Irani paralajmëron: Shqipëria gaboi, të kthehet në rrugën e duhur

Irani e ka cilësuar vendim të gabuar dhe të pabazuar në prova dëbimin e dy diplomatëve iranian nga Shqipëria. Në një konferencë për mediat i pyetur për dëbimin e diplomatëve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi tha se Shqipëria ka bërë disa gabime dhe se duhet të kthehet në rrugën e duhur, pasi ajo në të cilën ndodhet nuk është konstruktive.

Gjithashtu duke iu referuar SHBA-ve si palë të treta, Mousavi tha se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve nuk duhet të ndikohen nga jashtë dhe shpresonte se qeveria shqiptare do të rishqyrtonte çështjen.

“Ne mendojmë se qeveria shqiptare ka kryer gabime të përsëritura dhe e ka bërë këtë pa asnjë provë. Ne e dënojmë këtë veprim dhe shpresojmë se qeveria shqiptare do të kthehet në rrugën e duhur konstruktive. Duke shpresuar se Shqipëria do të rishqyrtonte çështjen dhe do të parandalonte që lidhjet e mira midis dy vendeve të preken nga një palë e tretë” është shprehur Mousavi.

Disa ditë më parë, Shqipëria dëboi dy diplomatët iranianë, Mohamed Peimanemati këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit në Tiranë dhe Seyed Ahmad Hosseini, atashe kulturor i Iranit në Shqipëri, duke i shpallur persona të padëshirueshëm.  Dy diplomatët iranianë akuzohen për cenim të sigurisë kombëtare duke pasuar dëbimin e ambasadorit iranian dy vite më parë nga Shqipëria. Ata dyshohet se kanë pasur lidhje me ish-komandantin e forcave “QUDS”, Kasem Sulejmani, që u vra më 3 janar nga forcat amerikane në Irak. Vendimi për dëbimin e dy diplomatëve iranian u përshëndet edhe nga DASH, i cili tha se “regjimi iranian kamuflon aktet terroriste përmes të ashtuquajturve diplomatë”.

Dëbimi i 2 diplomatëve, DASH: Ambasadat e Iranit, strehë për terrorizmin

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar nga vendi edhe dy diplomatët iranianë, të akuzuar për cenim të sigurisë kombëtare. Përmes zëdhënëses së DASH, Morgan Ortagus është vlerësuar vendimi i Shqipërisë kundrejt dëbimit të dy të ashtuquajturve diplomat. DASH cilëson se regjimi iranain përmes kamuflimeve me pseudo diplomatë dhe ambasadat e tij në Europë dhe vende të tjera mbulon aktet terroriste jashtë territorit të tij.

Ne përgëzojmë vendimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy të ashtuquajtur diplomat iranian. Regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Evropë dhe gjetkë si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë’ shkruhet në reagimin e Ortagus.

Dëbimi i dy diplomatëve iranian Mohammad Ali Arz Peimanemati Konsulli i Tretë dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast Konsull Kulturor u dëbuan pas akuzohen për cenim të sigurisë kombëtare duke pasuar dëbimin e ambasadorit iranian dy vite më parë nga Shqipëria. Dyshohet se atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe ishte përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së. Ata dyshohet se kanë pasur lidhje me ish-komandantin e forcave “QUDS”, Kasem Sulejmani, që u vra më 3 janar nga forcat amerikane në Irak  pasi kishte planifikuar sulme terroriste kundër forcave amerikane dhe partnerëve të saj.

Rrezik për sulm nga Irani? Shtuni në Real Story: Kërcënimet ekzistojnë, Shqipëria e ka sfiduar

“Kërcënimet janë bërë, por shanset për të goditur Shqipërinë janë të vogla”. Kështu është shprehur eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, Adrian Shtuni në emisionin “Real Story” përballë gazetarit Sokol Balla i pyetur për rrezikun real që i kanoset Shqipërisë pas kërcënimeve që bëri lideri suprem i Iranit Ali Khamenei duke e cilësuar “një vend i vogël djallëzor”. Shtuni tha se pavarësisht shanseve të vogla për sulm, duhet pasur kujdes, pasi Irani po sulmon në mënyrë asimetrike aty ku ka prezencë amerikane dhe partnerë të Amerikës, duke qenë se nuk ka mundësi të sulmojë drejtpërdrejtë SHBA. Për Shtunin rreziku rritet edhe për faktin se Shqipëria ka përzënë ambasadorin iranian nga vendi dhe se liderët e kanë identifikuar Iranin si faktor destabiliteti duke e sfiduar atë.

