenti, “ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme”. Po e berë në det, thonë vlonjatët, kripa ta sjell në gjellë. 21 janari tashmë është një ngjarje që mund të zbardhet vetëm nga SPAK. Është detyrim historik ndaj të vrarëve, që të bëhet transparencë mbi atë akt ekstrem të papërgjegjshmërisë shtetërore. Ndoshta kështu do të moderojnë fjalët edhe ata që janë mësuar të vijojnë me përrallat bajate të propogandës zyrtare të asaj kohe të çmendur, kur shteti vriste shtetasit e vet…

Meta e cilësoi “rrezik rus”. E vërteta e “shpopullimit”

Ilir Meta shpërndau të martën një shkrim, (të revistës Monitor.al.) ku flitej për rrezikun e shpopullimit të Shqipërisë, ku sipas medias në fjalë, OKB kishte një projeksion se në Shqipëri do të mbeten vetëm 500 mijë shqiptarë në vitin 2100. Ndërkohë, në komentin e tij, Ilir Meta e quante “rrezik rus” këtë gjë. “Kambanat e alarmit po bien! Stop shpopullimit të Shqipërisë! Ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit! Kjo është sfida më madhore që kërkon urgjent dialog, zgjidhje, dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët! 9 kushtet e Bundestagut janë harta e rrugës së Shqipërisë europiane! Koha është tani! Nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë”, shkruante Meta.

Lidhur me këtë shkrim, reagoi zyrtarish Instituti Kombëtar i Statistikave. Së pari, INSTAT shpjegon se nuk mund të bëhen përllogaritje të numrave për migracionin, pasi është një fenomen dinamik. Kështu, INSTAT jep një shembull, duke marrë harkun kohor të vitit 2011-2018. Sipas INSTAT, numrat e emigrantëve (atyre që ikin) dhe imigrantëve (atyre që kthehen) gjatë këtyre viteve, nuk mund të mblidhen. Arsyeja lidhet me faktin se potenciali është që një imigrantë (që është kthyer në Shqipëri gjatë vitit 2011) të largohet përsëri gjatë kësaj periudhe. Pra thënë ndryshe, i njëjti person mund të numërohet disa herë.

“Duke qenë se migracioni është një fenomen dinamik, që do të thotë se të larguarit e një viti janë potencial për migracion kthimi gjatë një viti të mëpasshëm, sikundër mund të jenë imigrantët potencial për emigrim sërish në vitet në vijim. Në këtë mënyrë, nuk mund të mblidhen numrat e estimuar të emigrantëve / imigrantëve gjatë viteve, në këtë rast 2011-2018, pasi ky total numëron të njëjtin person disa herë”, thotë INSTAT.

Ndërkohë, INSTAT sqaron se definicioni bazë për llogaritjen e popullsisë banuese është ai i “Vendbanuesit të Zakonshëm”. “Vendbanuesit e zakonshëm janë të gjithë personat të cilët janë banues të zakonshëm në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë së tyre”, thotë INSTAT. Më tej, Instituti i Statistikave jep dhe të dhënat e lëvizjes së popullsisë (emigrantët dhe imigrantët) për harkun kohor nga viti 2011 deri në vitin 2018. INSTAT thotë se gjatë vitit 2018 emigracioni ka pasur trend rënës, në krahasim me një vit më parë. Po në trend rënës ka qenë dhe imigracioni (të kthyerit në Shqipëri). Ndërkohë, migracioni neto (të ardhurit dhe të ikurit), në vitin 2015 ishte -20.600 persona, ndërsa në vitin 2018 kjo shifër ishte -15030 persona. Pra duke reflektuar një trend rënës nga viti 2015 deri në vitin 2018.

“Numri i Emigrantëve në vitin 2018 është 38.703 duke përsuar një rënie me 3 % krahasuar me një vit më parë. Po të shikojmë trendin gjatë periudhës 2011-2018 numri i emigrantëve ka pësuar rënie. Po të krahasojmë numrin e emigrantëve në vitetet 2011 viti i censusit të fundit të popullisë me vitin 2018, rezulton se ka një rënie të këtij numri me 30%. Nga ana tjetër, numri i imigrantëve (shqiptarë që kthehen ne vend) në vitin 2018 është 23.673 banorë, duke pësuar një rënie me 5,3 % krahasuar me një vit më parë. Gjatë periudhës 2011-2015, numri i imigrantëve ka pësuar rënie dhe në vitin 2015 kemi numrin më të ulët të imigrantëve. Në vitet 2016 dhe 2017 numri i imigrantëve ka pësuar rritje vjetore me 10,6% dhe 8,4%.

Në vitin 2015, migracioni neto (të ardhurit – të ikurit) ka qenë -20.600, ndërkohë në vitin 2018 kjo shifër ka rënë në -15.030, duke reflektuar një trend rënës gjatë gjithë këtyre viteve. INSTAT përdor metoda indirekte për llogaritjen e stokut të migracionit ndërsa për vlerësimin e flukseve vjetore përdoren module specifike në anketat pranë familjeve. Këto module janë të mirë konceptuar dhe ndërtohen bazuar në definicionin e Vendbanues i zakonshëm në mënyrë që të mund të vlerësohet numri i emigrantëve dhe imigrantëve në një vit të caktuar”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Pak kohë më parë, Realstory.al, publikoi një shkrim të titullar “E vërteta e shpopullimit tonë. Si do të ndryshojë popullsia e Shqipërisë?”, ku citonte një studim dhe projeksion të bërë nga “Balkaninsight”, për trendin e shpopullimit në rajonin e Bllkanit dhe Europën Juglindore. Nga studimi rezultonte se Shqipëria ishte në pozita shumë herë më të mira, se sa shumë vende që aktualisht janë anëtare të Bashkimit Europian. Madje, shtete si; Bullgaria, Kroacia apo Rumania, do të kenë nga -22 përqind deri në afër 40 përqind më pak popullsi në vitin 2050 në krahasim me vitin 1989, kur këto vende ndosheshin nën regjimet komuniste. Ndërsa Shqipëria, po për të njëjtën periudhë, pra në vitin 2050, parashikohet të ketë më -18 përqind më pak popullsi në krahasim me vitin 1989, kur ndodhej ende në sistemin diktatorial dhe nuk kishte ndodhur eksodi masiv pas hapjes së kufijëve. /Realstory.al/

Skip to toolbar