“Ul opozitën dhe pozitën në tavolinë!” Meta takim me aleatët e PD-së

Vetëm një ditë më parë kryetarët e partive të vogla që janë në aleancë më partinë Demokratike kërkuan nga presidenti Ilir Meta që të ul në tryezë opozitën dhe pozitën për të zgjidhur situatën e krijuar në vend dhe të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo kërkesë e aleatëve të Bashës erdhi pas takimit të tyre me ambasadorin e BE, Luigi Soreca.

Ditën e sotme presidenti Meta ka bërë publike vendimin e tij për t’u takuar me krerët e partive të vogla, përkatësisht PR,LZHK,PPA,PBDNJ dhe PDK, ditën e martë në orën 11:00.

Asnjë nga këto parti nuk është regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa kanë firmosur një marrëveshje aleance me PD-në.

“Nuk ka më qetësi e dashuri si në kohën e Metës, por revoltë”

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka bërë të qartë qëndrimin e LSI-së në mbështetje të revoltave për përmbysjen e qeverisë. Në fjalën e mbajtur sot në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të LSI-së, Kryemadhi tha se iku koha kur LSI drejtohej nga Ilir Meta që bënte thirrje për qetësi e dashuri, tani është koha për revolta.

Ajo theksoi se LSI kërkon, së bashku me partitë e tjera të Koalicionit Opozitar, një qeveri tranzicioni që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Marrëveshja jonë me opozitën dhe partitë e tjera është shumë e qartë. Qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo parti politike, që garanton qytetarët që të zgjedhin atë politikan që duan. kjo marrëveshje, ku bëhen bashkë mbi 60% e votuesve shqiptarë do të thotë që është shumica e shqiptarëve , pa llogaritur ata socialist të zhgënjyer. Sa i përket faktorit ndërkombëtare, ia kemi bërë shumë të qartë dhe jemi të palëkundur: Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çështja e precedentit: jemi i vetmi vend në botë pa gjykatë të lartë dhe kushtetuese, ku pronar i shtetit është kryeministrit, rast i paprecedentë. Do jemi në kontakt të vazhdueshëm, do jetë e pandalshme, për t’u takuar me njerëzit dhe për t’u sqaruar. Njerëzit e LSI duhet të zgjohen dhe të takojnë njerëzit që kanë qenë viktima të propagandës së Ramës. Ne duhet t’iu bëjmë të qartë që roli i LSI me PS ka qenë domethënës që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, ka qenë vendimtar për frenimin e korrupsionit, për gjobat dhe tmerret që ka bërë për gjobat e biznesit, për lirinë e mediave.

LSI nuk është më e kohës kur kishte Ilir Metën që donte stabilitetin e vendit, që kishte hallin e qeverisë dhe qetësisë. Dashuri dhe qetësi me kriminalin nuk ka. Ta ketë të qarta Rama, të mos guxojë të cenojë asnjë gjë të shqiptarëve se s’do jetë përballja ligjore, por do jetë personale se s’ka për ta falur asnjëri kudo që është. I bëj të qartë Ramës që të ketë kujdes, se 4 bandat e tij janë shumë të vogla. Rama ta dijë se çdo shtëpi e ka një luftëtar që të marrë shenjë at ku duhet, revolta e shqiptarëve akoma nuk ka filluar. Kandidatët do të dalin nga strukturat partiake, do të futen në një proces një anëtar një votë. Jo vetëm kandidatë për deputet, por edhe për kryetar bashkie dhe këshilltar bashkia”, tha Kryemadhi.

LIVE- Mbledhja e KDK

LIVE- Mbledhja e KDK

Publiée par Monika Kryemadhi sur Vendredi 26 avril 2019

“Bibliotekat bosh, kafenetë plot. Trishtim!”

Në ditën Botërore të Librit, presidenti Ilir Meta vjen me një apel për të gjithë të rinjtë. Në faqen e tij në Facebook, Meta shkruan se libri është miku më i mirë i njeriut në të gjitha kohërat, ndaj dhe rinia duhet t’i kthehet leximit dhe dijes.

“Libri është jo vetëm miku më i mirë, por edhe dashuri e madhe e të gjitha kohërave. Është e trishtueshme të shohësh sot biblioteka bosh dhe kafene të mbushura plot me të rinj, por asnjëherë nuk është vonë t’i orientojmë ata drejt librit dhe t’u kujtojmë se vetëm dija mund të pasurojë dhe të ndryshojë jetët e tyre.

Rikthehuni fuqishëm tek libri dhe leximi, për plotësimin e dijeve dhe ëndrrave tuaja, është ky apeli im për të gjithë të rinjtë e të rejat, sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave Autoriale.”, shkruan Presidenti Meta.

