Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një tjetër informacion të përditësuar në lidhje me situatën në Korçë dhe fshtrat përreth, pas tërmeteve që kanë rënë gjatë natës.
Ministria njofton se janë rreth 70 banesa të dëmtuara, që kanë pësuar shembe çatie, shembje suvash dhe çarje të mureve, kryesisht në fshatin Floq dhe Dvoran.
Ndërkaq shumica e shtëpive të shembura janë të vjetra dhe të pabanuara, por është ngritur një komision që po vlerëson situatën në terren.
Informacioni i plotë i Ministrisë:
Më datë 01.06.2019, në territorin e qarkut e Korçë janë regjistruar disa lëkundje tërmeti duke filluar nga ora 06:20 (GTM) deri në orën 09:00. Epiqendra e lëkundjeve ka qenë fshati Floq i bashkisë Korçë. Nga informacioni i marrë deri tani nga Prefektura Korçë, Policia e Shtetit dhe nga Spitali Rajonal i qytetit Korçë informohemi:
Banesa të evidentuara me çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash deri tani në fshatin Floq dhe Dvoran janë 70 banesa. 50 banesa janë të vjetra dhe të pa banuara prej shumë vitesh.
Në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa.
Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.
Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar.
Nga informacioni i marrë nga Spitali Rajonal Korçë, informohemi se 4 shtetas kanë shkuar në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë pasi nga rënia e mureve të disa banesave kanë pësuar lëndime të lehta. Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate.
Është komunikuar me QBO-në në ministrinë e Mbrojtjes për të vënë në dispozicion Detashmentin e Korçës në ndihmë të banorëve për montimin e çadrave që do të shkojnë nga DPRMSH si dhe një autobot me ujë të pijshëm. Janë marrë masa edhe për furnizimin e banorēve me ushqime.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është në gatishmëri dhe po ndjek hap pas hapi çdo situatë duke komunikuar me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të kaluar sa më shpejtë këtë situatë të krijuar.