“Shqipëria ka marrë vendimin e duhur për pranimin e muxhahedinëve MEK në vend si një kërkesë e ardhur drejtpërdrejtë nga SHBA, por është edhe në linjë të drejtë me vlerat e shoqërisë shqiptare. Ka një shqetësim për sa i përket aspektit të sigurisë, por shanset që të godasë Irani janë të vogla, megjithatë duhet pasur parasysh që kërcënimet janë bërë.

Tendenca e Iranit për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së Kasem Sulejmanit ka qenë asimetrike pasi mundësitë për të sulmuar SHBA janë tepër të vogla. Kjo ka bërë që Irani të fokusohet te prezenca amerikane dhe partnerëve të saj jashtë Amerikës.

Rrezikshmëria është ekzistonte prandaj është mirë të kihet kujdes.  Ka pasur tendenca më para. Dëbimi i ambasadorit ishte një farë ofendimi i drejtpërdrejt, një farë hedhje e dorezës në fytyrë. Gjithashtu deklaratat e liderëve që e kanë identifikuar Iranin si burim destabiliteti. Soleimani ka pasur gjak në duar për vrasjen e qindra amerikanëve kështu që goditja ka qenë e pritshme. Irani sulmoi dy baza amerikane në Irak, një goditje jo e fortë por një telegram për SHBA dhe për të shpëtuar fytyrën e saj pas vrasjes së gjeneralit Sulejmani” tha Shtuni në një lidhje me Skype nga Uashingtoni me studion e emisionit Real Story.

SHBA vlerëson Shqipërinë: Kundërshtoi terrorizmin iranian

Ambasadori i SHBA në OSBE, James Gilmore ka falenderuar kryeministrin Rama për qëndrimin që Shqipëria mbajti në lidhje me aksionin amerikan kundër terrorizmit ku u vra gjenerali iranian Qasem Soleimani. Gjatë fjalës së tij në seancën e hapjes së kryesisë shqiptare të OSBE-së, Ambasadori Gilmore falenderoi Kryetarin e Zyrës dhe Kryeministrin shqiptar Edi Rama për refuzimin që Shqipëria i bëri fushatës së terrorizmit në Irani kundër interesave amerikane.

Në fillim, dëshiroj të lavdëroj Shqipërinë për deklaratën e saj të fortë të mbështetjes së 3 janarit dhe kundërshtimin e saj të fuqishëm të fushatës së Iranit të dhunës dhe terrorizmit kundër amerikanëve dhe interesave amerikanë. Ky, zoti Kryeministër, është një shembull i qartë lidershipi në rrethana të vështira dhe vendos tonin e duhur gjatë kryesimit të Shqipërisë,” deklaroi Gilmore.

Kjo vrasje nxiti tensione me SHBA dhe Iranit, si dhe kërcënimin direkt të Shqipërisë nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei si një “vend i vogël djallëzor” që mbron terratisët MEK dhe Amerikën. Ambasadori amerikan në OSBE, Gilmore foli për sulmin që ndërmori presidenti Trump, ku tha se kjo ishte e nevojshme për ruajtjen e jetës së qytetarëve amerikanë. Glimore e cilësoi si një veprim mbrojtës që SHBA ndërmori pas shumë paralajmërimeve që i kishin bërë regjimit iranian të ndërpriste sulmimin e personave dhe interesave amerikane.

Vetëm pas paralajmërime të përsëritura për regjimin iranian për të ndërprerë shënjestrimin e personave dhe interesave amerikanë, Presidenti Trump ndërmori veprime për të mbrojtur jetën e Amerikës. Më 7 janar, Irani lëshoi ​​më shumë se një duzinë raketa balistike kundër SHBA dhe personelit ushtarak të koalicionit në Irak. Edhe pse sulmi nuk shkaktoi viktima, veprimet e Iranit kërcënuan jo vetëm jetën amerikane, por edhe ato të partnerëve dhe aleatëve tanë. Në dritën e këtyre sulmet, Shtetet e Bashkuara menjëherë do të vendosin sanksione shtesë, të rrepta për regjimin iranian. Sanksionet tona do të qëndrojnë derisa Irani të ndryshojë sjelljen e tij destabilizuese në Rajon” tha Glimore.