Raporti për lirinë e mediave, Meta: Kambanë e fortë alarmi për integrimin e vendit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit për lirinë e mediave nga organizata “Reporterët pa kufij”. Ky raport nuk ishte aspak pozitiv për Shqipërinë, që kishte rënë në listë me plot 7 vende duke u renditur në vendin e 82-të. Meta e cilësoi raportin si një kambanë alarmi që do të ndikojë edhe në rrugën e vendit drejt integrimit Europian.

“Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias. Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një kambanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.” – tha Meta

Meta e cilësoi lirinë e shprehjes si të drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë të pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.

“Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit. Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.” – thuhet në deklaratë

Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për…

Publiée par Ilir Meta sur Jeudi 18 avril 2019

Meta kërkon kthimin e pronave Komunitetit Mysliman

Në një takim që zhvilloi sot me kryetarin e Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu, Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë që t’i kthejë pronat bashkësive fetare dhe të garantojë kompensimin e tyre sa më parë.

Në këtë takim Presidenti Meta përgëzoi kryetarin Spahiu për zgjedhjen e tij në krye të kësaj bashkësie fetare, vlerësoi rolin e shquar të Komunitetit Mysliman, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend, si dhe në forcimin e shtetit tonë.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes institucioneve fetare në vend me ato shtetërore në të gjitha fushat, që nga arsimi, shëndetësia, solidariteti shoqëror me më të pamundurit dhe njerëzit në nevojë.

Gjithashtu u theksua roli i jashtëzakonshëm i bashkësive fetare, në veçanti të KMSH, për mbajtjen e rinisë larg veseve, drogës dhe kriminalitetit, që dëmtojnë kohezionin social dhe shkatërrojnë familje e jetë njerëzish.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e funksionimit të Këshillit Ndërfetar në Shqipëri, si një instrument që forcon bashkëjetesën, harmoninë dhe solidaritetin në vendin tonë.

“Djegia e mandateve një marrëzi. Të mos kthejmë ‘97-ën”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e quan marrëzi djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, ndërsa ngarkon me përgjegjësi dhe maxhorancën për situatën politike në vend. Në një intervistë mbrëmë në emisionin “Përballë”, Meta tha se zgjidhja nuk vjen as nga bojkoti dhe as nga djegia e mandateve, por nga dialogu mes palëve. Ai gjithashtu theksoi bindjen se ende ka vend për kompromis për të mos lejuar që vendi të kthehet mbrapsht në ’97-ën.

 “Duhet të keni parasysh që qëndrimi im, jo kundër djegies së mandateve që gjithmonë më është dukur një marrëzi, mund ta them pa frikë këtë gjë, por edhe ndaj bojkotit ka qenë gjithmonë që bojkoti është për të dhënë një mesazh, mund të ikësh në një seancë ku shkelet një e drejtë apo do të japësh një qëndrim që do të tërheqësh vëmendjen e opinionit, por nuk është një zgjidhje, pasi duke mos pasur iluzione dhe duke mos kërkuar standardet e demokracisë daneze, pasi kjo është dhe çështje kulture e tradite, besoj se edhe pse Parlamenti ynë apo institucionet tona kanë mangësitë e tyre, rruga më e mirë është të punosh brenda institucioneve për t’i përmirësuar ato. Ashtu sikurse mund të punosh edhe jashtë tyre përmes protestave duke ushtuar presion apo ndikim në mënyrë që ato të jenë në lartësinë e duhur që kërkon Kushtetuta, ligji, interesi kombëtar dhe publik.

Pra, nuk kam qenë dakord me këtë qasje, ashtu sikur se kam qenë gjithmonë i bindur që mazhoranca duhet të bënte përpjekje shumë më të mëdha për dialogun me opozitën, për tu bashkërenduar me të për shumë çështje të rëndësishme, sidomos ato të integrimit europian, sepse duhet paraqitur duhet demonstruar si një interes kombëtar, po këtë gjë nuk e kemi vënë re. Mua më vjen keq për këtë situatë sepse ka qenë tërësisht e evitueshme. Por dëshira për të treguar forcë secila palë më tjetrën na ka sjellë në këtë përshkallëzim të krizës.

Shpresoj të jemi ende në kohë që të mos shkojmë drejt një konfrontimi që do të ishte tërësisht i pafalshëm për të gjithë. Siç e kam theksuar dhe më parë të gjithë duhet të kemi nxjerr mësime nga ‘96-’97 dhe nuk do të rrezikojmë arritjet e vendit që nga ajo kohë e deri më tani, përfshirë edhe liberalizmin e vizave dhe shumë arritjeve të tjera. Në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në normalitet kushtetues, institucional, demokratik, sepse ky është vendi i të gjithë neve dhe nuk mund të ecim me logjikën e përjashtimit”, u shpreh presidenti.

