Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc zyrtar të dëmeve materiale të shkaktuar nga tërmeti në qytetin e Korës. Sipas ministrisë në total janë 307 banesa të dëmtuar, nga të cilat 95 janë shkatërruar tërësisht dhe 212 kanë dëmtime më të lehta.
Në fshatin Floq, ku situata është edhe më e rëndë, 65 banesa janë shkatërruar tërësisht, ndërsa 100 të tjera kanë pësuar plasaritje dhe dëmtime të lehta, ndërsa në fshatin Qafëzezë , raportohet për 18 banesa të shkatërruara tërësisht dhe 71 të tjera me dëmtime të lehta. Në fshatin Vidohovë janë 12 banesa të shkatërruara dhe 41 banesa me dëmtime të lehta.
Një pjesë e banorëve, kryesisht me fëmijë të vegjël, janë strehuar në shkollat e fshatit dhe qendrat sociale, ndërsa një pjesë tjetër në çadrat e ngritura, që janë të pajisura me krevate dhe ndriçim.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar banorët e prekur nga tërmeti në fshatin Flloq të Korçës. Banorët prej disa ditës ndodhen të strehuar nëpër çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura, ndërsa vetë ministrja theksoi se po punohet për t’i mbështetur të prekurit nga tërmeti me ushqime, veshje, ilaçe dhe strehim.
“Ministria e Mbrojtjes do të japë ndihmë edhe në rimëkëmbjen e shtëpive dhe do të dëmshpërblehet çdo banor i prekur nga tërmetet. Në sensibilizim të ngjarjes, aksionit të Ministrisë së Mbrojtjes i janë bashkuar edhe struktura vullnetare.” – tha Xhaçka nga çadrat e banorëve.
Aktualisht shumë banorë janë strehuar përkohësisht në qendra sociale, spitale dhe çadra, pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmeteve. Prej disa ditës Korça vijon të lëkundet nga tërmetet, duke i lënë banorët në gjendje paniku. Lajmi i “mirë” në këtë tragjedi, eshte se ajo ndodhi në fushatë dhe qeveria pritet ta zgjidhe qesen shpejt…
Ish deputeti demokrat Ervin Salianji, duke e cilësuar
emergjente situatën në qytetin e Korçës, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
dhe përqendrimin e të gjitha burimeve në këtë bashki për t’u ardhur në ndihmë
banorëve.
Në një postim në facebook, Salianji akuzon qeverinë
që i ka lënë, sipas tij banorët, nëpër çadra pa asnjë kusht, ndërsa shton se
kjo situatë nuk zgjidhet me foto në facebook.
“Situatë më emergjente se çdo emergjencë,
shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme, dëmshpërblimi për çdo pronë të dëmtuar
dhe përqëndrimi i gjithë burimeve në bashkitë Korçë, Devoll dhe Kolonjë,
kryesisht në Floq, Qafzez dhe Vidohovë në zonat e shkatërruara nga tërmeti!
Fëmijë të vegjēl, gra, të moshuar dhe burra të
gjunjëzuar dhe me lot dhimbje për mundin e gjithë jetës te shkuar dëm dhe për
pamundësinë për të ndihmuar familjet që flejnë me keq se bagëtitë në kasolle
apo çadra skandaloze pa asnjë kusht.
Nuk është kërkesë për përfitim politik, ështē
kerkese njerëzore përcveçse detyrim ligjor për të ndihmuar qindra familje që
vuajnë në mes të rrugëve! Nuk zgjidhet situata me facebook dhe me parada por me
përqëndrim të çdo burimi në zonë, ka nevojë emergjente për ushqime, ilaće, batanije
dhe më shumë se keto kanë nevojën të sigurohen që prona dhe jeta e tyre do të
rindërtohen!
Turpi i mbuloftë gjithë ata punonjës
administrate që e ndajnë për të majte dhe jo për votuesit e PD dhe pakon e
makaronave që nevojitet për të mbajtur frymen e banorëve!”, shkruan Salianji.