Ambasadori shtoi se SHBA nuk kërkon luftë ndërsa nxiti 56 vendet e OSBE të dënojnë publikisht veprimet e Iranit. Gjenerali iranian Soleimani u vra më 3 janar gjatë një sulmi me dron nga SHBA, ndërsa ky veprim u mbështet nga kryeministri Rama duke u shprehur se “si një vend që njohu pak kohë më parë veprimtarinë e padrejtë të Iranit kundër botës së lirë dhe mori distancë të qartë nga ajo, Shqipëria aprovon me forcë qëndrimin e Donald Trump ndaj një aktivisti keqdashës të regjimit të Teheranit! Ne jemi të vendosur me SH.B.A. dhe shpresojmë se të gjithë ta bëjnë këtë”.

“Irani dhe drejtimi i OSBE nga Shqipëria”, rikthehet sonte “Real Story” nga Sokol Balla

Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla rikthehet në mbrëmje në orën 21:00 në News 24, në emisionin e parë për këtë vit. Emisoni i mbrëmjes të së hënës do të fokusohet te politika e jashtme e Shqipërisë. Në pjesën e parë do të diskutohet rreth asaj që ka qenë ngjarja kryesore e këtij fillim viti, Vrasja e Kasem Sulejmanit, komandantit të forcave elitare iraniane, “QUDS”.

Gjithashtu, lajmi tjetër i rëndësishëm është marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria për herë të parë në historinë tonë. Të ftuar për të diskutuar për këto tema janë Etjen Xhafaj, në cilësinë e zëvendësminsitrit të Jashtëm, Tritan Shehu, ish-ministër i Jashëm, analistët Fatos Lubonja dhe Skënder Minxhozi si dhe në lidhje direkte eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.

Në fillim të vitit të ri 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vranë Kasem Sulejmanin, komandati i forcave elitare “QUDS” të Iranit. Ky akt nxiti tensione të mëdha mes SHBA dhe Iranit, aq sa republika islamike sulmoi disa baza amerikane në Irak si shenjë hakmarrje, por fatmirësisht pa viktima.  Në të njëjtën ditë forcat ushtarake iraniane sulmuan një aeroplan civil ukrainas, që sapo ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit.

Avioni i rrëzuar u mori jetën 176 personave në bord. Ndërkohë, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei duke folur kundër SHBA për vrasjen e Sulejmanit, e quajti Shqipërinë “vend djallëzor”.  Ndërkohë, Kryeminsitri Edi Rama gjatë marrjes së kryesimit të OSBE, i pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria rrezikohet nga këto kërcënime, ai u shpreh: “Se nuk ka rrezik për vendin tonë”, ndërsa shtoi “se kush sulmon Shqipërinë ka sulmuar NATO-n”.

Gjithashtu, Shqipëria do të drejtojë gjatë vitit 2020, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE. Në marrjen e detyrës si kryesues i kësaj organizate, Kryeministri Edi Rama renditi disa nga prioritetet e tij, ndërsa tha se “kriza në Ukrainë është sfida kryesore”. Gjithashtu ai theksoi se OSBE do të punojë më shumë në terren në vendet ku ka konflik. /Realstory.al/

Kongresi miratoi rezolutën që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë më të cilën i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit. Në favor të rezolutës ishin 224, ndërsa kundër votuan 194 ligjvënës.

Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kritikoi administratën e presidentit Trump për kryerjen e sulmit ajror javën e kaluar që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani, pa u këshilluar me Kongresin.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim “provokues dhe jo proporcional” që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit derisa Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura.

“Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme,” tha zonja Pelosi. “Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën e së enjtes “të gabuar” dhe “qesharake”.

