“Tërmeti apokaliptik” i parashikuar nga Meta, lëkundjet në Korçë shkaktojnë panik te banorët

Qyteti i Korçës është tronditur sërish nga tërmeti, duke shkaktuar panik te banorët. Tërmeti me magnitudë 4.7 ballë ka tronditur Korçën, zonat përreth saj madje është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut. Epiqendra e tërmetit ka qenë 9 km në jugperëndim të Korçës.

Tërmeti është shoqëruar edhe me një lëkundje tjetër 3.4 ballë me epiqendër 13 km nga Korça, afër Bilishtit.

Banorët kanë dalë të alarmuar nga shtëpitë, ndërsa nuk raportohet ende për dëme materiale.

Lëkundjet e reja të tokës vijnë pak javë pas tërmeteve shkatërruese në Korçë që dëmtuan 290 banesë, ndërsa 124 i shkatërroi tërësisht. Dëmet më të mëdha u paraqitën fshatin Floq, Qafzezë dhe Vidohovë.

Megjithëse tërmeti nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme materiale, banorët kanë dalë të frikësuar nga shtëpitë e tyre, duke marrë shkas edhe nga deklaratat e dëgjuara gjatë dy ditëve të fundit në lidhje me ‘tërmetet apokaliptike” që presidenti Meta cilësoi me letrën e tij drejtuar disa institucioneve për të marrë masa parandaluese. Sigurisht që tërmeti nuk ka qenë i përmasave apokaliptike, por këto deklarata kanë mjaftuar për të trembur edhe më shumë qytetarët e Korçës. Madje, ministrja Xhaçka deklaroi të mërkurën se tërmetet nuk mund të parashikohen, duke i kthyer përgjigje kreut të shtetit për shqetësimin e tij.

Por, pas tërmetit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Edmond Panaritit, ish-ministër i Bujqësisë nga radhët e LSI-së, duke thënë se apeli i Presidentit Meta duhej marrë me seriozitet.

 “Sapo ra tërmet i fortë në Korçë..! Merreni seriozisht apelin e presidentit dhe sidomos shiheni mirë hartën poshtë, ajo është e 2019, reale dhe kërcënuese. Filloni lëvizni, sa nuk është vonë”, shkruan Panariti, duke përhapur panik edhe më të madh te banorët e Korçës.

Korça nuk gjen qetësi, lëkundje të tjera tërmeti gjatë natës

Të paktën dy lëkundje të tjera tërmeti janë regjistruar gjatë natës sërish në qytetin e Korçës. Sipas IGJEUM janë regjistruar gjithsej 67 tërmete vetëm brenda 30 orësh.

IGJEUM njofton se dy tërmetet janë regjistruar pas mesnate rreth orës 03: 06. Ndërsa një tjetër tërmet ka rënë mëngjesin e së hënës rreth orës 7:49 me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter.

Për fat magnituda e goditjes gjatë natës nuk ka qene e madhe, 2.4 dhe 2.1.

Tërmeti më i fortë që ka goditur qarkun e Korçës këto ditë ka qenë 5.3 ballë i shkallës rihter. Ndërkohë që janë dëmtuar 184 shtëpi, 60% e të cilave të pabanuara.

Ushtria ka vënë në dispozicion çadra për familjet që kanë mbetur pa shtëpi.

Tërmeti në Korçë, reagon Meta: Të merren masa, vëmendje për banorët e prekur

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar duke shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Korçë dhe në fshatrat përreth që u prekën në tërmetet e natës së të premtes.

“Presidenti Meta u bën thirrje dhe nxit të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale, që të ndjekin me shumë vëmendje dhe të analizojnë me përgjegjësi këto pasoja, si dhe të marrin masa të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore duke u garantuar shërbim shëndetësor, pajisje me ushqim e ujë të pijshëm dhe sistemimin në ambiente të përshtatshme strehimi. Presidenti Meta u uron shërim të shpejtë qytetarëve të lënduar”, njofton presidenca.

6 tërmete, më i forti me magnitudë 5.3 prekën gjatë natës Korçen dhe fshtrat përreth, duke shkaktuar dëmtime në rreth 70 banesa, shumica të pabanuara dhe duke lënduar 4 qytetarë të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Skip to toolbar