“Vendimi i Holandës për rikthimin e vizave, një kambanë alarmi”

Pas vendimit të parlamentit holandez për t’i kërkuar qeverisë rikthimin e vizave me Shqipërinë, ka reaguar edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai e ka cilësuar këtë vendim, një kambanë alarmi për politikën shqiptare dhe bën thirrje që të ketë reflektim dhe të merren masat në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga liberalizimi i vizave me vendet e BE-së.

“Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Në dijeninë time nuk ka ndodhur që më parë të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër të paktën të rajonit tonë. Është një kambanë alarmi për të gjithë ne për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe më të forta në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar që është një shqetësim jo vetëm për Holandën por edhe për disa vende të tjera të BE. Duhet të punojmë sa më ngushtë me Komisionin Evropian, me vendet e tjera që mos kemi një rast tjetër si  rasti i Holandës që do të krijonte perceptim negativ për vendin tonë. Ky hap na kujton që janë disa arritje që nuk janë  të dhëna njëherë e përgjithmonë, mund të cenohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej drejt akteve të tjera që mund të cenonin liberalizimin e vizave”, tha Meta në  emisionin ‘Përballë’, me gazetarin Lutfi Dervishi.

Meta në kolegjin e NATO-s: Politika e ‘Dyerve të Hapura’ edhe për vendet e tjera të Ballkanit

Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Gjatë fjalës së tij në auditorin e Kolegjit, Presidenti Meta nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej.

“Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme. Shqipëria është një partner i besueshëm i NATO-s dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit. ” – ka thënë Meta

Meta foli edhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut por edhe Kosovës si një domosdoshmëri për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Ballkanit.

“Ne jemi të bindur se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte veprimi i duhur dhe i domosdoshëm me impakt rajonal dhe gjeostrategjik. Aleanca provoi fuqinë, forcën dhe vendosmërinë e saj duke sfiduar me sukses përpjekjet serioze që synonin dështimin e këtij procesi. Jemi të lumtur sot për përfundimin e sagës së gjatë të mosmarrëveshjes mes Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse jam i bindur se anëtarësimi i vendit tonë fqinj në NATO dhe në Bashkimin Europian është një gur tjetër themeli për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e Aleancës dhe të Bashkimit Europian.” – tha Meta

Meta: Grabitja, mungesë e funksionimit të institucioneve të sigurisë

Presidenti Ilir Meta e ka konsideruar ngjarjen në Rinas si një kërcënim serioz i sigurisë kombëtare brenda një objekti me siguri të lartë. Meta tha se kjo ngjarje është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.

Deklarata e plotë

Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik.

Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.

Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale.

Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 16 maj 2018, sikurse dhe ju e dini,kam organizuar mbledhjen e këtij Këshilli me objekt “Gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike”.

Pika 3 e axhendës së këtij takimi ishte “Raporti mbi sigurinë e infrastrukturave strategjike, portuale dhe aeroportuale, të RSH-së”.

Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me:

  1. Mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin Nënë Tereza;
  2. Mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.

Këto shqetësime u mbështetën dhe u evidentuan edhe nga përfaqësuesit e disa Institucioneve të rëndësishme në këtë mbledhje.

Në konkluzion të kësaj pike të axhendës u evidentua domosdoshmëria e trajtimit urgjent të të gjithë problematikës dhe zgjidhjen e saj përfundimtare.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse.

Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve.

Në këto kushte, si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.

U kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve,si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura.

Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur.

Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte patur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj.

Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën.

Nga ky moment Institucioni i Presidentit të Republikës, vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe konkluzioneve të tij.

Protestuesit çajnë kordonin e policisë, reagon menjëherë presidenti Meta

Pas përfundimit të fjalës së kreut të PD, Basha, disa protestues kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë para Kryeministrisë. . Në fakt kanë qenë vetë policia që lejuan hapjen e gardhit rrethues me hekura dhe lejuan hyrjen e protestuesve brenda godinës së Kryeministrisë.

Situata nuk është shoqëruar me tensione, por vetëm me disa protestues kanë qëndruar në shkallët hyrëse të Kryeministrisë duke protestuar paqësisht. Kjo situatë ka zgjatur pak minuta dhe më pas policia ka vendosur sërish kordonin duke larguar protestuesit.

Gjatë këtij momenti ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi i Presidentit Meta me një mesazh të shkurtër por shumë të qartë: “ Protesta të vijojë paqësore, të evitohen konfrontimet.”

Skip to toolbar