Rezoluta nuk është detyruese, ndërsa vështirë që do të sigurojë votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët./VOA/

Rama i përgjigjet në shqip Iranit: Çdo sulm ndaj nesh, është sulm ndaj NATO

Pas përfundimit të konferencës së marrjes së kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të kësaj organizate, doli në një konferencë për shtyp. Gjatë konferencës, gazetarët e pyetën Kryeministrin Edi Rama në lidhje me rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga një sulm i mundshëm nga Irani. Rama tha se fakti që në Shqipëri janë strehuar përfaqësuesit e opozitës iraniane është një risk për vendin. Por ai shtoi, se çdo sulm nda Shqipërisë është sulm ndaj NATO-s. Fillimisht, Kryeministri kërkoi që të fliste në gjuhën shqipe, pasi sipas tij është hera e parë që në zyrat e OSBE flitet shqip. “Dua mundësinë të flas shqip në këtë sallë pasi nuk është folur kurrë shqip më përpara në këtë sallë. Sfida jonë është të fokusohemi tek parimet elementare”, tha Rama.

Ndërsa më pas iu përgjigj edhe liderit supreme të Iranit, Ali Khamenei, që e quajti Shqipërinë “vend  djallëzor”. “Kemi marrë përsipër një risk që të strehojmë 3 mijë muxhahedinë. Jam shumë krenar që ky risk është marrë në mënyrë bipartizane. Në këtë drejtim politika shqiptare ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar në funksion të një aleance strategjike të padiskutueshme me SHBA. Dua të nënvizoj se ne jemi anëtare të NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n. Pra kush e ka menduar përfshirjen në NATO si një moment celebrimi, ne jemi vend i saj dhe ne kemi detyrime në NATO. Jemi në një botë ku përballemi me rreziqe dhe armiq të demokracisë dhe jemi shumë krenarë që jemi të dobishëm në mbështetje të një aleance që lufton për një botë më të mire”, tha Rama ndër të tjera.

Gjithashtu, kryeministri Rama e përmendi këtë çështje edhe gjatë fjalës përmbyllëse në konferencën ku Shqipëria mori zyrtarisht drejtimin e OSBE. Rama tha se duhet një platformë dialogu me vendet e Azisë, pasi situata është përkeqësuar, ndërsa tha se “këtë po e them në emër të një vendi që u cilësua djallëzor”. “Së fundi duke qënë se shumë prej mundësive tona vijnë përtej shtrirjes së OSBE, na duhet të forcojmë platformat e dialogut me vendet aziatike për bashkëpunim. Situata aktuale në brigjet jugore është se sa ngushtë e ndërlidhur është siguria e vendeve tona, dhe meqë ra fjala por flas në emër të një vendi që dje u përcaktua si një vend djallëzor në mes të Europës nga autoriteti më i lartë i regjimit totalitar të Iranit”, tha Rama.

Ai u pyet dhe për angazhimin e tij si kryesues i OSBE për situatën në Ukrainë. Kryeministri Rama tha se vizita e parë e tij do të jetë në Ukrainë, ndërsa shtoi se do të punojë që konflikti me Rusinë të mos përkeqësohet. “Dëshiroj të theksoj se si Kryesuesi i OSBE unë nuk duhet të largohem dhe të shpreh qëndrime apo pikëpamje, që mund të jenë të natyrshme kur flas si kryeministër i Shqipërisë, por në këtë pozitë që jam, kjo s`do të jetë e mundur. Si kryesues i OSBE detyra ime është të nxisë dialog dhe të ecim përpara. Kriza në Ukrainë dhe siguria në Europë është një sfidë e madhe. Do mundohemi të jemi sa më të dobishëm të jetë e mundur që të dyja palët të afrohen drejt një kohezioni pozitiv. Nuk është pa arsye që unë kam vendosur që vizitën time të parë ta bëj në Ukrainë. Jam i angazhuar të bëj më të mirën time, në mënyrë që kjo krizë të mos shkallëzohet më tutje”, tha Rama.

Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka efektivë të Shqipërisë në Irak

Irani sulmoi dy baza ushtarake amerikane në Ibril dhe Al Asad në Irak. Sulmi erdhi si hakmarrje për vrasjen e Qassem Soleimani, ish-Komandanti i Forcave “QUDS” pjesë e Gardës Revolucionare të Iranit. Nga raportimet e mediave iraniane dyshohet se janë vrarë të paktën 80 persona.

Ndërkohë, lidhur me këtë lajm tronditës, reagoi dhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Në një njoftim të shkurtër, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se Shqipëria nuk ka efektivë në Irak.