Prej disa ditësh, Emergjencat Civile, ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë janë angazhuar në qarkun e Korçës për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmetet duke i siguruar atyre, fjetje, ushqim dhe shërbim shëndetësor gjatë 24 orëve.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me tërmetet e rëna në Korçë dhe dëmet materiale që janë shkaktuar në disa fshatra të qytetit. Rama ka thënë se pas inventarit të dëmeve do të nisë dëmshpërblimi dhe rindërtimi i të gjitha banesave.
“Të gjitha banesat do të rindërtohen. Dje, në Floq dhe Qafëzezë të Korçës, me banorët e prekur nga tërmeti që goditi këtë rajon, si dhe drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale. Pas inventarit të dëmeve, nis shumë shpejt dëmshpërblimi dhe rindërtimi për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore!.” shkruan Rama krah një video të publikuar ku shfaqen pamje nga banesat e dëmtuara nga tërmeti.
Korça prej tre ditësh vijon të lëkundet duke detyruar shumë banorë të fënë nëpër çadra apo nëpër makinat e tyre. Sipas të dhënave zyrtare 184 banesa janë të dëmtuara, 95 prej të cilave janë prishur tërësisht.
Shefi i Emergjencave Civile, Haki Çako ka
premtuar dëmshpërblim për banorët e prekur nga tërmetet në qarkun e Korçës.
Në një lidhje direkte nga Korça, për Report Tv,
Çako tha mëngjesin e së hënës se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për të
gjithë banorët në nevojë dhe kapacitetet janë të mjaftueshme për të përballuar
strehimin e shumë familjeve, ndërsa tha se lëkundjet e tërmetit kanë dëmtuar
184 shtëpi, 95 prej të cilave janë dëmtuar tërësisht.
“Është e vërtetë që nuk po mbarojnë lëvizjet
sizmike, para pak minutash ka pasur termet tjetër 2 ballë. Janë marrë masat për
strehimin e banorëve. Tërmeti më i lartë është shënuar i shkallës 5.3 ballë. Në
fshatin Flloq janë mbi 160 persona të strehuar, në Vidov 40 persona dhe në Qafëzezë
janë strehuar 30 persona si dhe janë marrë të gjitha masat për banorët , në
gatishmëri janë dhe Forcat e Armatosura, Kryqi i Kuq e Emergjencat Civile.
184 banesa janë të dëmtuara, 95 prej tyre janë
të dëmtuara plotësisht që do duhet të marrin vlerësimin nga instancat
përkatëse. Deri në momentin e stabilizimit sizmik, qeveria është duke bërë një
vlerësim për akomodimin e një fondi për të gjitha masat e trajtimit financiar
ose rindërtimin e banesave të tyre.
Sigurisht që jemi në dispozicion, të gjitha institucione. Apeli është të solidarizohemi të gjithë. Nuk mund të parashikohet, por banorët janë solidar me njëri tjetrin. Duhet të ftoja të gjithë biznesmenët që kanë mundësi le ta përqendrojnë vëmendjen tek këta banorët.
Qeveria është duke vlerësuar në maksimum për akordimin e një fondi për t’iu shpërndarë banorëve të kësaj zonë të cilët do të vlerësohen sipas nivelit të dëmit për rindërtimin e banesave të tyre”, tha Çako.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike disa nga të dhënat në lidhje me dëmet materiale që kanë ndodhur në Korçë si pasojë e lëvizjeve sizmike të vazhdueshme. Sipas Emergjencave Civile 230 banorë në Korçë, pjesa më e madhe në fshatin Floq, e kanë kaluar natën jashtë në çadrat që u ngritën nga Forcat e Armatosura pas tërmetit 5.3 ballë të ditës së shtunë.
“Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafëzes. Në Floq funksionon shërbimi shëndetësor në 24 orë. Deri më tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmetet, 7 prej të cilave të riparuara.” thuhet në deklaratë
Aktualisht banorëve ju është siguruar ushqimi, krevate dhe batanije, por frika për rikthimin në banesat e tyre është ende e madhe. Një pjesë e madhe e banorëve kanë mbetur në qiell të hapur, pasi banesat e tyre janë shkatërruar plotësisht.