Ky lajm qetëson familjet shqiptare që kanë përfaqësues të tyre në Forcat e Armatosura që shërbejnë me misione jashtë vendit. Ndërkohë, sulmi i bazave ushtarake amerikane nga Irani erdhi një ditë pasi u bë ceremonia mortore e Qassem Soleimanit.

Vritet komandanti i forcave Quds në Iran, Kasem Sulejmani

Departamenti i Mbrojtjes konfirmoi se nga nje sulm amerikan me raketa në aeroportin ndërkombëtar të Bagadit ka mbetur i vrarë gjenerali Kasem Sulejmani, komandant i forcave elitë të Iranit. Sulmi u njoftua fillimisht të premten në mëngjes nga ushtria e Irakut. Sulejmani ishte komandant i forcave revolucionare Quds të Iranit. Forcat shiite të mobilizimit popullor thanë në një postim në Facebook se ky ishtë një “bombardim prej frikacakësh nga ana e SHBA.”

Pentagoni tha në një deklaratë se sulmi u ndërmor për të mbrojtur personelin amerikan jashtë vendit.m Forca Quds është shpallur organizatë terroriste nga SHBA. Në deklaratë, Pentagoni tha se gjeneral Sulejmani ishte duke përpunuar aktivisht plane për të sulmuar diplomatë dhe ushtarakë amerikanë në të gjithë rajonin. Raketat ranë pranë terminalit të ngarkesave ajrore, duke djegur dy automjete dhe plagosur disa njerëz, tha ushtria irakiane në një deklaratë. Ndërkaq, burimet mjekësore dhe policore thanë se të paktën një person u vra dhe nëntë u plagosën.

Pjestarë të grupeve paraushtarake të Irakut të mbështetura nga Irani sulmuan ambasadën e SHBA në Bagdad të martën pas goditjeve ajrore amerikane të dielën kundër bazave të milicisë Kataeb Hezbollah në shenjë hakmarrjeje për sulmet me raketa që vranë një kontraktues amerikan në Irakun e veriut javën e kaluar. Tensioni midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është rritur në rajon dhe lidhet me sanksionet ekonomike të SHBA që dëmtojnë ekonominë iraniane. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet ndaj instalimeve të naftës, depove të armëve të milicisë dhe bazave ushtarake që strehojnë forcat amerikane, raportom Zëri i Amerikës në një artikull.

Ndërkohë, kujtojmë se vetëm pak muaj më parë në Shqipëri u parandalua një sulm terrorist iranian kundër opozitës së këtij vendei të strehuar në vendin tonë. Sulmi do të kryhej nga disa persona të cilët ishin trajnuar dhe ishin pjesë e forcave iraniane Quds. “Një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë. Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta”, u shpreh në një deklaratë në muajin tetor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Gjenerali amerikan viziton kampin e MEK në Shqipëri, takon kreun Maryam Rajavi

Gjenerali james Jones, ish-këshilltari i parë i Sigurisë Kombëtare në kabinetin e presidentit Brack Obama, zhvilloi një vizitë në kampion Ashraf 3, ku qëndrojnë pjesëtarët e opozitës iraniane, të njohur si “MEK”.

Gjatë vizitës në këtë kamp në Manëz, James Jones është takuar me Maryam Rajavi, Presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, ndërsa u shoqërua nga kryetari i Partisë Republikane në Shqipëri, Fatmir Mediu.

Gjatë fjalës së tij, Gjenerali Jones, i tha pëfaqësuesve të opozitës iraniane, se SHBA do të përpiqet për të sjellë rrëzimin e regjimit aktual në Iran, për t`i hapur rrugë demokracisë.

“Do të përpiqemi të bëjmë çdo gjë që mundemi për të sjellë rrëzimin e këtij regjimi në një kohë sa më të shkurtër në mënyrë që të mund të gëzojmë dritën e lirisë, demokracisë, dhe shpresës për një jetë më të mirë për të gjithë popullin e Iranit”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Maryam Rajavi është shprehur se “komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet t’i mbështesin kërkesat e drejta të popullit iranian për ta përmbysur këtë regjim dhe për të themeluar lirinë e demokracinë në Iran”.

Skip to toolbar