Qyteti i Korçës nuk ka gjetur qetësi as gjatë natës nga lëkundjet e tërmetit duke i lënë banorët të frikësuar dhe të pasigurt në shtëpitë e tyre. Gjatë natës janë raportuar disa lëkundje të tjera tërmeti por me magnitudë deri në 3.5 ballë.
Në fshatin Floq, ku shkatërrimi i shtëpive dhe dëmi material ishte më i madh, banorët e kanë kaluar natën në çadrat e ndritura nga Forcat e Armatosura. Ditën e shtunë Korça regjistroi lëkundjen më të fortë, 5.3 ballë, duke dëmtuar me dhjetëra banesa dhe plagosur 4 persona.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha
ka reaguar për tërmetin e sotëm, që preku rajonin juglindor të vendit. Bashak
ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
për të ndihmuar familjet e goditura nga lëkundjet e tokës.
“Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për ndihmë ndaj familjeve të goditura nga tërmeti ne Korcë. Qindra banesa janë dëmtuar nga tërmeti që goditi në orët e para të mëngjesit rajonin e Korçës. Shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur dhe qindra të tjerë janë në panik se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre. Gjithçka kishin ndërtuar me sakrificë të madhe është shkatërruar”, shkruan Basha.
Më tej, Basha shkruan se duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duhen dedikuar fonde për shtëpitë e dëmtuara. Ai shprehet se nuk duhet humbuar asnjë çast për shkak të lojrave politike. “Duhet shpallur menjëherë gjendja e jashtëzakonshme në zonën e goditur dhe duhen dedikuar urgjent fonde për shtëpitë e dëmtuara”.
“Familjeve të mbetura në mes të katër rrugëve dhe në gjendje tronditje dhe pamundësie totale shteti duhet t’ju ofrojë menjëherë ndihmë financiare dhe ushqim e strehë. Nuk duhet humbur asnjë çast për shkak të paaftësisë apo lojrave politike, por duhet vepruar menjëherë dhe me veprime konkrete për të ndihmuar banorët e goditur”, shkruan Lulzim Basha.
Juglindja dhe jugu i vendit u goditë mëngjesin e kësaj të shtune nga një seri tërmetesh, të cilët kanë shkaktuar dëme materiale në disa fshatra të qarkut të Korçës. Zona më e prekur ka qenë fshati Floq në Korçë, aty ku dhe mendohet se ka qenë epiqendra e tërmetit. RealStory.al pati një komunikim me kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, i cili u shpreh se deri më tani janë 45-50 shtëpi të dëmtuara, në të cilat aktualisht nuk mund të banohet.
“Dëmtimet kryesore janë në fshatin Floq, ku ka qenë dhe epiqendra. Atje ka rreth 45-50 shtëpi të dëmtuara. Janë lënduar dy persona, të cilët kanë marrë mjekimet dhe janë rikthyer në fshat. Aktualisht situata nuk ka një vlerësim përfundimtar, por janë këto shtëpi që thashë, të cilat janë të pabanueshme”, tha Filo.
Në këto kushte, bashkia e Korçës ka nisur punën në terren, fillimisht për të siguruar strehim të përkohshëm dhe ushqim për banorët e prekur nga dëmtimi i shtëpive. “Po marim masa për të krijuar një zgjidhje alternative për strehimin e përkohshëm, duke vendosur çadra dhe duke siguruar mbështetje për ushqime”, tha kryebashkiaku i Korçës.
Në fund ai thekson, se pas kësaj situate do të ngrihet një grup pune për vlerësimin e dëmeve, ndërsa shton se në qytetin e Korçës dëmet nuk kanë qenë të rënda. “Ne donim që të ngrinim një grup pune që sot, por me kërkesën e banorëve do të bëhet më vonë, sapo të sistemohen banorët. Në qytet ka dëmtime, por jantë dëmtime të vogla; plasaritje muresh, rënie e ndonjë oxhaku apo ndonjë çati në ndonjë objekt i vjetër i pabanuar”, tha Sotiraq Filo.